Si dhe në çfarë projektesh do të shpenzohet buxheti i Kosovës?

Kosova pritet të ketë një buxhet prej rreth 4 miliardë eurosh, i cili shpenzohet brenda një viti buxhetor. Si një nga vendet më të varfra në Europë, mënyra se si shpërndahen dhe investohen këto mjete konsiderohet vendimtare për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe social të vendit në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Këto temë u diskutua në emisionin “Debat Përnime” më 04.06.2026, ku partitë politike treguan planprogramet e tyre për mënyrën e shpenzimit të buxhetit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në debate ku është e pranishme Partia Socialdemokrate (PSD).

Pas këtij vendimi, edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) refuzuan të marrin pjesë në pjesën e parë të debatit pa praninë e Vetëvendosjes.

Për rrjedhojë pjesa e parë e debatit u zhvillua vetëm me kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili prezantoi programin ekonomik dhe fiskal të partisë së tij.

Çka premton Dardan Molliqaj i PSD-së për buxhetin, strukturën e taksave dhe fiskalizimin e Kosovës?

Dardan Molliqaj tha se dallimi kryesor i PSD-së me partitë e tjera qëndron te mënyra e mbledhjes së buxhetit të shtetit.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e të hyrave buxhetore aktualisht sigurohet nga qytetarët dhe jo nga bizneset e mëdha.

Ai argumentoi se akcizat, TVSH-ja dhe tatimet në të ardhura personale paguhen kryesisht nga konsumatorët dhe punëtorët, ndërsa bizneset e mëdha paguajnë relativisht pak në raport me fitimet dhe qarkullimin që realizojnë.

Sipas tij, kompanitë më të mëdha në vend, veçanërisht ato që operojnë në sektorin e energjisë, naftës dhe tregtisë, përfitojnë nga tregu kosovar por tatohen me të njëjtat norma si qytetarët e zakonshëm.

“Pika e parë që ne e dallojmë me të tjerët është qysh mblidhet buxheti. Aktualisht buxheti, rreth 90% (pak më pak është) të buxhetit vjen nga tatimet dhe taksat. Prej tyre shumica absolute e paguan qytetari. Se këtu ka një mashtrim publik që bëhet. Taksën në akcizë, që është diku mbi 30% e të hyrave buxhetore, e paguan secili qytetar kur blen produktet, akcizën e paguajnë në çmim. Përveç kur bën ndonjë investim biznesi që blen makineri, e paguan biznesi. Po pjesën tjetër, çfarëdo që është akcizë, në alkool, në duhan, krejt produktet, neve na qesin çmim, nuk e paguan biznesi. TVSH-në, çdo gjë, prej lapsit, letrës, duhanit, kafesë, çfarë të duash, e kemi në çmim që e paguajmë ne.” – deklaroi Molliqaj.

Molliqaj kritikoi faktin që Kosova nuk aplikon tatim mbi dividendën, duke thënë se vendi është përjashtim jo vetëm në Europë por edhe në rajon.

“Asnjë vend në Europë nuk e ke me zero dividendë, asnjë vend në Ballkan nuk e ke me zero dividendë. Veç ne. Prandaj ne më së pari mendojmë që duhet me e përmbysë shumë mbledhjen.” – tha ai.

PSD-ja tutje propozoi një sistem të ri të tatimit, ku norma më e lartë e tatimit do të arrinte deri në 32 për qind, ndërsa taksa për qarkullim do të rritej nga 10 në 23 për qind.

Po ashtu, partia propozon vendosjen e një tatimi prej 37 për qind mbi dividendën.

“[Struktura e taksave] më e larta është deri në 32%, shkon varësisht prej të hyrave. Taksa në qarkullim duhet me kaluar prej 10% në 23%. Dhe po ashtu taksa në dividendë është 37%. Nuk bën, sepse fitimet që i bëjnë këto biznese, i bëjnë edhe për shkak tonin. Unë të kallëzova jo rastësisht cilat janë kompanitë që qarkullojnë. Energji s’kemi çare pa ble. Nuk është fare inovacion, ata thjesht po e blejnë e po na e shesin. As s’kanë shpikë kurrgjë. Naftën ne s’kemi çare pa e përdorur, se i përdorim veturat e teknologjinë. Kurrfarë inovacioni s’ka.” – tha ai.

Molliqaj argumentoi se fitimet e mëdha të korporatave duhet të kontribuojnë më shumë në financimin e shërbimeve publike.

“Dikush që i fiton 180 milionë euro në vit fitim neto, ish dashtë Kosova me i pasë disa miliona nga ai fitim që me na i kthy neve në shkolla më të mira, në shëndetësi më të mirë. Ky është sendi më i rëndësishëm që s’e ka bërë Vetëvendosja dhe që është gabim. ” – deklaroi ai.

Sipas tij rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve elementare do të ndikonin drejtpërdrejt në mbajtjen e fuqisë punëtore në Kosovë dhe në rritjen e konsumit të brendshëm shtetëror.

Sqarim shtesë: Dividenda është pjesa e fitimit që e ka një kompani. Në Kosovë, nëse ky fitim investohet në biznes, ai nuk tatohet, e njëjta vlen edhe nëse paratë tërhiqen nga pronari/pronarët. Në Kosovë bizneset paguajnë tatim në fitim që është 10%. Pra taksa në tërheqje të dividendës është 0% por në disa vende të tjera ato tatohen kur tërheqin dividendën.

Në pjesën që lidhej me fiskalizimin dhe luftimin e “ekonomisë së zezë”, Molliqaj tha se PSD-ja do të mbështetej në përdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe integrimin e sistemeve të Doganës së Kosovës, Administratës Tatimore dhe institucioneve të tjera relevante.

“AI [Inteligjenca Artificiale] është një prej sendeve që ia kanë nisë me e përdor, me e integru Doganën me shpedicionin edhe me Administratën Tatimore. Është e rëndësishme me u ndërthurë kështu. Digjitalizimi në vetëvete ka qenë një prej inovacioneve më të mëdha në uljen e ekonomisë së zezë dhe të korrupsionit. Për shkak se në mënyrë automatike i bën korelacionet mes të tri burimeve dhe si të ketë mungesë shpërputhje, bie. Se ne nuk e kemi problemin veç a po hyjnë ilegalisht në kufi, se ajo është korrupsion klasik.” tha ai.

Ai shtoi se zhvillimi ekonomik mbetet mjeti më efektiv për uljen e korrupsionit dhe ekonomisë së zezë.

“Sa më i zhvilluar vendi, aq më pak janë këto të dyja. Nuk është policia, nuk janë gjykatat. Perëndimi nuk e ka kryer punën me gjykata dhe me polici të korrupsionit. E ka kryer punën me zhvillim.” – potencoi ai.

Pas përfundimit të intervistës me Molliqajn, debati vazhdoi me pjesëmarrjen e Hekuran Gashit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Arben Mustafës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sokol Havollit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Labinot Bislimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Çfarë strategjie premtojnë partitë politike për ndarjen e buxhetit të Kosovës?

Lëvizja Vetëvendosje: Fokus te zhvillimi ekonomik, energjia dhe stadiumet

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Gashi, tha se mandati i kaluar ishte përqendruar në mirëqenien sociale, ndërsa mandati i ardhshëm do të fokusohet te zhvillimi ekonomik dhe investimet infrastrukturore.

Sipas tij, qeveria e ardhshme do të investojë në zhvillimin ekonomik, rritjen e kapaciteteve energjetike dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive.

Ai përmendi planin për ndërtimin e 20 stadiumeve në vlerë prej 250 milionë eurosh.

Gashi prezantoi edhe projektin për krijimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës, e cila sipas tij do të shërbejë si mekanizëm për financimin e sektorëve strategjikë.

“Derisa në katër vitet e kaluara Qeveria Kurti u fokusua tek krijimi i mirëqenies për, përkatësisht për nënat, për fëmijët, për ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, për veriun, në katër vitet e ardhshme Qeveria Kurti do të fokusohet tek zhvillimi ekonomik, zhvillimi infrastrukturor, zhvillimi i kapaciteteve energjetike, si dhe zhvillimi në fushat sikurse janë ngritja e stadiumeve, 20 stadiumeve në një shumë prej 250 milionë eurove. Pa dyshim që të gjitha këto ngërthejnë në vete edhe investime kapitale për t’i realizuar këto objektiva. Desha të filloj se si do të realizohen të ardhurat buxhetore, për me mund pastaj me investuar në, në, në zhvillim edhe në investime kapitale. Ne do të fillojmë me krijimin, vetëm kemi filluar me hapat e parë, krijimin e grupit punues për Bankën Zhvillimore. Ky do të jetë një institucion kyç për realizimin e financimit të drejtpërdrejtë për sektorët cilët janë kyç dhe kritikë për zhvillimin ekonomik, si dhe sigurinë, sigurinë energjetike, po ashtu edhe mirëqenien shoqërore.” – tha ai.

Po ashtu, ai përmendi programin prej 1 miliard eurosh për mbështetjen e ndërmarrjeve dhe krijimin e mekanizmave që lehtësojnë qasjen e bizneseve në kredi investuese.

“Ne po ashtu në zotim tonë, e kemi po ashtu edhe programin 1 miliard euro, i cili në vete përfshin, do të thotë, investimet e drejtpërdrejta tek, po ashtu, sektorë të cilët janë me interes të veçantë që ndikojnë në ngritje ekonomike. Po ashtu, do të krijohet edhe mundësia për mbulimin dhe sigurimin e kredive investuese për ndërmarrje të vogla e të mesme, e cila e mbulon një barrë që më herët e kanë pasur bizneset individualisht. Do të thotë, e mbulon çështjen e hipotekës apo garantimit të këtyre kredive.” – shtoi Gashi.

PDK: Autostrada, hekurudha dhe investime energjetike

Përfaqësuesi i PDK-së, Arben Mustafa, tha se investimet kapitale kanë stagnuar gjatë viteve të fundit dhe se Qeveria e ardhshme duhet t’i rikthejë ato në prioritet.

Ai e quajti autostradën e Anamoravës prioritetin kryesor të partisë.

“Sa i përket investimeve kapitale, konsiderojmë që ajo çka ka ngecur më së shumti në Kosovë në këto gjashtë vitet e fundit janë investimet kapitale, që janë jetike për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pa humbur kohë po i numëroj disa prej tyre. Prioritet mbi prioritet do të jetë autostrada e Anamoravës, që është shembulli më i keq i qeverisjes gjatë këtyre viteve, që ka mbetur në lloç ajo rrugë dhe brenda dy viteve të para të mandatit do ta përfundojmë autostradën deri te Dheu i Bardhë dhe do t’i sigurojmë qytetarëve të Anamoravës qasje në autostradë dhe zhvillim ekonomik përmes infrastrukturës.” – theksoi Mustafa.

Ai premtoi gjithashtu përfundimin e projekteve rrugore të nisura drejt Pejës, Gjakovës, Podujevës dhe Mitrovicës.

“Do t’i përfundojmë pa humbur kohë qysh në vitin e parë të gjitha projektet rrugore që janë nisur shumë vite më parë, që nuk po përfundohen. Përfshi rrugën për Pejë, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë.” – shtoi ai.

PDK- ja po ashtu planifikon edhe ndërtimin e segmentit të ri Duhël–Shtime–Lipjan–Banullë për lidhjen e dy autostradave kryesore të vendit.

“Do ndërtojmë segmentin e ri të autostradës Duhël, Shtime, Lipjan dhe kyçjen në Banullë, në mënyrë që ta lidhim autostradën ‘Arbën Xhaferi’ me autostradën ‘Ibrahim Rugova’, të shkurtojmë rrugën për në Prizren dhe në këtë mënyrë t’i ofrojmë qasje më të shpejtë qytetarëve të Kosovës që duan të kalojnë prej një pjese në pjesën tjetër, dhe kjo do të lidhet edhe me autostradën e Anamoravës.” – u zotua Mustafa.

Në sektorin hekurudhor, Mustafa tha se do të rikthehen projektet për modernizimin e linjës së Hanit të  Elezit dhe Leshakut dhe do të realizohet elektrifikimi i hekurudhave.

Ai përmendi gjithashtu investime në diga dhe kapacitete të reja energjetike.

“Kur kemi lënë pushtetin, kemi lënë projektet e gatshme për hekurudhën Hani i Elezit deri në Leshak. Nuk është bërë asgjë deri më tani. Do t’i kthejmë këto investime në mënyrë që t’i japim infrastrukturë zhvillimore vendit. Përveç rikuperimit të hekurudhës do të bëjmë edhe elektrifikimin e hekurudhave, në mënyrë që të kemi transport me shpejtësi në linjë me standardet bashkëkohore të hekurudhave. Do të investojmë në diga të ujit, duke pasur parasysh që ka shumë vite që nuk ka pasur as investim të ri, dhe patjetër investime në energji.” – u shpreh ai.

LDK: Central me gaz, spital i ri dhe stadium kombëtar

Sokol Havolli i LDK-së kritikoi qeverisjen aktuale për mungesë investimesh dhe përkeqësim të kushteve për bizneset.

Sipas tij, prioritet do të jetë përfundimi i magjistraleve dhe ndërtimi i Unazës së Prishtinës.

“Përtej mirëmbajtjes, ka pasur zero zhvillim në këto gjashtë vitet e fundit nga kjo Qeveri, dhe është e domosdoshme dhe është urgjente që të intervenohet menjëherë me projekte të reja të cilat krijojnë kushte të barabarta rajonale për zhvillim të biznesit, që nënkupton përfundimin e të gjitha magjistraleve në Kosovë, dhe po ashtu ndërtimin edhe të unazës së Prishtinës, sepse është megjithatë zemra e ekonomisë të Kosovës është kryeqyteti.” – deklaroi Havolli.

Një nga projektet kryesore sipas tij mbetet ndërtimi i një centrali me gaz, i cili sipas tij do të furnizohej me gaz amerikan dhe do të mundësonte gazifikimin e ekonomisë së Kosovës.

“Përtej investimeve infrastrukturore dhe rrugore është tejet e rëndësishme që të ndërtohen edhe kapacitete të reja energjetike, të cilat përfshijnë edhe ndërtimin e centralit me gaz. E kemi thënë këtë qartë, me gaz amerikan dhe gazifikimin e ekonomisë së Kosovës” – tha ai.

Në sektorin e shëndetësisë, ai premtoi ndërtimin e një qendre klinike universitare të re për gjithë Kosovën.

“Kosova humb shumë mjete financiare si rezultat i mosinvestimeve në sektorin e shëndetësisë, dhe LDK në programin e saj ka ndërtimin  edhe të spitalit të ri, pra Qendrës Klinike Universitare për gjithë Kosovën, e cila do të jetë me kapacitete të reja moderne dhe jo sikur këto ekzistuese që janë të stilit sovjetik me klinika të ndara dhe në distancë nga njëra-tjetra.” – u zotua Havolli.

Po ashtu, Havolli përmendi ndërtimin e stadiumit kombëtar në Bërnicë të Prishtinës dhe investime të tjera sportive në funksion të Lojërave Mesdhetare.

“Është tejet e rëndësishme që po ashtu të intervenohet edhe në infrastrukturën sportive. Në kuadër të programit e kemi paraparë stadiumin kombëtar në Prishtinë, i cili ndërtohet në Bërnicë, me të gjitha fushat e tjera të disiplinave të tjera të cilat po ashtu do t’i shërbejnë edhe lojërave, lojërave mesdhetare të cilat mbahen tani në Prishtinë.” – u shpreh ai

AAK: Përfundim i projekteve të nisura dhe partneritete publiko-private

Përfaqësuesi i AAK-së, Labinot Bislimi, tha se partia e tij do të vazhdojë projektet infrastrukturore të nisura gjatë Qeverisë Haradinaj.

Ai përmendi përfundimin e autostradës së Gjilanit, si dhe rregullimin e hyrjes dhe daljes në Gërlicë.

Sipas tij, AAK-ja beson se projektet duhet të realizohen nga ata që i kanë nisur.

“Ju e dini se Ramush Haradinaj ka qenë ai që i ka prirë të gjitha këtyre projekteve dhe pa dyshim se ne do të investojmë dhe do t’i përfundojmë punimet të cilat janë nisur më përpara, siç është autostrada e Gjilanit. Gjithashtu hyrja dhe dalja në Gërlicë, edhe ajo ka qenë e buxhetuar prej Ramush Haradinajt, Qeverisë Haradinaj, edhe ajo do të përfundojë, sepse atë pak hyrje që e kanë bërë, e kanë bërë jashtë standardeve europiane, sepse ajo është korridor europian dhe ato kanë standarde të veçanta. Kështu që të gjitha segmentet rrugore që kanë mbetur pa përfunduar, përfshi të Gjakovës, e Mitrovicës e të tjerë, do të përfundohen.” – deklaroi Bislimi.

Ai përmendi edhe projektin e hekurudhës Prizren–Gjilan–Kamenicë, duke pretenduar se ky ka qenë zotim i mëhershëm i partisë.

“Gjithashtu dua të përmend një segment të cilin e kanë bërë me pompozitet këto ditëve të fundit, po është zotim i 2022-ës. Mundi me i pa videot kam me i publiku kur Ramush Haradinaj zotohet për hekurudhën Prizren, Gjilan, Kamenicë. Kështu që ai është zotimi yni, është projekti yni, i cili është rimarrë prej këtyre dhe ka qenë teknikisht i paraparë se si do të bëhen ato investime.”- theksoi ai.

Ndryshe nga partitë e tjera, Bislimi tha se një pjesë e konsiderueshme e investimeve infrastrukturore do të realizohen përmes partneriteteve publiko-private.

“Shumica e investimeve që do të bëhen do të bëhen publiko-privat, nuk janë investime vetëm publike. Do të shkojmë në shumicën e rasteve me 49% të investimeve private dhe me 51% për fillim me investime publike, shumica e investimeve si hekurudha për shembull, dhe jo me investime të plota publike, kuptohet edhe me fonde të tjera.” – u shpreh Bislimi.

Sipas tij nuk është e rëndësishme se kush jep premtime, por kush i përfundon ato.

Ai tha se AAK-ja është e bindur se investimet e premtuara mund të realizohen nën udhëheqjen e kandidatit të saj për kryeministër.

“Këtu nuk është pyetje se cili i jep këto premtime. Këtu është pyetje se kush mundet me i realizu, dhe ata që sot mund me i realizu janë ata që i kanë nisur atë punë. Edhe jemi të besimit të plotë që Ardian Gjini, i cili është i përmendur si njeri i punëve të kryera, ai do t’i realizojë dhe e ka mundësinë me i realizu. Kështu që Aleanca zotohet sot dhe menjëherë për këto investime.” – u zotua Bislimi.

Si premtojnë partitë politike ta reformojnë ATK-në, Doganën dhe Inteligjencën Financiare?

Një nga temat kryesore të debatit ishte edhe reforma e institucioneve që merren me mbledhjen e të hyrave shtetërore, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën e Kosovës dhe Inteligjencën Financiare.

Përfaqësuesit e partive politike paraqitën qasje të ndryshme për mënyrën se si këto institucione duhet të reformohen, duke e vendosur theksin te depolitizimi e digjitalizimi i tyre.

AAK: Pavarësim i ATK-së dhe formalizim i ekonomisë

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, tha se reforma duhet të nisë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Sipas tij ATK-ja aktualisht ndikohet nga pushteti politik dhe kjo duhet të ndryshojë.

“Së pari duhet një reformë e thellë me u bë tek ATK-ja, për arsye se sot ATK-ja nuk është e pavarur. Ai që e dirigjon dhe ai që ka qenë edhe paraprakisht prej tij është i Lëvizjes Vetëvendosje dhe këtë e dimë.” – deklaroi Bislimi.

Ai tha se AAK synon ta transformojë ATK-në nga një institucion ndëshkues në një institucion që bashkëpunon me bizneset për formalizimin e aktivitetit ekonomik.

“ATK-ja nuk është, siç po përdoret ose siç është përdorë deri tani si ndëshkim ndaj ndërmarrjeve private, po si shoqërim me këto ndërmarrje private. Prandaj nuk është çështje partneritetit, por ajo duhet me u shoqëru, me kriju mekanizmat e duhur që ndërmarrjet private me u formalizu, po pa u ndëshku në kuptimin, pa u dëmtu, se do të thosha pa u dëmtu përmes këtij procesi, pra të formalizimit të ndërmarrjeve dhe të sektorit privat.” – tha ai.

Bislimi u shpreh se edhe inspektoratet financiare duhet të kenë më shumë kapacitete dhe kontrolle më të shpeshta, por pa u fokusuar vetëm te gjobat dhe ndëshkimet.

“Po e përsëris që edhe ky Inspektorat nuk duhet me u lëshu vetëm në ndëshkime, por në shoqërim të ndërmarrjeve private dhe kjo është e domosdoshme pra për një model të ri ekonomik edhe zhvillimor.” – tha ai.

Një prej propozimeve të AAK-së ishte deklarimi i pasurisë nga të gjithë qytetarët me qëllim që shteti të ketë pasqyrë më të saktë për gjendjen ekonomike të familjeve dhe shpërndarjen e ndihmave sociale.

Sipas tij, kjo do të ndihmonte që ndihmat dhe subvencionet të orientoheshin te kategoritë që kanë më së shumti nevojë.

“Agjencia Antikorrupsion e cila gjithashtu duhet me vepru në këtë aspekt dhe ne jemi për me formalizu që çdo qytetar në Kosovë me deklaru të dhënat, në kuptimin me deklaru pasurinë qysh bëhet edhe në shtetet e jashtme, për arsye se kjo e mundëson për ta ditur sa ka nevojë një qytetar kur të bëhet ridistribuimi i buxhetit, dhe jo sikur sot ku secilit i japin nga 100€ pavarësisht a është i pasur apo jo.” – potencoi ai.

LDK: Depolitizim i institucioneve dhe reforma ligjore

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, e përqendroi diskutimin te depolitizimi i institucioneve shtetërore.

Ai akuzoi Qeverinë aktuale për ndikim politik në Administratën Tatimore të Kosovës dhe tha se reforma nuk mund të realizohet pa garantimin e pavarësisë së institucioneve.

“Administrata Tatimore është në kthetrat e tyre dhe është urgjente të depolitizohet”, – deklaroi Havolli.

Sipas tij, ndikimi politik nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e institucioneve, por edhe te stafi që është punësuar gjatë viteve të fundit.

Ai pretendoi se ATK-ja po përdoret për presion ndaj bizneseve që kanë qëndrime kritike ndaj Qeverisë.

“Administrata Tatimore është në kthetrat e tyre dhe është urgjente të depolitizohet, jo vetëm drejtori ekzekutiv, por edhe stafi që e kanë rekrutuar me librezë partiake, sepse dalin me porosi personale dhe gjobisin biznese të cilat në çfarëdo forme edhe mund të kritikojnë, ose mund të kenë një opinion tjetër ndaj kësaj Qeverie. Kështu që është urgjente të depolitizohet. Pra, nuk mund të flasim në reforma masive përderisa po përdoret si një lloj policie civile Administrata Tatimore e Kosovës.” – tha ai.

Përveç depolitizimit, Havolli tha se LDK planifikon ndryshime në legjislacionin, përfshirë mënyrën e mbledhjes së TVSH-së.

Sipas tij, TVSH-ja duhet të mblidhet në momentin e shitjes së produktit dhe jo më herët, në mënyrë që bizneset të mos ngarkohen financiarisht para se të realizojnë qarkullimin e tyre.

“Pra pika e parë është të sigurohet pavarësia e tyre dhe menjëherë pas saj duhet të vijmë në avancim të legjislacionit i cili ndër të tjera parasheh dhe mbledhjen e TVSH-së brenda vendit, pra me rastin e shitjes së produktit, që mos të ngarkohen bizneset në aspektin tatimor ende pa ndodhur qarkullimi brenda ekonomisë së Kosovës. Kështu që reforma fillimisht kërkon depolitizim.” – deklaroi Havolli.

PDK: Integrim digjital dhe meritokraci në institucione

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, tha se reformat duhet të mbështeten në teknologji dhe në bashkëpunim më të madh ndërinstitucional.

Ai vlerësoi se digjitalizimi dhe integrimi i sistemeve të ATK-së dhe Doganës janë të domosdoshme, por që sipas tij, asnjë reformë nuk mund të ketë sukses pa largimin e ndikimit politik nga institucionet publike.

“Sigurisht që mbështetja e projekteve të digjitalizimit është e pashmangshme dhe duhet të ketë një kooperim, një integrim më të ngushtë mes agjencive që mbledhin taksat në Kosovë, përfshi ATK-në dhe Doganën. Por këtë ua lëmë njerëzve profesionistë që duhet të jenë nëpër institucione. Po për me ndodhur reformimi në këto institucione duhet me qenë shkapja, me ndodhë shkapja nga politika.” – u shpreh Mustafa.

Mustafa kritikoi Qeverinë për, siç tha ai “tentativat për kontroll politik mbi institucionet e pavarura”.

“Ne e shohim një apetit të kësaj Qeverie me kap çdo institucion, çdo agjencion të pavarur, dhe nuk ka reformë aty ku politika i përzien duart, ku nuk duhet me i përzi dhe pavarësimi i këtyre institucioneve është numër një, dhe tjetra meritokracia në punësim.” – u shpreh ai.

Lëvizja Vetëvendosje: Digjitalizim, ulje e barrës për bizneset dhe mekanizma të rinj ankese

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Gashi, mbrojti punën e Qeverisë aktuale dhe tha se gjatë mandatit të fundit janë ndërmarrë hapa konkretë në reformimin e sistemit fiskal.

Ai përmendi shtetëzimin e terminaleve doganore si një nga masat që sipas tij ka eliminuar monopole dhe ka lehtësuar barrën për bizneset.

“Kemi përfunduar digjitalizimin e faturimit biznes te klientë. Kemi hequr po ashtu një monopol tjetër zhvatës i cili ka ardhë prej juve, i cili i ka kushtuar sektorit privat 60 milionë euro.” – tha Gashi.

Ndër reformat e përmendura nga Gashi ishte edhe krijimi i bordeve të ankesave në ATK dhe Doganë, të cilat sipas tij synojnë të garantojnë trajtim më të drejtë për qytetarët dhe bizneset.

“Kemi krijuar bordin e ankesave në ATK dhe në Doganë të cilën e kemi, e kemi filluar njëfarë mekanizmi administrativ për me e siguru që secili qytetar dhe secili subjekt privat të trajtohet me një fazë tjetër të drejtësisë.” – theksoi ai.

Ai përmendi gjithashtu themelimin e Gjykatës Komerciale si një mekanizëm shtesë.

Në fund të diskutimit, Gashi hodhi poshtë akuzat për politizim të institucioneve, duke kundërshtuar pretendimet e opozitës dhe duke rikujtuar rastet kur ish-drejtues të institucioneve publike kanë qenë të lidhur me partitë që sot janë në opozitë.

“Sidoqoftë foli për politizim. Unë e ceka dhe më herët, ai vetë ka qenë do të thotë zëvendësguvernator e më herët ka qenë, ka shërbyer dhe në kabinete politike. Ish-drejtori i fundit i ATK-së me të përfunduar mandatin ka qenë në listën e kandidatëve për deputetë nga PDK-ja. Këta folin për politizim, këta janë të njohur, do të thotë, për skandalet a ke konkuruuar edhe në sistemin e drejtësisë? Ne e dimë që ne e kemi, unë e tregova, kemi ulur barrat.” – u shpreh Hekuran Gashi i LVV-së.

Çfarë ndryshimesh premtojnë partitë politike në sistemin tatimor?

Në pjesën e fundit të debatit, përfaqësuesit e partive politike prezantuan planet e tyre për reformimin e sistemit tatimor, duke shpalosur qasje të ndryshme për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, akcizat dhe mbështetjen e bizneseve.

PDK: Ulje e tatimeve për punëtorët dhe bizneset e vogla

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, tha se programi i partisë së tij synon të ulë barrën tatimore si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset.

Sipas tij PDK-ja planifikon ndryshime në tatimin mbi të ardhurat personale, duke përjashtuar nga tatimi pagat deri në 500 euro.

Ai shpjegoi se pjesa e pagës nga 500 deri në 800 euro do të tatohej me 8 për qind, ndërsa të ardhurat mbi 800 euro me 10 për qind.

“Qasja jonë te tatimet është qasje lehtësuese edhe për ekonomitë familjare edhe për bizneset. Do të zvogëlojmë tatimin në të ardhurat personale. Pagat prej 0 deri në 500 euro do të kenë zero tatim. Paga deri në 500 euro nuk do të tatimohet fare. Pjesa e pagës prej 500 deri në 800 euro do të tatimohet me 8% dhe mbi 800 euro do të tatimohet me 10%. Kjo do të prekë secilin të punësuar në Kosovë. Secili i punësuar, edhe në sektor publik edhe në sektor privat, do të paguajë më pak tatim në të ardhura personale.” – deklaroi Mustafa.

Një tjetër plan i propozuar nga PDK-ja është përjashtimi nga tatimi i bizneseve të vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro në vit.

“Bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro nuk do të tatimohen fare. Janë biznese që bëjnë familjet dhe nuk do të ngarkohen me asnjë taksë nga shteti, por do t’i hapet mundësi të zhvillojnë lirshëm aktivitetin e tyre pa pasur ngarkesë tatimore.” – tha ai.

Mustafa premtoi gjithashtu reformim të sistemit të tatimeve.

Sipas tij, kjo do t’u lironte bizneseve kapitalin qarkullues dhe do të krijonte kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik.

“Sot bizneset në Kosovë fillimisht ia paguajnë tatimin Qeverisë dhe i bllokojnë paratë e tyre, dhe pastaj pas disa muajsh nëse e shesin mallin e tyre, tek atëherë i rikuperojnë ato pagesa të tatimit. Qasja jonë do të jetë lehtësuese. Do të lehtësojmë barrën tatimore.” – tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje: Vazhdim i reformës së TVSH-së dhe ruajtje e stabilitetit fiskal

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Gashi, u fokusua kryesisht te ndikimi që ndryshimet e propozuara mund të kenë në të hyrat buxhetore.

Ai rikujtoi se paga minimale është rritur në 500 euro gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes dhe argumentoi se përjashtimi nga tatimi i të gjitha pagave deri në këtë nivel do të ndikonte në të hyrat publike.

Gashi kundërshtoi gjithashtu idenë e heqjes së menjëhershme të TVSH-së në kufi, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do të krijonte vështirësi serioze për financat publike.

Sipas Gashit, Qeveria synon të vazhdojë procesin e digjitalizimit të sistemit fiskal dhe gradualisht të zhvendosë pagesën e TVSH-së brenda vendit.

Ai tha se pas përfundimit të fazës së dytë të digjitalizimit bizneset do të kenë mundësi ta paguajnë TVSH-në në muajin pasues.

“1.7 miliard euro parashihen me u mbledhë vetëm në emër të TVSH-së në vitin 2026. Ndërsa në kufitare thot, në kufitare është 1.1 miliard euro. Merre me mend çfarë shoku në aspekt të mbledhjes së të hyrave buxhetore çfarë shkakton nëse ti për një moment e heq atë barrë. Ne e kemi masën tjetër. Ne kemi, ne kemi me bë pasi të kryejmë digjitalizimin brenda bizneseve. Ne kemi filluar zhvendosjen e pagesës së TVSH-së brenda vendit, pagimin e TVSH-së në muajin vijues siç bëhet për blerjet brenda vendit për një muaj. Se qarkullimi i mallit mesatarisht në një biznes është rreth gjashtë muaj. Nëse gjashtë muaj një biznes nuk paguan deri në momentin që e qarkullon atë mall që e ka importu, çka bën, çka bën kuleta e shtetit, qysh ka me i financu, qysh ka me financu, ju s’dini për çfarë bëni premtime.” – deklaroi ai.

LDK: Heqje e TVSH-së për energjinë dhe produktet bazike

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, e lidhi reformën tatimore me krizën e kostos së jetesës dhe rritjen e çmimeve gjatë viteve të fundit.

Ai tha se prioritet i LDK-së do të jetë ulja e barrës financiare për qytetarët, veçanërisht në sektorët që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme.

“Kemi shtrenjtim të njëpasnjëshëm të energjisë elektrike, i cili është megjithatë inputi ose baza e çdo segmenti prodhimi, transporti e kështu me radhë, dhe kemi shtrenjtim të çmimeve të përgjithshme, madje të shportës bazike deri në 75%.” – deklaroi Havolli.

Si masë emergjente, ai premtoi heqjen e TVSH-së për faturat e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Po ashtu, LDK propozon eliminimin e TVSH-së edhe për produktet e shportës bazike.

Sipas Havollit, qëllimi i Qeverisë nuk duhet të jetë mbushja e arkës së shtetit përmes konsumatorëve, por lehtësimi i jetesës së tyre.

“Është e nevojshme të ndërhyhet fillimisht me disa masa emergjente në aspektin e reduktimit të barrës së çmimeve për qytetarët e Kosovës, dhe kjo fillimisht prej LDK-së parashihet që të zvogëlohet TVSH-ja në zero për fakturat e energjisë elektrike për konsumatorët e Kosovës, edhe po ashtu në shportën bazike të konsumatorit të eliminohet TVSH-ja, sepse qëllimi i Qeverisë megjithatë është që të lehtësojë jetën e qytetarëve dhe jo ta mbushë arkën, buxhetin, arkën e shtetit në shpinë të qytetarit të Kosovës.” – tha ai.

Një tjetër premtim ishte eliminimi i akcizës për naftën gjatë periudhave të krizave ndërkombëtare.

LDK gjithashtu paralajmëroi rishikim të pragjeve tatimore dhe të progresivitetit të tatimit mbi të ardhurat.

“Po ashtu, e kemi të paraparë që të eliminojmë akcizën në naftë në kohën kur ka kriza globale sikur kjo e fundit, sepse në disa vlerësime është parapa, është e mundur të reduktohet çmimi i naftës në Kosovë deri në 35, dhe pas këtyre është e nevojshme që të rishikohen edhe normat tatimore në pragun e ulët të pagës dhe në pragje të tjera, të rishikohet edhe progresiviteti si dhe format e tjera.” – theksoi Havolli.

AAK: Deklarim i të ardhurave, mbështetje për veteranët dhe të rinjtë

Tutje, përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, tha se para çdo reforme tatimore duhet të krijohet një pasqyrë e qartë e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

Sipas tij, Kosova nuk mund të ndërtojë një sistem të drejtë tatimor pa pasur informacion të saktë për të ardhurat reale të secilit qytetar.

“Në çdo vend të botës deklaron qytetari të ardhurat globale. Jo vetëm ato që, ku është i punësuar, që bëhen për shembull sektori publik që deklarohet drejtpërdrejt, por edhe ku i merr të tjerët, se kjo na i mundëson për me ditë se qysh me bë progresivisht tatimin mbi të ardhurat e qytetarëve. Nuk mundemi ne me u lavdëru sot mbi të ardhurat që i marrim prej doganave që janë rritur në fakt për arsye të inflacionit, dhe këtë ta thotë çdo ekonomist, jo unë, por çdo ekonomist ka me ta tregu.”

Sipas Bislimit, veteranëve duhet t’u lejohet të vazhdojnë të marrin pensionin edhe nëse punësohen.

“Për shembull tek qytetarët të cilët marrin, janë veteranë të luftës. Marrin një pjesë e madhe e tyre nuk kanë të drejtë me punu, sepse ia ndalin menjëherë ato pensionin që e marrin, ne duhet ta rishikojmë ligjin, dhe kjo është pjesë e programit tonë, që ata njerëz me mund me marrë pensionin dhe me mund me punu, sepse sot ekonomia e Kosovës ka nevojë për punëtorë, se punëtorët na kanë ikë” – tha ai.

Po ashtu, ai prezantoi paketën “Rikthimi i të rinjve dhe ndërmarrësisë”, e cila parasheh lehtësi për bizneset e reja.

AAK-ja premton gjithashtu indeksimin e pensioneve sipas normës së inflacionit, me qëllim ruajtjen e fuqisë blerëse të pensionistëve.

“Në këtë aspekt kjo pako do ta mundësojë që i riu të ndërmarrë dhe të ketë mundësi mbi dy vjet mos të ketë tatim mbi ndërmarrësinë e tij, derisa t’i merr këmbët e veta, dhe gjithashtu edhe për sa i përket pensionistëve, pensioni do të indeksohet në rritjen e inflacionit domethënë vjetor.” – theksoi tutje Bislimi.

www.kallxo.com