Fotoja familjare e liderëve në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. Foto: BE

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat: Publikohet fotoja familjare e liderëve

Në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2026 që po zhvillohet në Tivat, është realizuar edhe fotoja tradicionale familjare e liderëve pjesëmarrës.

Në këtë fotografi zyrtare, udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe krerët e shteteve e qeverive nga rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë pozuar së bashku në një tapet të kuq, me sfondin e një prej hoteleve të Tivatit dhe nën qiellin e hapur. 

Në mesin e tyre është ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në foto, ndër të tjerë janë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.

Në qendër të rreshtit të parë, si nikoqir i këtij organizimi, shihet presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i shoqëruar në të majtë të tij nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lart pak para Haxhiut shihet kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga samiti në Tivat të Malit të Zi se Prishtina zyrtare pret hapa konkretë nga Bashkimi Europian, duke potencuar se vendi tashmë meriton lëvizjen përpara drejt integrimit.

Haxhiu gjatë deklarimit të saj të parë në një format të tillë në nivel të liderëve, ka bërë të qartë se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e bllokut evropian dhe se ka ardhur koha që ky përkushtim të vlerësohet meritorisht.

“Siç jeni në dijeni, ne jemi plotësisht në një vijë me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Nga ky samit presim diskutime frytdhënëse nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. “

Haxhiu tha se ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian. 

Ajo shtoi se një Bashkim Europian i bashkuar dhe më i madh është përgjigjja më e fuqishme ndaj atyre që synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri në Europë. 

“Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë përgjatë gjithë këtij procesi. Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë palodhshëm për qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë evropiane”- shtoi ajo.

Ajo ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit mikpritës, Malit të Zi për organizimin e këtij samiti, duke e cilësuar pjesëmarrjen e Kosovës si tejet të rëndësishme në një kohë kur po diskutohen sfidat e sigurisë dhe zgjerimi i BE-së.

“Integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik. Ai ka të bëjë me mirëqenien, paqen, demokracinë dhe dinjitetin – si për Evropën, ashtu edhe për popullin tonë”- ka përfunduar ajo.

Tema e samitit ësht⌂ “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Ky samit mbahet gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel dhe synon të riafirmojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.