Ilustrim: Qendra Komunale e Numërimit - Prishtinë Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com
KQZ tërheq rreth 40 mijë zarfe nga kutitë postare në Gjermani dhe Zvicër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar më 05.06.2026 se deri më 04.06.2026 janë tërhequr gjithsej 39 mijë e 405 zarfe me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në Gjermani dhe Zvicër.
Këtë e bëri të ditur Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.
“Lidhur me tërheqjen e dërgesave postare të fletëvotimeve nga kutitë postare të KQZ-së deri me datën 04.06.2026 ju njoftojmë si në vijim: me datën 01.06.2026 nga kutia postare e KQZ-së në Berlin në Gjermani janë tërhequr gjithsej 9 mijë e 650 zarfe, ndërsa dje me datë 04.06.2026 nga kutia postare e KQZ-së po ashtu në Berlin janë tërhequr gjithsej 14 mijë e 755 zarfe me fletëvotime. Ndërsa po të njëjtën datë 04.06.2026 nga kutia postare e KQZ-së në Bernë përkatësisht në Zvicër janë tërhequr 15 mijë zarfe me fletëvotime” – tha Besnik Buzhala.
Qëllimi i mbledhjes së KQZ-së ishte prezantimi i raportit mbi përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në mbledhje u pasqyruan përgatitjet logjistike dhe administrative në 38 komuna të Kosovës në të cilat janë shpërndarë materiale zgjedhore jo të ndjeshme, përfshirë kutitë dhe kabinat e votimit si dhe materialet e tjera përcjellëse.
Tutje sekretariati njoftoi se janë transportuar pajisjet e teknologjive informative duke përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse.
Forma dhe formularët u bë e ditur se janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha, ndërsa shpërndarja e tyre në komuna pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Bazuar në raportin e përgatitjeve u bë e ditur se materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat dhe materialet e tjera përkatëse, ato do shpërndahen nën përcjelljen e Policisë së Kosovës në komunat e Kosovës një ditë para zgjedhjeve.
Sekretariati gjithashtu njoftoi për përfundimin e trajnimeve për Këshillat e Vendvotimeve dhe për stafin që do të angazhohet në publikimin e rezultateve preliminare.
Në mblehdje u tha se deri më 05.06.2026 janë funksionalizuar 30 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa 8 të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme si dhe po vazhdon trajnimi i ekipeve të numërimit.
Në përfaqësi diplomatike kanë arritur materialet zgjedhore për votimin fizik që do bëhet jashtë vendit ndërsa janë zhvilluar trajnimet për stafin që do të angazhohet në qendrat të votimit.
Sa i përket efikasitetit të punës u vlerësua se shpërndarja e materialeve zgjedhore është realizuar me kohë dhe se janë zhvilluar sipas planifikimeve të cilat kanë për qëllim kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Ilir Gashi kërkoi që anëtarët e ekipeve numëruese të informohen çdo herë para se ta marrin ndërrimin e punës për detyrat që ata kanë, si dhe kërkoi që të njoftohen ata për vendimin e KQZ-së për rinumërimin e 10% të votave në çdo Qendër Komunale të Numërimit për të parë se si ka shkuar ai proces.
“Disa këshilla sa i përket Këshillave të Vendvotimeve, përveç trajnimeve që janë bërë, sidomos në pjesën e Qendrave të Numërimit, do të duhej që zyrtarët tanë komunalë me pasë një ligjëratë sado të shkurtër në raport me ekipet e numërimit në çdo ndërrim të procesit të fillimit të numërimit e cila i njofton edhe ata që janë të njoftuar por edhe për çdo ditë do duhej njoftuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një vendim për rinumërim të 10% të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në QNR për faktin me bë një analizë dhe me pa se si ka shkuar i gjithë procesi i numërimit nëpër Qendrat Komunale të Numërimit…do duhej t’i njoftoni ekipet e numërimit në çdo ndërrim kur fillon procesi në mënyrë që jenë të vetëdijshëm në punën e tyre të cilën ata e bëjnë dhe kjo do t’i ndihmonte edhe atyre por edhe kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe integritetit të votës së secilit qytetar” – tha Ilir Gashi.
Alban Krasniqi kërkoi informimin e nevojshëm të votuesve për dallimin mes votimit me asistencë dhe asistencës në vendvotim pasi këto janë të ndryshme.
“Unë desha t’ua bëj me dije, si Divizionit të Informimit apo Sekretariatit që të bëjnë më shumë, që ka të bëjë me votimin me asistencë dhe asistimin në vendvotim. Janë të ndara, janë të përcaktuara kategoritë tejet të ngushta që lejohen për të votuar me asistencë dhe kategori të tjera të cilat nëse kanë nevojë, kanë vështirësi në lëvizje mund të asistohen deri tek kabina e votimit nga asistuesit, por që gjatë procesit të votimit nuk guxon askush me qëndru afër, pra qytetarët e realizojnë të drejtën e tyre në mënyrë të pavarur dhe bazuar në parimin e fshehtësisë së votës.”
Muharrem Nitaj tha se KQZ nuk ka bërë mjaftueshëm për personat të cilët nuk dinë shkrim-lexim dhe se do duhej bërë zgjidhje për këtë çështje.
“Duhet që në periudhën e ardhshme këtë kategori ta vendosim në kategorinë e personave me nevoja të veçanta. Personat që nuk dinë shkrim-lexim besoj se janë persona me nevoja të veçanta edhe kërkojnë një asistencë që iu mundëson atyre ta realizojnë të drejtën” – tha Muharrem Nitaj.
Lidhur me këtë çështje reagoi Alban Krasniqi i cili tha se nuk lejohet të asistohen kjo kategori e votuesve për faktin se më herët ka pasur keqpërdorime të mëdha ndërsa ftoi familjarët e këtyre personave që tua kushtojnë nga një minutë atyre për t’i këshilluar se si votohet.
“I ftoj të gjithë qytetarët që mund të kenë prindër, familjarë që konsiderohen që nuk dinë shkrim lexim, t’i njoftojmë mbi procedurat e votimit paraprakisht sepse nuk lejohet asistimi për personat që nuk dinë shkrim lexim ose që pretendohet se nuk dinë, sepse kjo formë në fund të fundit është keqpërdorur jashtë mase në proceset e kaluara zgjedhore” – tha Krasniqi.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve duke siguruar që procesi i votimit të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, standardet demokratike dhe parimet e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë.
Tutje ai shtoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Policinë, Prokurorinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për të siguruar proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues. Në këto zgjedhje janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Për regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës, pasi u pranuar 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim, u aprovuan 131 mijë e 800, kurse 10 mijë e 907 u refuzuan e 96 u anuluan.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.