'Lavatriçe e etikës' - Aksion i ORCA-s para Rektoratit të UP-së
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim zhvilloi një aksion simbolik para Rekoratit të Universitetit të Prishtinës.
Aty, ORCA “përuroi një monument” për Këshillin e Etikës së UP-së.
“Monumenti” i ORCA-s për Këshillin e Etikës ishte një lavatriçe.
Dibran Hoxha nga kjo organizatë tha se lavatriçja e vendosur para Rektoratit është “e ndryshkur, e lodht, e thyme, e zbrazët, që nuk mundet me i kry funksionet e veta, që nuk lanë por flliqë”.
Sipas tij edhe Këshilli i Etikës në UP për vite ka provuar me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e Kodit të Etikës dhe integritetit akademik në këtë Universitet.
Hoxha përmendi rastin e profesorëve Bujar Dugolli e Ardian Kastrati të cilët u dënuan nga Këshilli i Etikës për plagjiaturë.
Ai thotë se ndalimi dy vjeçar i mentorimit të kandidatëve për master e doktoraturë, për Dugollin e Kastratin pushon sepse kanë kaluar dy vjet.
Tutje ai përmendi rastin e profesorit Ilir Tolaj, rast i cili u mundua të shpërlahej sipas tij.
Hoxha tha se Këshilli i Etikës si ekspertë caktoi dy bashkautorë të tij në punime të ndryshme e të cilët konstatuan se citimet, referencat e fusnotat e Tolajt ishin në rregull.
“E vërtetë që ato ishin në rregull, sepse autori i huaj nga i cili ishin kopjuar e kishte bërë mirë punën e tij”- deklaroi Hoxha.
Sipas tij “lavatriçja po mundohet ta luaj budallën” në rastin e Selim Bezerajt i cili është pjesë e Këshillit Drejtues.
“Arsyetohen se plagjiatura e tij ka ndodhë në Universitetin e Tiranës, lavatriçja nuk paska mundësi të marrë vendim për të”- tha tutje Hoxha.
Edhe rasti i profesorit Xhevat Krasniqi u përmend nga Hoxha. Ai tha se Këshilli i Etikës “u mundua ta çojë në gjyqësorin joefikas të Kosovës rastin për ta përfunduar si procedurë në UP”.
ORCA kërkoi që edhe Qeveria të përcaktohet qartë nëse është në krah të vajzave dhe grave.
Sipas tyre Qeveria duhet të marrë veprime konkrete për të mos lejuar Universitetin të shkojë “në një drejtim të errët”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi më 23.4.2024 e ka pezulluar nga puna profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.
Pezullimin nga puna të profesorit Krasniqi, rektori e ka bërë pas rekomandimit të Këshillit të Etikës së UP-së.
Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhet se KE e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
Pezullohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi, i raportuar për ngacmim seksual
Raportimet e KALLXO për rastin e profesorit të raportuar për ngacmime seksuale – LINK