LDK, Zyret , Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
LDK dënohet me 5 mijë euro për përfshirjen e fëmijëve në fushatë zgjedhore
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 5 mijë euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës për përfshirjen e fëmijëve në fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit.
Vendimi i PZAP për dënimin e LDK-së, erdhi pas ankesave të bëra nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja Vetëvendosje!
LDK detyrohet që gjobën e shqiptuar ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit të PZAP-së.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për tubimin zgjedhor që LDK-ja e mbajti më 3 qershor 2026 në Viti.
Paneli pas shqyrtimit të provave ka konstatuar se në këtë tubim ka marrë pjesë edhe një fëmijë i mitur (vajzë), e cila është ngjitur në skenë dhe ka mbajtur flamurin e LDK-së. Ky veprim, sipas PZAP-së, bie kundërshtim me dispozitat ligjore të nenin 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore nr.07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
Më herët PZAP pat dënuar LVV-në me 5 100 euro po për përfshirje të fëmijëve në fushatë zgjedhore.
Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata.