Qendra Komunale e Numërimit - Prishtinë Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com
KQZ arsyeton vendimin për emërimin e shqiptarëve si kryesues të KKZ-ve në katër komunat me shumicë serbe në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në katër komunat veriore ka caktuar katër shqiptarë si Kryesues të Komisioneve Komunale zgjedhore pavarësisht se këto komuna janë me shumicë serbe.
Këtë vendim për komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, KQZ e mori më 22.05.2026.
Në vendimin e KQZ-së thuhet se mandati i të emëruarve përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Zoran Saviq, nga Organizata Joqeveritare AKTIV që vepron në Mitrovicën e Veriut, për KALLXO.com ka thënë se në vetvete ky vendim i KQZ-së nuk përbën shkelje ligjore por problemi nuk është çështja ligjore në këtë rast.
Ai konsideron se KQZ përveç se duhet të jetë e paanshme, duhet t’i bësoj komunitetit në të cilin operon. Për këtë arsye, Saviq konsideron se publiku ka të drejtë të dijë kriteret që u vendosën për këtë proces përzgjedhjeje, se a aplikuan pjesëtarë të komunitetit serb, sa kandidatë ishin, a i plotësuan kriteret e kërkuara dhe pse nuk u zgjodhën ata.
“Në këtë kontekst ku besimi ne procesin elektoral është fragjil, sidomos në veriun e Kosovës, transparenca është thelbësore. Nëse emërimet u bënë në baza të qarta dhe kritere objektive, nuk ka arsye që KQZ të mos dalë me një spjegim publik që e justifikon vendimin”- ka thënë Saviq.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me KQZ-në për të marrë më shumë informacione rreth vendimit.
Në përgjigje me shkrim nga ky institucion kanë thënë se para zgjedhjeve të vitit 2025, KQZ kishte hapur konkurs për angazhimin e zyrtarëve ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Megjithatë, KQZ ka treguar se konkursi ka dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve të suksesshëm.
Për shkak të kësaj rrethane, KQZ shpjegon se në proceset zgjedhore të vitit të kaluar ka angazhuar staf të përkohshëm në këto pozita në këto komuna.
“Për shkak të kohës së shkurtër në organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit, KQZ ka vepruar njësoj, duke hapur konkurs për angazhim të përkohshëm të ZEKKZ, në komunat tjera ku ende nuk është rekrutuar zyrtari i përhershëm i KKZ-së.”- thuhet në përgjigjen me shkrim të KQZ-së.
KQZ tutje ka thënë se për zgjedhjet që do të mbahen më 07.06.2026 dy herë është hapur konkursi për Zyrtarë të përkohshëm Ekzekutivë të Komisioneve Komunale Zgjedhore por që nuk janë përmbyllur me sukses.
“Arsyeja e mospërzgjedhjeve së ndonjërit prej aplikuesve, të cilët vinin nga komunitete të ndryshme, ka ardhur për shkak të mosplotësimit të kritereve të kërkuara në konkurs apo moskalimit të fazës së verifikimit, në të cilën shqyrtohen dokumentet e dorëzuara në aplikim. Në rastet kur aplikuesit kanë kaluar këtë fazë, të njëjtit nuk kanë arriur të sigurojnë pikët e mjaftueshme në fazën e vlerësimit në intervistë për t’u shpallur kandidat fitues.“- thuhet në përgjigjen e KQZ-së
Ndonëse konsideron se shumica e qytetarëve me gjasë edhe nuk janë në dijeni për vendimin dhe ky nuk është ndonjëri nga problemet kryesore të votuesve, Saviq nga Aktiv ka thënë se edhe vet procesi elektoral mes serbëve dhe shqiptarëve si komunitete dallon.
“Modelet e votimit ndikohen shumë nga strukturat politike dhe institucionale, veçanërisht duke pasur parasysh që një numër i madh votuesish janë të punësuar ose të lidhur në forma të ndryshme me institucionet e financuara nga Serbia.”- deklaroi Saviq.
Shqetësuese sipas Saviqit për komunitetin serb është zgjedhja e limituar e votuesve të këtij komuniteti. Kjo pasi që sipas tij, komuniteti efektivisht reprezentohet përmes dy opsioneve elektorale, Lista Serbe dhe ZSPO e Nenad Rashiqit.
“Shumë njerëz e përceptojnë këtë si zgjedhje mes Aleksadër Vuçiqit dhe Albin Kurtit sesa mes garës së programeve politike. Duke konsideruar politikat dhe vendimet e ndjekura nga të dyja palët në vitet e fundit, nuk është situatë inkurajuese për komunitetin serb”- shtoi Saviq.
Një spjegim sipas tij për vendimin e KQZ për emërimin e Kryesuesve të KKZ-së mund të jetë se reflektohet preferenca e partisë në pushtet, pra Lëvizjes Vetëvendosje, kjo për shkak edhe të shqetësimit për politizimin e KQZ-së.
Si OJQ, Saviq ka treguar se AKTIV nuk ka bërë ankesë zyrtare, derisa ka thënë se besojnë që partitë politike, veçanërisht ato që reprezentojnë komunitetin serb, do të duhej të ishin të parat që të ankimonin këtë vendim në rast se besojnë se ky vendim dëmton procesin.
“Roli ynë ka qenë të tregojmë problemin dhe të thërrasim për më shumë transparencë. Ajo që është veçanërisht e habitshme është mungesa e reagimit si nga media ashtu edhe nga partitë politike. Kjo ngre një pyetje legjitime nëse kjo situatë perceptohet realisht si problematike nga vetë aktorët politikë serbë, apo nëse ata kanë zgjedhur të mos e sfidojnë atë (vendimin).”- ka thënë tutje Saviq.
KQZ në anën tjetër ka treguar se nuk kanë marrë ankesë për këtë vendim të tyrin.
Sipas vendimit që është publik, në Leposaviq Kryesues i KKZ-së është emëruar Nysret Rexha – zyrtar publik; në Zubin Potok është Nystret Veseli, po ashtu zyrtar publik; në Mitrovicë të Veriut zyrtari Faton Loshi dhe në Zveçan zyrtarja publike Resmije Haliti.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 07.06.2026 derisa fushata zgjedhore e filluar më 28.05.2026 përfundon në ditën e zgjedhjeve, në ora 06:59, një minut para hapjes së vendvotimeve.