Viti i pandemisë, bie numri i vdekjeve në trafik

Me 13 mars të vitit 2020 u raportua për rastin e parë në Kosovë të infektuar me COVID-19. Duke u rritur raste, Qeveria e Kosovës ndërmori masa kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit.

Në kuadër të këtyre masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ishte edhe ndalimit i qarkullimit, i cili zgjati rreth dy muaj. E gjatë tërë muajve ka pasur kufizim të lëvizjes në disa qytete në orë të caktuar.

Kufizimi i qarkullimit dhe mbyllja totale ka ndikuar që numri i aksidenteve në vitin 2020 të shënoj rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Së në këtë rënie të numrit të aksidenteve ka ndikuar pandemia, e sidomos atyre me pasoja fatale e thotë edhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale në vazhdimësi angazhohet për një siguri më të madhe në trafik. Falë angazhimeve policore dhe sensibilizimit të qytetarëve drejt respektimit të shenjave në trafik, si dhe zvogëlimit të qarkullit e cila ka qenë pjesë gjatë pandemisë, janë arritur rezultate pozitive në rënien e aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë për KALLXO.com.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2020 kanë ndodhur 2 mijë e 576 aksidente më pak sesa vitin 2019.

Në bazë të statistikave të deritanishme, numri total i aksidenteve të trafikut në periudhën janar- dhjetor 2020, është 11 mijë e 976 aksidente, ndërsa në po të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar kanë ndodhure 14 mijë e 552.

Si pasojë e këtyre aksidenteve, 72 persona kanë humbur jetën gjatë këtij viti.

Në bazë të statistikave ka shënuar ulje edhe numri i personave të vdekur dhe aksidenteve me fatalitet, pasi që gjatë vitit 2019 në 90 aksidente trafiku me fatalitet, kanë vdekur gjithsej 103 persona.

Edhe aksidentet me lëndime kanë pësuar rënie në vitin 2020, pasi që në periudhën janar- dhjetor 2020 kanë ndodhur 4 mijë e 711 aksident, ku kanë pësuar lëndime trupore 8 mijë e 814 persona.

Gjatë vitit 2019  në periudhën janar- dhjetor kanë ndodhur 5 mijë e 559 aksidente.
Në bazë të statistikave të policisë, në vitin 2020 kanë ndodhur 7 mijë e 198 aksidente trafiku me dëme materiale, ndërsa vitin paraprakë kanë ndodhur 1 mijë e 705 aksidente më pak se këtë vit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për aksidentet e trafikuar të cilat kanë ndodhur në vendin tonë.

Muaji janar të vitit 2020 kishte filluar me një aksident trafiku, në të cilin kishte vdekur një pasagjer në Prizren.

Policia kishte bërë të ditur se vetura ishte përplasur në një mur, dhe si pasojë pasagjeri ka vdekur.

Tre persona të tjerë, vdiqën ne fund të muajit mars, në një aksident të rëndë trafiku i cili ndodhi në autostradën Prishtinë-Shkup, në pjesën afër fshatit Babush të Ferizajt.

KALLXO.com kishte raportuar se në këtë aksident u përfshinë tri vetura.

Në vitin 2020, në aksident trafiku ka vdekur edhe një vajzë 7 vjeçare. KALLXO.com me 23 gusht kishte raportuar se një vajzë 7 vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksidenti që kishte ndodhur në fshatin Kllodernicë të Skenderajt.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se personi që dyshohet se kishte goditur të miturën ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Por, një ditë më vonë, i dyshuari është vetë-paraqitur në stacion policor.

Një aksident në të cilin u përfshinë një kamion dhe një kamionet, përfundoj me dy persona të vdekur.

KALLXO.com kishte raportuar se aksidenti kishte ndodhur me 7 gusht në fshatin Arllat të Drenasit.

Me 11 tetor, KALLXO.com kishte raportuar për një aksident jo të zakonshëm, në të cilin një i mitur kishte goditur për vdekje një fëmijë.

Aksidenti i cili kishte përfunduar me fatalitet kishte ndodhur në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, në të cilin sipas policisë i mituri derisa kishte drejtuar veturën duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës kishte goditur një fëmijë, i cili si pasojë kishte vdekur.

Jetën në aksident trafiku këtë vit e humbi edhe një 17 vjeçar në fshatin Shupkovc të Mitrovicës.

KALLXO.com kishte raportuar me 10 korrik se deri tek aksidenti kishte ardhur si pasojë e vozitjes së shpejtë ku drejtuesi i automjetit kishte humbur kontrollin mbi automjetin, duke dalë jashtë kontrollit dhe i njëjti ishte rrokullisur poshtë urës dhe ishte përfshi nga zjarri.

Në këtë aksident, pasagjeri kishte arritur të dal nga automjetit kurse vozitësi kishte mbetur brenda automjetit.

KALLXO.com ka raportuar edhe për rastet kur janë shpërndarë lajme të rreme për aksidente të trafikut më fatalitet.

Një i tillë ndodhi me 16 shtator, kur një faqe në rrjetin social Facebook kishte shpërndarë një lajm në të cilin kishte shkruar se për shkak të një aksidenti në Fushë Kosovë një fëmijë ka vdekur.

“Sot në mëngjes, në Fushë Kosovë, duke shkuar në shkollë, një fëmijë u godit nga një makinë dhe humbi jetën. Tash seriozisht është koha që t’i vendosim këto produkte në çdo tejkalim dhe rreth shkollave. Produkti anti- rrëshqitës që i ndalon veturat 40% më shpejtë”, thuhej në postimin e Kosovo Road Safety.

Këtij përshkrimi i ishin bashkangjitur disa fotografi me disa pajisje të cilat vendoset në zonat e rrezikshme rrugore ose në afërsi të shkollave të cilat sinjalizojnë fëmijët në rrugë.

KALLXO.com më pas kishte kërkuar nga Policia e Kosovës të dijë nëse një rast i tillë kishte ndodhur por një aksident me fatalitet ashtu siç ishte përshkruar në faqen në Facebook, sipas policisë në Prishtinë nuk ishte raportuar.

Pandemia në vendin tonë nuk ndikoj vetëm në uljen e numrit të aksidenteve gjatë këtij viti në vendin tonë, pasi që kjo ndodhi edhe në fusha të tjera të Policisë së Kosovës.

Në bazë të statistikave, edhe numri i gjobave të shqiptuara për qytetarët për kundërvajtje të ndryshme ka shënuar ulje në krahasim me vitin e kaluar pasi që këtë vit janë shqiptuar 75 mijë e 877 gjoba më pak se vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2019, Policia ka bërë të ditur se ka shqiptuar gjithsej 411 mijë e 127 gjoba, ndërsa gjatë këtij viti, nga Policia e Kosovës janë shqiptuar gjithsej 335 mijë e 250 gjoba.