Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Vitia fajëson pandeminë për mosrealizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor dhe sigurimeve shëndetësore

Funksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) dhe sigurimeve shëndetësore, si dy prej elementeve kyçe në shëndetësi vazhdojnë të mbesin vetëm premtime të dhëna ndër vite nga qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, Arben Vitia kishte premtuar se SISh-i do të finalizohej brenda dy viteve e sigurimet shëndetësore për katër vite.

Pas më shumë se 3 vitesh qeverisje nga Qeveria Kurti, në dy mandate të ndryshme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se deri në fund të mandatit, SISh-i do të jetë në fazë të parë të zbatimit. E pa finalizimin e kësaj, sigurimet shëndetësore, sipas Vitisë nuk do të mund të funksiononin.

Arsyetimi i tij kryesor për mospërmbushjen e këtyre premtimeve është pandemia COVID-19.

Çka premtonte Qeveria Kurti 1?

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, gjatë prezantimit të programit të Albin Kurtit, atëherë kandidat për kryeministër, në emisionin Debat Përnime, Arben Vitia, kishte premtuar se sigurimet shëndetësore do të kryheshin në vitin 2023, e ato do të parapriheshin nga Sistemi Informativ Shëndetësor që do të përfundonte brenda dy viteve.

“Sigurimet shëndetësore do të kryhen në vitin 2023. Është optimale në 2022 por problemet e qeverive parapake do të vonojnë. Kjo do të fillojë në ditën kur të marrë qeverinë Albin Kurti” – kishte thënë Vitia më 26.09.2019.

“Kjo duhet të paraprihet me dy kushte kryesore të cilat janë Sistemi Informativ Shëndetësor dhe protokollet shëndetësore, pa këto dyja nuk do të ketë sigurime shëndetësore. Brenda dy viteve do të bëhet Sistemi Informativ Shëndetësor, me shumë më pak miliona se që janë keqpërdorë në qeverisjet e kalune. Do të bëhet një sistem informativ qysh i ka hije” – pati shtuar ai.

Duke qenë se kishte udhëhequr shëndetësinë në Kryeqytet, ai pati përmendur se e vetmja komunë ku ky sistem kishte pasur sukses ka qenë Prishtina. Kjo sipas Vitisë ka vërtetuar që nuk ka qenë problemi te sistemi, por te vullneti.

Ndryshe nga debati i parë zgjedhor, në të dytin nuk ishte dhënë një datë për përfundimin e tyre. Jeta Statovci, deputete e Vetëvendosjes kishte thënë se këto të dyja do të ishin fokus gjatë mandatit.

“Pandemia ndërroi prioritetet”

Fokusi në menaxhimin e pandemisë Covid-19 që për herë të parë në Kosoë u regjistrua më 13.03.2020, është arsyeja që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, jep për mospërfundimin e këtyre dy proceseve.

Ai ka thënë për KALLXO.com se COVID-19 ka ndërruar prioritetet.

“Çka ndodhi në ndërkohë? Natyrisht ndodhi pandemia dhe nga viti 2019 kanë ndryshuar shumë gjëra sa i përket këtij aspekti qoftë edhe me prioritizimin sepse gjatë kohës së pandemisë, e cila deri nga mesi i vitit 2022, kur nuk kishte më urgjencë jo vetëm nacionale, por botërore jemi marrë të gjithë me pandeminë. Kështu që unë mendoj që në vitin 2019 ka pas edhe një proces tjetër zgjedhor, ka pas një pandemi në mes. Në vitin 2021 kam dhënë premtim që do t’i siguroj vaksinat dhe do të vaksinojmë më shumë se 60 për qind të qytetarëve dhe besoj që ia kemi arritur” – tha Vitia në një prononcim për KALLXO.com, i pyetur për premtimet e papërmbushura.

Emergjenca globale shëndetësore COVID-19 u shpall e përfunduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 05.05.2023. 10 ditë më vonë edhe Qeveria e Kosovës shpalli të mbyllur këtë emergjencë të shëndetit publik.

Ku janë sot këto procese?           

Ministri Vitia thotë se deri në fund të këtij mandati, SISh-i do të jetë “pothuajse në fazë të parë, në mos në një fazë të mirë të implementimit”.

Ai vazhdon të qëndrojë mbrapa fjalës së tij, se SISh-it i duhen optimalisht dy vite për t’u zbatuar, e sigurimeve shëndetësore katër.

Nga fillimi i vitit 2023, Vitia thotë se kanë bërë studimin e fizibilitetit për Sistemin Informativ Shëndetësor, tashmë të përfunduar si dhe planin e veprimit për instalimin dhe ndërtimin e sistemit.

“Jemi në fazat përfundimtare të negocimit për kredi nga Banka Botërore e cila do të na mundësojë që t’i sigurojë mjetet për këtë investim” – tha ai.

Ministria e Shëndetësisë, përmes përgjigjeve me shkrim ka dhënë detaje për punën që ka bërë në këtë aspekt.

“Lidhur me Sistemin i Informimit Shëndetësor është vërejtur se duhet të bëhet një vlerësim paraprak që përcakton metodologjinë, të cilës do t’i qasemi për të funksionalizuar SISH-in” – thuhet në përgjigje.

Për këtë vlerësim, MSh thotë se procedurat kanë marrë kohë deri në buxhetimin e aktivitetit dhe se ai është realizuar përmes huamarrjes nga Banka Botërore.

“Me përfundimin e këtij studimi, në kohën optimale është aprovuar Raporti me rekomandime dhe në përputhje me këtë është krijuar Strategjia për SISh dhe Plani i veprimit për tri vite. Ky plan i veprimit, ka pasur një kosto të caktuar e cila është dashur gjithashtu që të përfshihet në buxhet. Mënyra më e mirë për akomodimin e kësaj kostoje ka qenë përmes huamarrjes se BB, ku negocimet kanë filluar dhe janë në fazën finale” – thotë Ministria.

Ndonëse SISh-i nuk është plotësisht funksional, MSh tregon se janë disa sisteme ekzistuese të cilat janë mirëmbajtur dhe avancuar, siç janë Sistemi i Menaxhimit të Stokut Farmaceutik (SMSF) dhe Basic His, i cili përdoret në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Ndërkaq sistemet që janë avancuar janë Sistemi i Burimeve Njerëzore për specializantë, Sistemi i Licencimit dhe Akreditimit të Institucioneve Private Shëndetësore, për të cilin është bërë edhe dixhitalizimi i tërë procesit të aplikimit.

“Gjithashtu, është krijuar edhe Surveillance Sistem, Laborator Information Sistem në kuadër të IKShPK-së, ndërsa në përputhje me Strategjinë e SISh-it, në momentin e sigurimit financiar do të zbatohen, sipas afatit kohor.”

Ndërkohë, Ministria ka anuluar një tender në vlerë mbi 700 mijë euro për mirëmbajtjen harduerike të SISh-it, të shtrirë në 70 për qind të institucioneve shëndetësore publike.

Kjo për shkak se tenderi ka kufizuar konkurrencën dhe për pasojë kishte ofertuar vetëm një kompani, së cilës edhe i ishte dhënë kontrata, ndonëse 32 kompani kishin shkarkuar dosjen e tenderit për ta parë.

Kjo Ministri ka shpenzuar edhe rreth 600 mijë euro të tjera për Sistemin e Informimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, i cili nuk kryen asnjë funksion pa u funksionalizuar SISh-i.

Ky Fond është përgjegjës edhe për zbatimin e sigurimeve shëndetësore, ligji për të cilat u miratua për herë të parë në vitin 2007, e një i ri u miratua në vitin 2014. Por, asnjëri nuk gjeti kurrë zbatim të plotë.

Për të qenë i zbatueshëm, Ministri thotë se ligji do duhet të përditësohet sërish.

Më 26.04.2024, Vitia tha se në fund të prillit ose në fillim të majit, ky ligj do të procedohet në Kuvend përmes Qeverisë.

Ai tha se kanë kaluar konsultat paraprake e diskutimet publike dhe po përpunojnë e integrojnë komentet e marra.

“Deri në fund të prillit, në fillim të majit ky ligj do të procedohet përmes Qeverisë në parlament, ku presim pastaj që ky ligj të miratohet në Kuvend dhe t’i hapë rrugë edhe sigurimeve shëndetësore” – deklaroi Vitia.

I pari i shëndetësisë pranon se ka pasur vonesa, por thotë se kjo ka ndodhur “për të shkuar me hapa të sigurt që kur ligji të përfundojë, të mos mbesë në sirtarë”.

“Ideja jonë është që me këtë ligj të ecim përpara dhe një herë e mirë të zgjidhet nyja për implementimin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës” – tha ai.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, në nëntor 2023 kishte thënë se draft Projektligji për Sigurime Shëndetësore është në procedura finale.

Grupi punues për këtë projektligj ishte formuar në shkurt 2023 dhe ka përfunduar draftin në muajin korrik 2023. MSh pati thënë se ka angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë për mbështetje në hartimin e draftit të këtij projektligji.

Sigurimet shëndetësore u diskutuan gjatë edhe në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 29.02.2024, ku opozita e qeveria hodhën fajin te njëra-tjetra.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj gjatë prezantimit të rezolutës së tij për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, kishte thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore, e se në një situatë të ngjashme është vetëm Somalia.

Përderisa Vitia kishte thënë se qeveritë e kaluara kanë proceduar tutje pa bërë përgatitje dhe pa bazë ligjore në këtë aspekt, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kishte deklaruar se me këtë trend qytetarët nuk mund të presin sigurime shëndetësore para vitit 2030.

Mandati i parë i Qeverisë Kurti zgjati nga 03.02.2020 deri më 03.06.2020. Për shkak të rrëzimit të saj, nga 25.03.2020 ajo ishte qeveri në detyrë. E mandati i dytë filloi që nga 22.03.2021.

Ministria e Shëndetësisë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2 ndërroi tri herë udhëheqës. Vitia që nisi këtë mandat, dha dorëheqje më 01.10.2021, për të garuar për të qenë kryetar i Prishtinës.

Rreth një muaj pas, më 16.11.2021, doktori shqiptar që jetonte dhe vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rifat Latifi, ishte emëruar Ministër i Shëndetësisë.

Edhe Latifi dha dorëheqje 11 muaj pas, më 06.10.2022. Pas 82 ditësh pa ministër Arben Vitia ishte rikthyer në këtë pozitë, të cilën vazhdon ta mbajë edhe sot.

Gjatë kohës që nuk kishte ministër, ky institucion u drejtua nga zëvendësministrja Dafina Gexha – Bunjaku si ushtruese e detyrës.

Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë, Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në vitin 2014 pati premtuar se në vitin 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve, të nevojshme për mbushjen e fondit për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, ish-Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë në korrik të vitit 2015 se po punojnë që sigurimet shëndetësore të bëhen në pjesën e dytë të 2016.

Edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pati deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet dhe nga 01.07.2017 do të fillojnë sigurimet shëndetësore.