17 vjet burgim të akuzuarit për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj

Qëndrim Januzi është dënuar me 17 vite burgim për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit 2022.

Januzi u dënua edhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim e si dënim unik iu shqiptua 17 vite burgim.

Gjykata e Ferizajt me trupin gjykues të kryesuar nga Habib Zeqiri, anëtarët Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci, të akuzuarin e ka shpallur fajtor dhe dënuar për veprën penale vrasje.

Sipas aktakuzës në orën e parë të datës 28.05.2022 i akuzuari e kishte privuar jeta me 6 plumba viktimën.

Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria

Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Ismet Rrahmani.

I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë. Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e Policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK