Gjykata dënon me 4 vite burgim Dardan Krivaçën për një grabitje të vitit 2012

Me katër vite burg është dënuar Dardan Krivaça nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kryerjen e veprës penale ‘grabitje’, që sipas Gjykatës kishte ndodhur më 14.12.2012, rreth orës 04:50 të mëngjesit.

Grabitja kishte ndodhur në një kazino në qytetin e Ferizajt.

Në njoftimin e gjykatës për dënim thuhet se Krivaça në bashkëkryerje kishte grabitur 1 mijë e 500 euro, ndërsa të njëjtit kishin kanosur një person.

“I pandehuri D.K., është shpallur fajtor sepse me datë 14 dhjetor 2012 rreth orës 04:50, në kazino “K.”, në rr. “…”, në Ferizaj me qellim te përvetësimit të pasurisë se huaj të luajtshme e qe vetes ti sjellin dobi pasurore te kundërligjshme, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me përdorimin e kanosjes serioze kundër personit tjetër, ku i pandehuri i parë ka bërë roje, kurse dy të pandehurit tjerë të maskuar, njëri me revole në dorë, kurse tjetri me një thikë, kanë hyrë brenda në kazino, kanë kërkuar nga personat të cilët ishin aty që të ulen në gjunjë, kurse nga i dëmtuari F.I., kanë kërkuar paratë dhe nga arka kanë marr 1.500 € dhe largohen në drejtim të panjohur”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Në gusht të vitit 2023, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit dhe me 15 vite burgim Arbër Sejdiun, por më 23.02.2024 Gjykata e Apelit ka anulur aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit dhe ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.

Më 22.08.2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

Shënim: Artikulli është edituar më 29.04.2024, ora 17:17. Artikulli është edituar tek vitet ku është kryer vepra.

‘Ne nuk harrojmë’, protestë kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit – VIDEO