Ndalimi i kosovarëve nga autoritetet serbe, Kurti: Serbia po kërkon tensione

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar pas mbledhjes së Qeverisë se përmes “veprimeve hakmarrëse dhe idhnake” Serbia po kërkon tensione.

Ai ka porositur qytetarët e Kosovës që të mos bien në provokime dhe t’i përcjellin njoftimet nga MPB, MPJD dhe Policia, nëse planifikojnë të udhëtojnë nëpër Serbi.

“Serbia kërkon tensione sepse nuk i konvenon normaliteti. Sa më shumë që ka paqe aq më e parëndësishme bëhet Serbia”- ka thënë Kurti, më 18.04.2024.

Ai bëri të ditur se gjatë mbledhjes së Qeverisë është njoftuar për lirimin e katër policëve të Kosovës, por jo edhe të zëvendësdrejtorit Jankoviq.

“Jankoviq do të duhet të ishte në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë. Ai është angazhuar drejtpërdrejt në këtë gjeneratë”- ka thënë Kurti.

Me këtë rast, ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë.

“Po them të gjithë shqiptarët, pasi nuk dihet sa prej tyre po mbahen në burg dhe me çfarë akuza”, ka theksuar ai.

Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se ndalimi i qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë është bërë me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, këto veprime përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë në rajon.

“Jemi duke ndjekur zhvillimet. Pas paralajmërimeve direkte të Vuciqit u pa urdhri për veprime në terren. Bazuar në informacionet që kemi ndalimi është bërë drejtpërdrejt me urdhra nga lart, pra nga Vuciq.  Ngjarjet dje nuk janë vetëm çështje thjesht e lirisë së lëvizjes, por përbëjnë kërcënim të madh për stabilitetin e sigurinë në rajon. Ky është precedent i rrezikshëm”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas tij, në pikat kufitare me Serbinë gjatë ditës së djeshme janë ndaluar 1 468 qytetarë.

Për ndalimin e qytetarëve dhe zyrtarëve policorë nga Kosova nga ana e autoriteteve të Serbisë ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Përmes një postimi në X (ish Twitter), Rohde ka theksuar se “de-përshkallëzimi duhet të ndodhë menjëherë”.

Një mesazh, ai e ka dhënë edhe për politikanët serbë të Kosovës.

“De-përshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit, përfshirë serbët, nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe sigurisht jo ajo që mund të pritet nga një vend kandidat për BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që edhe politikanët serbë të flasin për bashkëqytetarët e tyre!– ka thënë Rohde.