Pjesëtarë të FSK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, përvjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Me këtë rast, u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sakrifica e gjithë brezave që luftuan e u flijuan për atdhe.
Homazhet janë pjesë e aktivitetit solemn për të kujtuar kontributin historik të komandantit Adem Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë.
Më 27.11.2025, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u shënua “Dita e Forcës” e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Qytetarë nga e gjithë Kosova vizituan kazermën, ku panë nga afër ushtarët dhe lloje të ndryshme të armatimit që përdor FSK-ja. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

