Kontrata e lobimit, Apeli dëgjon ankesat rreth rastit të lirimit nga akuza të ish-ministres Hoxha dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit, më 08.04.2024 ka trajtuar rastin e lirimit nga akuza më 28.04.2023 të ish-ministres së Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ish-drejtorit të Prokurimit publik, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarëve të ministrisë: Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, të cilët akuzohen për keqpërdorim detyre.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur pasi më 2020, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës ia pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris, e cila kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Në seancën e kolegjit të Apelit të përbërë nga kryetari Ferit Osmani dhe nga Vaton Dërguti dhe Afërdita Bytyqi – anëtarë, është shqyrtuar ankesa e Prokurorisë Speicale kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të datës 28.04.2023, më të cilin i kishte liruar nga akuza pesë të akuzuarit.

Prokurori i Apelit, Agron Bajrami nga kolegji i Gjykatës së Apelit ka kërkuar që aktgjykimi i Themelores të anulohet dhe çështja të kthehet në pikën zero ose të ndryshohet aktgjykimi dhe të akuzuarit të dënohen.

“Gjykata e Apelit në Prishtinë ta aprovoj ankesën në tërësi si të bazuar, ndërsa aktgjykimin e animuar ta ndryshoj dhe të pandehurit t’i dënoj sipas ligjit ose të njëjtin ta anuloj dhe çështjen ta kthej në rigjykim”- tha prokurori Bajrami.

Kurse mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet nga Apelit duke e refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë.

“Aktgjykimi i atakuar është i qartë, i drejtë, i marrë konform dispozitave ligjore dhe nuk ka asnjë shkelje… pra aktgjykimi e ka gjykuar çështjen tërësisht, është i bazuar në ligj dhe është i drejtë. Nuk ka çështje që i ka lënë me dy kuptime apo me hamendësi. Ajo që ka qenë e pakuptimtë tërësisht ka qenë aktakuza gjithashtu edhe ankesa”- tha Florent Latifaj, avokat i Dhurata Hoxhës.

Avokati Mehdi Geci i cili mbron të akuzuarin Fitim Mustafa tha se tek të gjithë të akuzuarit mungon elementi i dashjes në veprën penale për të cilën akuzohen.

“Prandaj, i propozoj kolegjit që të refuzoj ankesën e prokurorisë dhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë”- tha Mehdi Geci, avokat i Fitim Mustafës.

Avokati i Demush Shashës kërkoi vërtetimin e aktgjykimit lirues ndaj tyre duke specifikuar se neni 35 i Ligjit të prokurimit publik e lejon lidhjen e kontratave njëburimore.

“Neni 35 i Ligjit të prokurimit publik e lejon lidhjen e kontratës njëburimore posaçërisht kur është çështja e lobimit”- tha Tahir Rrecaj i cili përfaqëson të akuzuarin, Demush Shasha.

Edhe avokatja Albana Kelmendi që përfaqëson Kushtrim Cukajn dhe Hajzer Salihu që mbron të akuzuarin Nuhi Osmani kërkuan nga  Gjykata e Apelit që ankesa e Prokurorisë të refuzohet.

Të pranishëm në seancë nuk ishin Dhurata Hoxha, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020, KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzoheshin se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë nuk e pranuan fajësinë për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.