Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani bëri homazhe në Vërboc dhe Shtuticë në nderim të 280 martirëve dhe 43 dëshmorëve

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Vërboc dhe Shtuticë në 25- vjetorin e masakrave në këto dy fshatra dhe në fshatrat përreth: Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar, ku forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 30 prill 1999 vranë mizorisht 280 civilë shqiptarë.

“Sa më afër lirisë, brutaliteti i forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë rritej e manifestohej në mënyrën më çnjerëzore, ndaj në ofensivën e tyre vranë 280 banorë të kësaj ane vetëm pse ishin shqiptarë. Në mbrojtje të popullsisë civile u vunë vajza e djem të UÇK-së, në krye me komandant Ilaz Kodrën. Përballë egërsisë së regjimit kriminal, Ilazi me 42 bashkëluftëtarë qëndruan me guxim dhe vendosmëri deri në flijim. Ata ranë në fushë të betejës, duke u bërë të pavdekshëm”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ilaz Kodra, sipas saj, mbetet shembull i luftëtarit me kauzë, i cili fatin e popullit të tij e vendosi mbi fatin personal, ndaj edhe është hero.

“Ai [Ilaz Kodra] do të mbetet udhërrëfyes për brezat dhe sikurse atëherë që ishte gardian i popullsisë civile nga regjimi gjenocidal i Serbisë, sot është gardian i lirisë dhe shtetit tonë bashkë me heronjtë e tjerë të UÇK-së’’, është shprehur Osmani.

E para e shtetit tha se sakrifica e heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së, nuk do të harrohet kurrë, ndërkaq guximi i tyre do të mbahet mend gjithmonë.