Abdixhiku premton ndërtimin e centralit me gaz amerikan në Ferizaj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka premtuar ‘fundin e varësisë’ nga importi i shtrenjtë i energjisë me ndërtimin e centralit me gaz amerikan.
Duke iu referuar një tubimi elektoral në Ferizaj, ai tha se atje ka folur për një nga projektet më strategjike për vendin dhe se si ky qytet do të bëhet sinonim i zhvillimit energjetik dhe industrial të Kosovës.
“Në Ferizaj folëm edhe për një nga projektet më strategjike për vendin: centralin me gaz amerikan, që do të ndërtohet pikërisht në këtë qytet. Një investim jetik për sigurinë energjetike të Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe për t’i dhënë fund varësisë nga importi i shtrenjtë i energjisë. Ferizaj do të bëhet sinonim i zhvillimit energjetik dhe industrial të Kosovës” – thuhet në postimin e Abdixhikut në Facebook.
Gjatë ditës, ai ka vizituar Kurrizin në Prishtinë, ku qytetarëve dhe bizneseve u është shpërndarë programi i LDK-së me 113 zotime.
Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.