Kryeziu i kundërpërgjigjet Stanos: Mungesa e progresit në dialog është shkaku i Serbisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është përgjigjur deklaratave të zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, pasi ky i fundit tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Mirosllav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në rrjetin social X, Kryeziu ka rënditur një listë me shkeljet të cilat sipas tij i ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po, Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, më 27.02.2023.

“Është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë. Megjithatë, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve. Këtu është një listë e shkeljeve nga Serbia të Marrëveshjes Themelore, vetëm 2 javë pasi tha PO, në shkurt 2023”- ka deklaruar Kryeziu.

Prej shkurtit të vitit të kaluar, Kryeziu thotë se 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën në veri të Kosovës nga anëtarë të dhunshëm të bandave nën vëzhgimin e krerëve të Listës Serbe, duke vazhduar më tej se në shënjestër ishin edhe gazetarët dhe Policia e Kosovës.

“Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë”- thotë Kryeziu.

Më tej, Kryeziu ka përmendur edhe vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

“Një oficer i Policisë së Kosovës u vra në sulmin terrorist dhe paraushtarak më 24 shtator në Banjskë. Radoiçiq, lider i grupit –person i afërt me presidentin e Serbisë– i cili pranoi se kishte planifikuar dhe marrë pjesë në sulm, mbetet i lirë dhe takohet natyrshëm me ambasadorin e Serbisë në SHBA”- ka theksuar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë theksoi se një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, këtë muaj, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht dhe keqtrajtuar nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye.

“Në mënyrë hakmarrëse, këto veprime erdhën vetëm një ditë pasi APKE votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky anëtarësim kundërshtohet ashpër dhe publikisht nga Serbia, pavarësisht Art. 4 të Marrëveshjes Themelore”-ka shkruar Kryeziu.

“Kjo dhe shumë të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’, por për balancimin jo të drejtë të të dyja palëve”- shton ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka deklaruar më 29.04.2024 se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që t’i ndihmojnë palët të bëhen europianë, mirëpo, sipas tij, fakti që palët nuk arritën të bëjnë këtë nuk është për shkak të dështimit të BE-së, por të palëve.

Sipas Stanos, përderisa palët nuk janë të gatshme të lëvizin sigurisht askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato.

“Ka një mësim shumë të qartë, përderisa palët nuk janë të gatshme të lëvizin sigurisht askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato. Roli ynë si lehtësues në dialogun Prishtina – Beograd, është të lehtësojmë, të ndihmojmë të bëhen europianë, të ndihmojmë palët të sillen në mënyrë europiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti se nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë deri tash dhe të lëvizin në procesin e normalizimit, nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por për shkak të dështimit të palëve”- është shprehur Stano.

Teksa u është përgjigjur kritikave se emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka dështuar në dialog, Stano tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Lajçak ka bërë më të mirën dhe se ai e ka mbështetjen e plotë të 27 vendeve anëtare.

Rreth katër vjet pas emërimit, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak është në prag të përfundimit të mandatit në misionin e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Diplomatit sllovak, Mirosllav Lajçak iu besua ndërmjetësimi i dialogut Kosovë – Serbi në një vit të trazuar për Kosovën, mes sifdave të një pandemie globale dhe zhvillimeve politike që pasuan me rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Lajçak e nisi punën në krye të këtij procesi fillimisht duke u krijuar një terren për të bindur palët t’i ktheheshin dialogut i cili në atë kohë ishte bllokuar si pasojë e  vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Pas dy vjetësh bllokadë palët u kthyen në tavolinën e bisedimeve në një takim të zhvilluar në korrik të vitit 2020 mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Stano: Rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë