Gjykata vendos për ish-ministren Dhurata Hoxha dhe të tjerët në rastin e kontratës lobuese

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza për rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze, ish-ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtorin e Prokurimit publik Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Të njëjtit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke i tejkaluar kompetencat të cilat i kishin.

Ish-ministrja Hoxha dhe ish-sekretari Cukaj, nuk kanë qenë prezentë në gjykatë të premten.

Foto: KALLXO.com

“Gjykata këtë vendim e ka bazuar në provat e proceduara në shqyrtim gjyqësor, dhe me ndërgjegje vlerësoi çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat tjera në bazë të vlerësimit të tillë ka ardhur te përfundimi se në këtë çështje penale nuk jane provuar faktet konkrete të figurës së veprës penale të cilat përbëjnë element kryesor të figurës së veprës penale, e cila i është vënë në barrë të pandehurve”- thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.s

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020, KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.
Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzoheshin se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë nuk e pranuan fajësinë për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Foto: KALLXO.com