Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca e Alford shqyrtojnë planet për të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe MCC-së

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Zëvendëspresidentin e Operacioneve Kompakte të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. 

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar që në takim u bisedua për bashkëpunimin aktual ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, përfshirë çështjen e nisjes së Programit Kompakt multimilionësh për sektorin e energjisë, si dhe u shqyrtuan planet për të ardhmen dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët. 

Konjufca ka falënderuar përfaqësuesit e MCC-së, dhe theksoi rëndësinë e projekteve me ndikim pozitiv në mirëqenien e qytetarëve.

Ai ritheksoi po ashtu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen.

Zëvendëspresidenti i MCC, Cameron Alford u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe potencoi nevojën e angazhimit të mëtejshëm për realizimin e projekteve zhvillimore, në linjë me avancimin e kuadrit legjislativ që mbështet investimet. 

Në tetor 2022, kabineti qeveritar ka themeluar grupin punues për përmbushjen e parakushteve që rrjedhin nga Marrëveshja Kompakt e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan kishin nënshkruar marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Marrëveshja ishte planifikuar t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.