RTK /Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta, shkak "gjendja e rëndë financiare"

Tri sindikatat e mediumit publik në vend: Sindikata e Pavarur e RTK-së ( SPRTK), Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës (ShSRK), kanë mbajtur të premten, më 05.06.2026, një takim urgjent, ku është diskutuar lidhur me “gjendjen e rëndë financiare” të krijuar në këtë medium.

Përmes një komunikate të përbashkët, tri këto sindikata janë pajtuar që të fillohet me protesta nga e marta, duke filluar nga ora 12:00, para ndërtesës së RTK-së.

Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deritashëm, që sipas tyre, kanë pasur kohë më shumë se dy javë për të zgjidhur këtë problem.

“Mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe detyrimeve të përditshme familjare. Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre”- thuhet në komunikatë.

Për SPRTK, SPERTK dhe ShSRK, është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij.

“Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi”- thuhet në komunikatë.

Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës mbeten të vendosura në mbrojtje të pagave, vendeve të punës dhe dinjitetit të punëtorëve.

Kjo nuk është hera e parë që RTK-ja përballet me krizë financiare.

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës protestuan edhe në nëntor të vitit të kaluar duke kërkuar miratimin e buxhetit dhe alokimin e  pagave.