I akuzuari, Enver Sekiraqa - 11 korrik 2023, Foto: Aulona Alaj/ KALLXO.com
Në seancën përfundimtare, Enver Sekiraqa përsërit se Triumf Riza ia shpëtoi jetën në incidentin në "Swiss Casino"
Në Gjykatën e Prishtinës ka prekur fundin rigjykimi i Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, vrasje që ka ndodhur në vitin 2007.
Në seancën e së hënës (29.04.2024) përveç fjalëve përfundimtare, për herë të dytë gjatë kësaj procedure ka dhënë mbrojtjen i akuzuari, por sot duke iu përgjigjur vetëm pyetjeve të trupit gjykues.
Anëtari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, e ballafaqoi Sekiraqën me deklaratën e tij, e cila, sipas gjyqtarit, bie në kundërshtim me dëshminë e dëshmitarit të ftuar nga mbrojtja, Gjon Kqira.
Gjon Kqira e dha dëshminë e tij në seancën e fundit më 21.03.2024, kur kishte dhënë versionin e tij për incidentin e pretenduar në “Swiss Casinos”, ku, siç pretendoi ai, Trumf Riza dhe Arben Selmanaj e kishin rrahur Enver Sekiraqën deri në alivanosje.
Ndërkaq, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij Sekiraqa kishte mohuar të ketë pasur ndonjë konflikt me Triumf Rizën.
Lidhur me këtë pyetje Sekiraqa deklaroi se Arben Selmanaj e kishte goditur me revole në kokë, me ç’rast e kishte humbur vetëdijen e se nga plumbat Triumf Riza i kishte shpëtuar jetën.
“Arben Selmanaj m’ka ra mua me revole në kokë, mbrapa, mandej unë jam kanë pa vetëdije, aty çka u bë nuk e di, veç kur e kam pa veten në spital. Unë prej plumbave kam thënë se ma ka shpëtu Triumfi jetën, më ka ngreh prapa shankut” – tha Enver Sekiraqa.
Në këtë kontekst, anëtarja e trupit gjykues Medije Bytyqi e pyeti se a i kishte falur Triumf Rizën dhe Arben Selmanajn.
E Sekiraqa deklaroi se e kishte mbyllur atë kapitull.
Pas mbrojtjes, gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.
Fillimisht, djalën përfundimtare e dha prokurori i Prokurorisë Speciale, Burim Qerkini.
I njëjti në fjalën e tij kërkoi që Sekiraqa të shpallet fajtor e të dënohet, kurse si rrethanë rënduese propozoi që të merret fakti se i akuzuari ka të kaluar kriminale.
Gjatë deklarimit të tij, prokurori Qerkini elaboroi prova materiale e dëshmi të dëshmitarëve, në të cilat Prokuroria ka bazuar aktakuzën që i vë në barrë Sekiraqës.
“Konsiderojmë se këto dëshmi të dëshmitarëve dhe prova teknike janë në përputhshmëri të plotë me njëra-tjetrën, vërtetojnë angazhimin e grupit dhe vërtetojnë se Enver Sekiraqa ishte udhëheqës i këtij grupi” – tha prokurori Qerkini.
Tutje fjalën e mori mbrojtja e të akuzuarit Sekiraqa.
Avokatja Kosovare Kelmendi mohoi se i mbrojturi i saj kishte pasur motiv vrasjen e Triumf Rizës dhe mohoi ekzistencën e grupit që përmendi prokurori.
“Provat e administruara gjatë këtij procesi vërtetuan se motivi i supozuar i Enver Sekiraqës për ta vrarë Triumf Rizën e ndjerë nuk ka ekzistuar sikurse nuk ka ekzistu as grupi kriminal i supozuar i prokurorisë” – tha avokatja Kelmendi.
“Sipas opinionit tim dhe bazuar në të lartcekurat veprimet e supozuara e inkriminuese të Sekiraqës të përshkruara në aktakuzë nuk formësojnë veprën penale e cila i vihet në barrë” – shtoi tutje avokatja.
Ndërkaq Sekiraqa e mbështeti në tërësi atë çka deklaroi mbrojtësja e tij.
Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Agim Kuqi dhe me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.
Kujtojmë që Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.
Herën e parë (17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.
Polici Triumf Riza është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.
Për vrasjen e tij është gjykuar dhe dënuar me burgim Arben Berisha.