Pse SHBA-ja nuk ka nominuar ende ambasador në Kosovë?
Që nga fundi i vitit 2024, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësohen në Kosovë përmes të Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati. Ajo mori drejtimin e një prej misioneve më të rëndësishme diplomatike të një shteti aleat në vend, menjëherë pasi ish-ambasadori Jeff Hovenier përfundoi mandatin e tij të plotë në fund të po atij viti.
Më pak se një muaj pas përmbylljes së këtij mandati, më 21.01.2025, Donald Trump u inaugurua si President i SHBA-së, gjë që hapi rrugën për nisjen e procedurave të rregullta për nominimin e ambasadorëve të rinj amerikanë në mbarë botën.
Në këtë kuadër, Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë së fundmi hapa konkretë për ripërtëritjen e lidershipit të saj diplomatik, duke përfshirë edhe emërimet e para në disa shtete të Ballkanit Perëndimor.
Për dallim nga fqinjët si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina – që tashmë kanë emrat e tyre të nominuar, për Kosovën ende nuk ka ndonjë emër në listën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 01.06.2026.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka bërë të qartë se mungesa e një ambasadori të dekretuar nuk nënkupton mungesë të angazhimit, por gjithçka ndërlidhet me procedurat e rregullta në Uashington.
Ambasada e SHBA-së tha se “emërimet e ambasadorëve amerikanë kërkojnë si nominimin nga presidenti, ashtu edhe konfirmimin nga Senati, procese që mund të marrin kohë.”
Misioni diplomatik amerikan në Kosovë potencoi se mungesa e një ambasadori nuk nënkupton mungesë të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
“Qeveria e SHBA-së mbetet plotësisht e angazhuar dhe e përfshirë në të gjitha aspektet e partneritetit të saj me Kosovën”- shkruan në përgjigjen e ambasadës më 05.06.2026.
Ambasadori i fundit i dekretuar dhe me mandat të plotë në Kosovë ishte Jeff Hovenier. Pas tij, Prattipati, e cila kishte ardhur në Kosovë në korrik të vitit 2024 si Zëvendësshefe e Misionit, mori timonin e ambasadës automatikisht pas përfundimit të mandatit të ambasadorit të mëparshëm.
Hovenier u nominua nga presidenti Joe Biden në verën e vitit 2021 dhe filloi zyrtarisht detyrën e tij në Prishtinë në janar të vitit 2022. Ai shërbeu gjatë një periudhe me tensione të larta politike dhe dinamika të ngjeshura të dialogut Kosovë-Serbi.
Sidoqoftë, ne shtetet e Ballkanit Perëndimor u nominuan Peter McCoy, nga Karolina e Jugut, në Malin e Zi. Ronald Johnson, nga Masaçusetsi, ambasador në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe, Michael Young, nga Jutahu, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Serbisë. Në fund të majit të këtij viti, për Shqipëri u nominua Eric Wendt.
Administrata e Presidentit Donald Trump dhe Departamenti i Shtetit, nën udhëheqjen e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, janë ende në proces të rishikimit dhe përzgjedhjes së diplomatëve për pozicionet kyçe globale.
Hapi i radhës procedural për të gjithë emrat e nominuar kalon përmes Senatit të SHBA-ve, pasi sipas Kushtetutës amerikane, Presidenti nuk mund të emërojë zyrtarisht një ambasador pa marrë “këshillën dhe pëlqimin” e Senatit.
Nëse Komiteti e aprovon, emri i kalon seancës plenare të Senatit të SHBA-së.
Aty duhet shumicë e thjeshtë votash (51 vota) nga të gjithë senatorët për t’u konfirmuar. Pasi Senati jep dritën jeshile, njoftohet Shtëpia e Bardhë.
Presidenti nënshkruan dokumentin zyrtar të emërimit.