Abdixhiku premton se me qeverisjen e LDK-së për tri vjet do të përfundohen rrugët ekzistuese

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se rrugët ekzistuese do të përfundohen brenda 3 viteve nëse qeverisë LDK-ja.

Faqja zyrtare e LDK-së në Facebook ka publikuar video nga një tubim elektoral në të cilin Abdixhiku ka përsëritur zotimet elektorale me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

“Nga Vushtrria përsëritëm zotimet tona zhvillimore: investime kapitale 5 miliardë euro, central me gaz amerikan, spital të ri, mësim tërëditor, rrugët ekzistuese do të përfundohen brenda 3 viteve” – thuhet në postimin e LDK-së, ndërsa dëgjohet Abdixhiku duke premtuar.

Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.

Sllogani i zgjedhjeve është “Kosova Voton”.