Rrena në Facebook se pati aksident me fatalitet në Fushë Kosovë

Një faqe në rrjetin social Facebook gjatë ditës së sotme ka shpërndarë një lajm në të cilin ka shkruar se për shkak të një aksidenti në Fushë Kosovë një fëmijë ka vdekur.

“Sot në mëngjes, në Fushë Kosovë, duke shkuar në shkollë, një fëmijë u godit nga një makinë dhe humbi jetën. Tash seriozisht është koha që t’i vendosim këto produkte në çdo tejkalim dhe rreth shkollave. Produkti anti- rrëshqitës që i ndalon veturat 40% më shpejtë”, thuhet në postimin e Kosovo Road Safety.

Këtij përshkrimi i janë bashkangjitur disa fotografi me disa pajisje të cilat vendoset në zonat e rrezikshme rrugore ose në afërsi të shkollave të cilat sinjalizojnë fëmijët në rrugë.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dijë nëse një rast i tillë ka ndodhur por një aksident me fatalitet ashtu siç është përshkruar në faqen në Facebook, sipas policisë në Prishtinë nuk është raportuar.

Ky njoftim me përshkrimin e aksidentit më pas është larguar nga faqja Kosovo Road Safety në Facebook.

Faqja në Facebook e cila ka shpërndarë informacionin për aksidentin me fatalitet në Fushë Kosovë, Foto: Facebook/ Kosovo Road Safety