Foto: KALLXO.com

Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi në rigjykim për shmangie tatimore

Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi do të vazhdojnë ballafaqimin e tyre më Prokurorinë Speciale për shmangie tatimore lidhur me rastin ku akuzohen për mashtrim me viza të punës.

Rigjykimi ndaj tyre nuk do të bëhet për akuzat e mashtrimit me viza por për veprën penale të shmangies tatimore.

Kjo pas vendimit të Apelit të 30 dhjetorit të vitit 2023 me të cilin e ka vërtetuar pjesërisht vendimin lirues të Gjykatës Themelore të prillit të vitit 2022.

Më 26 prill 2022 Gjykata Themelore kishe marrë vendim që Milaim Zekën, Ilir Krasniqin dhe Edmond Kërliun t`i lirojë tërësisht nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Zeka, Krasniqi dhe Kërliu akuzoheshin për veprën penale mashtrim, shmangie tatimore dhe pastrim parash.

Për Kërliun nuk do të ketë rigjykim, ndërsa për Zekën e Krasniqin rasti do të nisë nga pika zero vetëm për shmangie tatimore.

“Me aprovimin e pjesshëm të ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, aktgjykimi i ankimuar, anulohet për pikën II dhe V të dispozitivit, në raport me të akuzuarin Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka për veprën penale Shmangie nga Tatimi në bashkëkryerje, dhe për të njëjtat çështje i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”- thuhet në vendimin e Apelit i cili ishte marrë nga Gjyqtari Bashkim Hyseni me anëtarët Vaton Dërguti dhe Burim Ademi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK