Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Kurti: Prej nesër jam i gatshëm të flas me partitë parlamentare për çështjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të fillojë kontakte dhe diskutime me subjektet e tjera politike për çështjen e presidentit.

Kurti tha gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, më 12.02.2026, se sapo Kuvendi ta miratojë buxhetin për vitin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare, është i gatshëm të nisë kontakte për çështjen e presidentit.

“Tash jemi në hapin e tretë – votimin e buxhetit për vitin 2026 dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, sapo të përfundojnë këto, jam i gatshëm që nga nesër të filloj kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e presidentit”, tha Kurti.

Çështja e zgjedhjes së presidentit/es së ardhshëm/mes mbetet e hapur, pasi shumicës në Kuvend i duhen dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve.

Shumicës parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj, u duhen edhe votat e opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati në prill të këtij viti.

Qeveria ka mbajtur të enjten (12.02.2026) mbledhjen e parë, një ditë pas formimit të saj.

Gjatë kësaj mbledhjeje, ekzekutivi miratoi marrëveshje ndërkombëtare – një me Bashkimin Evropian dhe tri me Bankën Botërore, me vlerë miliona euro – si dhe projektligjin për buxhetin dhe zgjatjen buxhetore për pensionet dhe pagesat e tjera të planifikuara.

Qeveria miraton buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare