(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit ia ul dënimin me burg ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti

Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Berisha akuzohet se i ka marrë 2 mijë euro nga një person me qëllim që një të akuzuari t’i shqiptohet dënim më i favorshëm.

Ish-gjyqtari akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Për veprën penale të ryshfetit, Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar ish-gjyqtarin me 2 vjet e gjashtë muaj burg si dhe me 4 mijë euro gjobë.

E Gjykata e Apelit ia ka ulur edhe dënimin me burg (në dy vjet), edhe dënimin me gjobë (në 3 mijë euro).

Kurse për armëmbajtje pa leje, Berisha më 28.04.2023 nga Gjykata Themelore ishte dënuar me gjobë në shumën prej 1 mijë euro.

Kurse Apeli ia ka zvogëluar dënimin në vetëm 500 euro.

Gjykata e Apelit si dënim unik i ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumë prej 3 mijë e 500 euro për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje, si dhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

“Gjykata e Apelit… aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, e ka ndryshuar vetëm përkitazi me vendimin për dënimin me burgim dhe gjobë, ashtu që gjykata e shkallës së dytë të akuzuarit S.B. për veprën penale marrje ryshfeti nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 3.000 (tremijë) euro, ndërsa për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, i ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro, gjegjësisht dënimin unik me gjobë në shumë prej 3.500 (tremijë e pesëqind) euro”- thuhet në vendimin e Apelit

Apeli me gjyqtarët Ferit Osmani- kryetar, Burim Ademi dhe Bashkim Hyseni anëtarë, me vendimin e datës 28.02.2024 ka vërtetuar dënimin plotësues që i kishte shqiptuar Themelorja Berishës – ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

“Kurse pjesa tjetër lidhur me dënimin plotësues dhe konfiskimin e armës, ka konstatuar se mbetet e pandryshuar”- thuhet tutje në vendim.

28.04.2023 Gjykata Themelore kishte dënuar ish-gjyqtarin Sali Berisha për marrje ryshfeti me dy vjet e gjashtë muaj dënim me burgim dhe 4 mijë euro dënim me gjobë. Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje e kishte  dënuar me 1 mijë euro dënim me gjobë.

Gjyqtarët Mentor Bajraktari, Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi, si dënim plotësues i kishin shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Sipas  aktakuzës së Prokurorisë, më 19.09.2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F.Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19.09.2019 ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.