Debati “Gratë lidere”: Pse burrat dominojnë në debatet zgjedhore dhe cilat janë platformat e partive për gratë në politikë?

Debati i fundit elektoral në “Debat Përnime” para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026, iu kushtua grave që synojnë të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.

Në panel ishin kandidatja e koalicionit LVV–Alternativa, Nita Gashi, kandidatja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe kandidatja e PSD-së, Natyra Kuçi. Ndërsa, përfaqësueset e LDK-së dhe AAK-së, të cilat fillimisht kishin konfirmuar pjesëmarrjen, u tërhoqën nga debati.

Diskutimi nisi me një temë që vetë përbërja e debateve zgjedhore e kishte vënë në pah gjatë fushatës, mungesën e grave në hapësirat mediale dhe në debatet politike.

Duke folur për këtë çështje, kandidatja e koalicionit LVV–Alternativa, Nita Gashi, tha se pjesëmarrja më e madhe e grave në politikë kërkon mbështetje dhe inkurajim nga gratë që tashmë kanë arritur pozita udhëheqëse.

Ajo veçoi rolin e kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke e cilësuar si një shembull të rëndësishëm për gratë që synojnë të përfshihen në politikë.

“Unë mendoj që duhet me dalë një grua edhe me treguar që mundesh… Se është edhe frika… është frika se po paragjykohet apo etiketohet. Edhe e kanë frikën e ballafaqimit me këtë pjesë. Kur del dikush edhe t’ia zgjat dorën, si mua në këtë rast zonja Mimoza Kusari-Lila, së bashku mundemi me i treguar të gjithëve që mundemi me ia dalë”, – tha Gashi.

Nga ana tjetër, kandidatja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, argumentoi se gratë duhet të jenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet e organizimit politik, duke nisur nga listat zgjedhore e deri te strukturat drejtuese të partive.

Sipas saj, përfaqësimi 50 me 50 ndërmjet grave dhe burrave duhet të jetë standard në kryesi, degë dhe lista zgjedhore.

“Unë jam ithtare që në 10-she me qenë pesë gra dhe pesë burra. Jo me qenë dy burra, pastaj një grua. Po ashtu mendoj që edhe në kryesi të partive duhet me qenë 50 me 50”, deklaroi Musliu -Shoshi.

Ajo tha se, sipas përvojës së saj në PDK, përzgjedhja e përfaqësuesve për debate nuk bëhet në bazë të gjinisë, por sipas fushave që mbulojnë kandidatët.

Megjithatë, Musliu-Shoshi theksoi se gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, duke përmendur veçanërisht problemet e lehonave në vendin e punës.

Krejt ndryshe e pa situatën kandidatja e PSD-së, Natyra Kuçi, e cila kritikoi partitë politike për atë që e quajti përdorim formal të grave vetëm për të plotësuar kuotat gjinore.

Sipas saj, gratë shpesh kandidohen në zona ku partitë nuk presin fitore, ndërsa nuk u jepet hapësirë reale në vendimmarrje.

“Ne nuk jemi këtu me ia plotësuar kërkujt kuotën gjinore, me ia mbuluar marren që e kanë studiot televizive dhe debatet në prime time”, – tha Kuçi.

Ajo argumentoi se problemi nuk qëndron te mungesa e grave të gatshme për t’u përfshirë në politikë, por te fakti se ato rrallëherë përfshihen në strukturat ku merren vendimet.

Sipas saj, pa u dhënë grave rol të vërtetë në organizimin politik, është e vështirë të pritet që ato të jenë të përgatitura për përfaqësim publik në debate apo fushata.

“Qysh me shkuar një grua në një debat politik nëse ti më së pari nuk e ke bërë as nënkryetare, nuk i ke dhënë kurrfarë pushteti?… Po mandej thua: ‘Po shko, dil në televizor’. Qysh me dalë ajo në televizor?”, – deklaroi Kuçi.

Kandidatet vazhduan duke prezantuar programet e subjekteve që përfaqësojnë, duke u fokusuar kryesisht te politikat sociale, fuqizimi ekonomik i grave dhe qasja ndaj familjes.

Kandidatja e PSD-së, Natyra Kuçi, tha se partitë politike po hyjnë në zgjedhje me programe që, sipas saj, shpesh nuk kanë synim real të realizohen.

Ajo argumentoi se përmirësimi i pozitës së grave nuk arrihet vetëm përmes përfaqësimit simbolik në institucione, por përmes politikave që ndryshojnë kushtet ekonomike dhe shoqërore të grave.

Kuqi kritikoi atë që e quajti model i politikës së përfaqësimit individual, duke thënë se avancimi i një numri të vogël grash në pozita të larta nuk nënkupton domosdoshmërish avancim për të gjitha gratë në shoqëri.

“Ne nuk jemi duke folur për atë lloj të politikës ku gratë individualisht bëhen model. Jemi duke folur për atë politikë që gruan te shtëpia e bën të barabartë ekonomikisht, ia jep të drejtën e barabartë me marrë pronën”, – tha Kuçi.

Ajo vlerësoi se politikat sociale, si shtesat për fëmijë, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me investime në shërbime publike, veçanërisht në çerdhe.

“Shtesa duhet me qenë një politikë, mirëpo nëse ato shtesa nuk ndihmohen duke hapur çerdhe të reja, gratë kanë me përfunduar duke e përkundur djepin edhe duke i marrë shtesat, por kjo nuk e zhvillon gruan në politikë”, – deklaroi ajo.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi e shfrytëzoi prezantimin e programit për të kritikuar qeverisjen aktuale dhe për të promovuar prioritetet e PDK-së në ekonomi, siguri dhe mirëqenie sociale.

Ajo tha se Kosovës i duhet një udhëheqje që, sipas saj, beson në të ardhmen e vendit dhe krijon perspektivë për të rinjtë.

“Ky vend e meriton me pasur një kryeministër që familjen e tij e rrit në Kosovë. Pra, një kryeministër që beson në Kosovë, që beson në zhvillim, që beson në siguri dhe që i jep shpresë një të riu e një të reje me jetu në këtë vend”, – tha Musliu-Shoshi.

Ajo prezantoi programin e PDK-së të fokusuar në zhvillim ekonomik, energji, infrastrukturë dhe partneritet me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa premtoi mbështetje financiare për lehonat, gratë sipërmarrëse dhe rritje të pagave.

Sipas saj, mbështetja për nënat nuk duhet të reduktohet në pagesa të përkohshme.

“Nuk është e mjaftueshme 100 euro, sepse e dimë me çfarë çmime dhe me çfarë standardi po ballafaqohen qytetarët tanë. Kjo lloj ndihme duhet të jetë në planprogram dhe në buxhet, duhet të ofrohet në vazhdimësi”, – tha ajo.

Në anën tjetër, kandidatja e koalicionit LVV–Alternativa, Nita Gashi, mbrojti politikat e qeverisë aktuale, duke renditur investimet në shëndetësi, mbrojtje, rini dhe gratë si disa nga prioritetet kryesore.

Ajo tha se mbështetja financiare për familjet, pensionistët dhe fëmijët do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, ndërsa veçoi programet për punësimin e të rinjve dhe grave.

“Për rininë janë krijuar platforma si ‘Superpuna’, kur të rinjtë munden me u kyç në biznese të ndryshme në punë. Në korrik po krijohet edhe platforma ‘Superpuna’ për gratë, do të thotë gratë e kanë mundësinë tash me u punësuar”, – deklaroi Gashi.

Ajo përmendi gjithashtu investimet në çerdhe dhe planet për krijimin e gjykatave familjare që do të trajtojnë çështje si trashëgimia dhe dhuna në familje.

Debati më pas u zhvendos te rezultatet konkrete të qeverisë në ndërtimin e çerdheve.

Kuçi akuzoi ekzekutivin se nuk ka realizuar premtimet për ndërtimin e tyre dhe se po e rikthen barrën e kujdesit për fëmijët te familja tradicionale.

“Kur flasim për gjyshin e gjyshen për me eduku fëmijët, ky është dështim i qeverisë i pastër. Është kthim te familja tradicionale”, – tha ajo.

Kritikave iu bashkua edhe Musliu-Shoshi, e cila tha se qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të realizuar premtimet.

“Gjashtë vjet që Albini është në pushtet. A e di sa çerdhe i keni ndërtuar? Katër”, – tha ajo, duke ngritur po ashtu çështjen e mungesës së asistentëve profesionalë për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down.

Gashi kundërshtoi akuzat, duke thënë se qeveria është duke punuar në këto fusha dhe se në mandatin e ardhshëm do të ketë më shumë mbështetje profesionale në shkolla, përfshirë logopedë për fëmijët me nevoja të veçanta.

Përplasja mes tri kandidateve vazhdoi edhe rreth politikave sociale dhe shtesave për familjet. Kuqi argumentoi se partitë opozitare po kritikojnë ndihmat financiare të qeverisë, ndërkohë që po premtojnë politika të ngjashme gjatë fushatës.

Ndërsa Musliu-Shoshi këmbënguli se dallimi qëndron te qasja afatgjatë e PDK-së, duke thënë se zgjidhje nuk janë pagesat e vogla mujore, por rritja e të ardhurave dhe investimet kapitale.

“Partia Demokratike në planin e saj ka rritje të pagës 50 për qind. Kemi program të saktë sa i përket politikave sociale për ngritje të nivelit të standardit dhe jetesës në këtë vend”, – deklaroi ajo.

Debati u tensionua kur diskutimi u zhvendos nga programet zgjedhore te skenarët e mundshëm paszgjedhor dhe raportet e partive me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kandidatja e PSD-së, Natyra Kuçi, vuri në pikëpyetje qëndrimet e PDK-së lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve, duke argumentuar se premtimet programore humbin kuptimin nëse partitë përfundojnë në koalicione me kundërshtarët që sot i kritikojnë.

Duke iu drejtuar Ariana Musliu-Shoshit, ajo tha se deklaratat e drejtuesve të PDK-së për mungesën e vijave të kuqe ndaj partive shqiptare krijojnë paqartësi për votuesit.

“Bedri Hamza po thotë shkoj në koalicion me të. Krejt ky programi joti bjen për tokë. Nëse Vetëvendosja fiton rezultatin e njëjtë edhe shkoni në koalicion me të, ky programi joti bie për tokë”, – tha Kuçi.

Ajo kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale ndaj politikave sociale, duke argumentuar se ndihmat financiare nuk mund të zëvendësojnë politikat afatgjata shtetërore për fuqizimin e grave.

Musliu-Shoshi u kundërpërgjigj duke thënë se PDK-ja nuk hyn në garë për të siguruar një rezultat minimal, por për të fituar zgjedhjet dhe për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.

Ajo vlerësoi kandidatin e partisë së saj për kryeministër si figurë që, sipas saj, ka dëshmuar kapacitet qeverisës dhe besim në të ardhmen e vendit.

“Ne nuk garojmë me kaluar pragun. Ne garojmë me qenë të parët. Ky shtet është në krizë dhe ne kemi një kandidat për kryeministër që është i dëshmuar në të gjitha pozitat të cilat i ka pasur deri sot”, – deklaroi Musliu-Shoshi.

Në mes të përplasjeve mes opozitës dhe pushtetit, kandidatja e LVV-së dhe Alternativës, Nita Gashi, bëri thirrje për një debat më të qetë dhe më të fokusuar te roli i grave në politikë.

“Unë jam shumë e re në politikë edhe besoj që sot jeni ardhë me fol më shumë për gratë, edhe duhemi me qenë shembull i grave, mos me bërtit dhe me respektu njëra-tjetrën si politikë”, – tha ajo.

Më pas debati kaloi te prioritetet buxhetore dhe investimet që partitë synojnë të realizojnë në mandatin e ardhshëm.

Duke prezantuar prioritetet e koalicionit LVV–Alternativa, Gashi renditi investimet në infrastrukturë, mbrojtje, arsim dhe rini.

Ajo përmendi projektet hekurudhore, investimet në industrinë ushtarake dhe programet për të rinjtë si shtyllat kryesore të zhvillimit.

Sipas saj, qeveria ka krijuar mundësi të reja për të rinjtë përmes programit “Superpuna”, bursave dhe arsimit dual, i cili kombinon shkollimin me përvojën praktike në tregun e punës.

Duke folur për prioritetet e saj personale si kandidate e re, Gashi tha se do të fokusohej te shëndeti mendor dhe zhvillimi profesional i të rinjve.

“E para që ka me qenë është me u marrë më shumë me shëndetin mendor të të rinjve. E di shumë mirë stresin që e kanë gjatë provimeve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë”, – tha ajo.

Musliu-Shoshi kundërshtoi pretendimet për sukseset e qeverisë në infrastrukturë dhe diasporë, duke thënë se shumë prej projekteve të paralajmëruara nuk kanë kaluar përtej deklarimeve publike.

Ajo akuzoi qeverinë se nuk ka sjellë në Kuvend ligjin për diasporën pavarësisht premtimeve të vazhdueshme dhe se bashkatdhetarët po trajtohen kryesisht si rezervuar votash.

“Ju diasporën e shihni vetëm si votë dhe si monedhë. Për gjashtë vjet asnjëherë nuk është sjellë ligji për diasporën për diskutim”, – deklaroi Musliu-Shoshi.

Ajo paraqiti edhe prioritetet ekonomike të PDK-së, duke përmendur rritjen e pagave në sektorin publik për 50 për qind, rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, heqjen e tatimit për pagat deri në 500 euro dhe largimin e TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike.

Ndërkohë, Kuqi kritikoi si qeverinë ashtu edhe opozitën tradicionale, duke thënë se debati politik në Kosovë është reduktuar në çështje infrastrukturore dhe të sigurisë, ndërsa tema si arsimi, shëndetësia dhe barazia gjinore mbesin në plan të dytë.

Sipas saj, pushteti aktual po investon në rritjen e kapaciteteve ushtarake, ndërsa opozita vazhdon të mburret me projektet infrastrukturore të së kaluarës, pa ofruar zgjidhje për problemet sociale.

“Politika është reduktuar në asfalt edhe në ushtri. Një pushtet i cili këqyr qysh me e mbajt vendin pak në ankth të rrezikut, ai pushtet nuk bën kurrgjë për gratë”, – tha Kuçi.

Ajo kritikoi edhe mënyrën se si trajtohet diaspora nga partitë politike, duke akuzuar si pushtetin ashtu edhe opozitën për instrumentalizim politik të bashkatdhetarëve.

Gashi mbrojti qasjen e qeverisë, duke thënë se mbështetja e vazhdueshme që ajo merr nga mërgata lidhet me rezultatet që qytetarët po i shohin në jetën e përditshme.

“Ata po e shohin që familjet e veta po jetojnë shumë më mirë dhe po shohin që kanë arsye me votuar këtë qeveri, sepse është duke kryer punë dhe është duke mbështetur familjet”, – deklaroi Gashi.

Përplasja ndërmjet PSD-së dhe PDK-së vazhdoi edhe gjatë diskutimit për përgjegjësinë politike në ngritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Ariana Musliu-Shoshi reagoi ndaj kritikave të Natyra Kuçit, duke argumentuar se PSD-ja dhe ish-aktivistët e Vetëvendosjes kanë kontribuar më shumë se kushdo tjetër në fuqizimin politik të Albin Kurtit gjatë viteve të opozitarizmit.

Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë vazhdimisht kundër kauzave dhe metodave politike të Vetëvendosjes, ndërsa ish-bashkëpunëtorët e Kurtit janë ata që i kanë hapur rrugë ardhjes së tij në pushtet.

“Nëse dikush i ka ndihmuar Albin Kurtit me ardhë në pushtet, jeni ju. Nuk i kemi besuar Albinit asnjëherë në kauzat e tij dhe asnjëherë nuk kemi me i besuar përderisa e ka këtë qasje”, – deklaroi Musliu-Shoshi.

Kuqi nuk e mohoi të kaluarën e saj në Vetëvendosje. Përkundrazi, ajo tha se vazhdon të ndihet krenare për angazhimin e saj politik në periudhën kur, sipas saj, lëvizja përfaqësonte aktivizëm qytetar dhe kundërshtim ndaj qeverisjes së pasluftës.

Megjithatë, ajo argumentoi se dallimi mes PSD-së dhe partive të tjera qëndron te fakti se PSD-ja, sipas saj, u largua nga Vetëvendosja në momentin kur pa shenja të autoritarizmit dhe kultit të individit.

“Atëherë, PSD-ja edhe unë kemi qenë Vetëvendosje dhe shumë mirë që kemi qenë. Jam tepër krenare. Çfarë më dallon mua prej PDK-së e prej LDK-së është që ne kemi dalë kur Vetëvendosja po shkonte drejt autoritarizmit dhe kultit të individit”, – tha Kuqi.

Ajo akuzoi partitë tradicionale se kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen sa herë që një mundësi e tillë ka qenë politikisht e leverdishme, ndërsa e paraqiti PSD-në si subjektin e vetëm që, sipas saj, ka mbajtur qëndrim të pandryshuar kundër qeverisë aktuale.

Debati më pas u zhvendos te çështja e korrupsionit dhe përgjegjësisë institucionale.

Musliu-Shoshi tha se akuzat politike duhet të mbështeten në fakte dhe të adresohen në organet e drejtësisë.

“Nëse ke argumente që dikush e ka keqpërdorur pushtetin ose ka qenë i korruptuar, ti si aktiviste duhesh me i mbledhur ato fakte dhe me i çu në prokurori aty ku është vendi”, – deklaroi ajo.

Përplasja vazhdoi edhe për çështjen e diasporës, ku Musliu-Shoshi akuzoi qeverinë aktuale se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për përfshirjen e bashkatdhetarëve në zhvillimin e vendit, përveç mobilizimit të tyre gjatë proceseve zgjedhore.

Ajo tha se mungesa e Ligjit për Diasporën, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, tregon qasjen e qeverisë ndaj këtij komuniteti.

“Çka kanë bërë për diasporën, përveç që i ftojnë dhe u thonë: ‘Votoni Lëvizjen Vetëvendosje’?”, – pyeti ajo.

Në anën tjetër, Nita Gashi mbrojti punën e qeverisë dhe kundërshtoi pretendimet se diaspora po manipulohet politikisht.

Sipas saj, mbështetja e mërgatës për qeverinë lidhet me përmirësimet që, sipas saj, qytetarët po i shohin në jetën e përditshme.

“Ata po e shohin që familjet e veta po jetojnë më mirë dhe po shohin që kanë arsye me votuar këtë qeveri”, tha Gashi.

Megjithëse vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë më të diplomuara se burrat, një numër i madh prej tyre mbeten jashtë tregut të punës, shpesh për shkak të barrës së kujdesit për fëmijët, mungesës së çerdheve dhe mungesës së mësimit gjithëditor.

Musliu-Shoshi tha se shumë gra në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim që në momentin e aplikimit për punë.

Ajo tregoi se gjatë punës së saj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ka pranuar vazhdimisht ankesa nga gra të reja që ndihen të penalizuara nga punëdhënësit për shkak të mundësisë së krijimit të familjes.

“Është fatkeqësi që sot gruaja në Kosovë duhet të zgjedhë në mes të karrierës edhe familjes. Kemi marrë jashtëzakonisht shumë ankesa nga gratë dhe vajzat e reja që përballen me këtë problematikë”, – tha Musliu-Shoshi.

Nga ana tjetër, Nita Gashi e vendosi theksin te programet e punësimit dhe fuqizimit ekonomik të grave, duke përmendur platformën “Superpuna” dhe grantet për gratë ndërmarrëse si instrumente që, sipas saj, do të ndihmojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Ajo tha se ndërtimi i çerdheve mbetet një nga kushtet kryesore për pavarësimin ekonomik të grave.

“Gratë po fuqizohen, grave po u jepet mundësia për me u punësuar. Çerdhet do t’i ndërtojmë dhe gratë do të kenë mundësi me i çu fëmijët e tyre aty, në mënyrë që të kenë jetën dhe pavarësinë e tyre”, – deklaroi Gashi.

E pyetur për mësimin gjithëditor, një masë që konsiderohet e rëndësishme për lehtësimin e barrës së kujdesit ndaj fëmijëve, Gashi tha se kjo çështje vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve, por nuk mori përsipër të japë një zotim konkret në emër të Vetëvendosjes.

Ndërkohë, Natyra Kuqi tha se PSD-ja e sheh mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve si prioritet kryesor opozitar, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë si ndërtimtaria.

Ajo kritikoi qeverinë për mungesën e inspektorëve të punës dhe për numrin e madh të aksidenteve fatale në vendin e punës gjatë mandatit aktual.

“I kemi vetëm 50 inspektorë të punës, ndërkohë që kemi pasur dhjetëra vdekje në vendin e punës. Kjo tregon se sa pak vëmendje i është kushtuar sigurisë së punëtorëve”, – tha Kuqi.

Sipas saj, krahas mbështetjes sociale, qeveria duhet të krijojë politika lehtësuese për kompanitë private që punësojnë gra, në mënyrë që pjesëmarrja e grave në tregun e punës të mos mbetet vetëm një premtim elektoral.

Të dielën, më 7 qershor 2026, Kosova shkon në zgjedhje parlamentare.

Ekipi i KALLXO.com do të jetë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor në të gjithë vendin.

Për çdo parregullsi që mund të hasni gjatë ditës së votimit, mund të kontaktoni KALLXO.com përmes numrit të telefonit ose platformave tona të raportimit.