Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PZAP anulon vendimin e KQZ-së: Në përfaqësitë diplomatike s'lejohet votimi me dokumente të skaduara

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka anuluar të premten, më 05.06.2026, vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për lejimin e votimit të diasporës me dokumente të skaduara të Kosovës.

Vendimi për anulimin e vendimit të datës 03.06.2026, u mor pas një ankese të parashtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas vendimit, në ankesë pretendohet se vendimi i KQZ-së është nxjerrë në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e parashtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me numër ZP.Anr.19/2026, anulohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”- thuhet në vendim.

“Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizem në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar. Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i parëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies se mundësisë për te votuar”, qartëson PZAP në vendim.

Këtë vendim, PZAP e mori pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës.

Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.