Ilustrim

“Referendumi” i 21 prillit në veri: Pak interesim për votim e shumë pritje për dështim të procesit

Në katër komunat në veri të Kosovës, të dielën më 21.04.2024, do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.

E vetëm dy ditë para organizimit të këtij procesi, përfaqësuesit lokal të partive politike të udhëhequra nga shqiptarët thonë se e kanë lënë në vullnetin e qytetarëve që të vendosin nëse duan ose jo të dalin në votime.

Florent Azemi, nga dega e PDK-së në Mitrovicë të Veriut ka thënë për KALLXO.com se ndikimi i opozitës në këtë komunë edhe ashtu është i vogël.

“Ne jemi në mbështetje të institucioneve, respektivisht të KQZ-së, por realisht edhe sikur t’i inkurajojmë qytetarët për të votuar, ne prapë nuk kemi shumë ndikim. Ndërkaq, qytetarët serbë i kanë përfaqësuesit e vet që janë të ndikuar nga Beogradi … Normal ne jemi gjithmonë në dispozicion të institucioneve të Republikës mirëpo realisht ndikimi jonë është shumë i vogël”- ka thënë Azemi.

Edhe Besnik Xhaka përfaqësues i LDK-së në Mitrovicën e Veriut thotë se është në dorën e qytetarëve të vendosin nëse duan të dalin për të votuar ose jo, megjithëse ndonjë thirrje apo sugjerim se si duhet vepruar më 21 prill, ai thotë të mos e kenë bërë si parti.

“Nuk e kemi diskutuar ende këtë çështje në parti. Kjo varet nga niveli qendror. Çdo urdhër që vjen në respektim të rendit dhe ligjit ne e respektojmë. Por, vetë qytetarët le të vendosin a duan  me dalë apo jo. Kjo është e drejtë e tyre”, thotë Xhaka.

Ndryshe prej tyre, Aida Doli përfaqësuese e Vetëvendosjes, shpreson se shqiptarët do të dalin për të votuar.

“Në fakt ne u kemi lënë qytetarëve që të zgjedhin vetë. Na e dimë që iniciativën për mos me dalë në votime e ka marrë Lista Serbe për qytetarët serbë. Sa i përket shqiptarëve besoj që ky proces është legjitim kështu që është mirë secili me marr pjesë. Andaj, shpresoj shumë që shqiptarët kanë për të votuar për të mos u shkarkuar kryetarët shqiptarë”- është shprehur ajo.

Doli megjithatë ka bindjen se procesi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë do të dështojë.

“Presim që ky proces do të dështojë. Marrë parasysh që shqiptarët kur të dalin për të votuar do të votojnë për të qëndruar kryetarët, jo për t’i rrëzuar ata. Kështu që është një proces që besoj se në fund të ditës do të dështojë. Nuk e besoj që shkarkohen kryetarët shqiptarë”- ka thënë Doli për KALLXO.com.

Se a duhet të dalin në votimet në veri edhe mbështetësit e AAK-së, kjo parti sikur edhe tjerat ua ka lënë qytetarëve në vullnetin e tyre.

“As s’ju kemi bo thirrje me dalë as mos me dalë- ata vendosin vetë. Votimi është i lirë, nuk ia kemi imponuar askujt as me dalë as mos me dalë. Më të arsyeshme e kemi pa që nesër mos me thonë na keni imponuar apo diçka tjetër … Ma mirë e kemi lënë le të vendosin vetë”- ka thënë përfaqësuesi i AAK-së në Mitrovicën e Veriut, Gëzim Alushi.

Procesi i votimit më 21 prill, sipas tij, do të jetë i zymtë.

“Ne e dimë që Lista Serbe ka qenë dominuese gjithmonë. Ajo ka qenë vendimtare. Ata iu kanë apeluar që mos me dalë në zgjedhje. Nuk po lejojnë që me i hap as shkollat. Kështu që jemi në telashe edhe për vendvotime”- thotë Alushi.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.