Gjykimi ndaj 29 personave për shpëlarje parash përmes bixhozit të paligjshëm, Gjykata vendos ndaj njërit të akuzuar

Bekim Kyçyku, i akuzuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm është liruar nga Gjykata e Prishtinës.

Në seancën e mbajtur të mërkurën më 14.02.2024, Kyqyku u lirua nga akuza e Prokurorisë pasi Gjykata nuk i vërtetoi akuzat ndaj tij.

Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, tha se gjatë gjykimit nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Aktgjykimi lirues e mori trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve: Kujtim Krasniqi, Lutfi Shala, Mentor Bajraktari.

Pas avancimit të prokurorit Agron Bajrami që ngriti aktakuzën në Prokurorinë e Apelit, prokurore e rastit është caktuar Habibe Salihu.

Prokuroria bashkë me Bekim Kyçykun për të njëjtën vepër po i akuzon edhe 28 persona të tjera, por procedura ndaj tij ishte veçuar nga gjykata.

Aktgjykimi i shpallur sot (14.02.2024) nuk është i formës së prerë, palët kanë kohë 30 ditë pas dorëzimit të aktgjykimit për ta ankimuar atë.

Çka thotë aktakuza?

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori special Agron Bajrami më 27.10.2020, akuzohen 29 persona.

Të akuzuar në këtë rast janë: Safet Kyçyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Pervetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arbër Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Mjekiqi dhe Bekim Kyçyku.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur duke vepruar qoftë veç e veç apo ne bashkëkryerje, nga data e pacaktuar – në vazhdimësi deri më datën 15.12.2017 me dashje dhe dijeni, gjithnjë me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime të kundërligjshme të dobisë pasurore, organizuan lojëra të fatit për të cilat nuk ka qenë e dhënë licenca, leja apo koncesioni nga organi kompetent.

Aty pretendohet se me rastin e kontrollimit nga ana inspektorëve të ATK-së, dhe policisë, në lokalet poshtëshënuara te të pandehurit, janë gjetur dhe konfiskuar automate për të cilat të njëjtit nuk ka pasur licencë nga organi kompetent apo kanë vepruar në kundërshtim me licencën e dhënë, apo nuk kanë pasur leje nga komuna përkatëse për ushtrimin e asaj veprimtarie.

Bekim Kyçyku akuzohet se bashkë me Nexhat Ejupin, Nehat Ejupin, Hasan Ejupin, Safet Kyçykun, Sami Baliun, Burim Bytyqin, Petrit Nezirin, Armend Danqelin, Ramadan Nebijajn, Flakron Maqanin, Burim Makiqin, nga një periudhë e pacaktuar e deri në vitin 2016, përmes llogarive të bizneseve të tyre apo llogarive personale duke vepruar veç e veç apo bashkë kanë bërë pastrimin e parave të fituara me anë të veprës penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”.

Në këtë formë prokuroria pretendon se ata ju kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit pastrimin e parave përmes automatëve, monitorëve dhe pajisjeve të tjera kompjuterike, që janë të ndaluara sipas ligjit për lojëra të fatit, duke qenë në dijeni se të hollat e tyre burojnë nga aktiviteti kriminal dhe janë të fituara me kryerjen e veprës penale.

Në dosje thuhet se të pandehurit i kanë përzier paratë e tilla me para të fituara në mënyrë të ligjshme dhe pastaj i kanë integruar në sistemin financiar shtetëror.

“Të pandehurit qoftë vetë apo duke shfrytëzuar gjendjen e dobët të të punësuarve në bizneset e tyre dhe personave tjerë, i kane deponuar mjetet financiare në llogaritë përkatëse në bankat afariste të Kosovës, me përshkrimin: pagesë e faturës, huazim, kthim i huazimit, kthim i borxhit, pagesë, pazari javor nga biznesi, rezervat familjare, etj. Pastaj i kanë transferuar në bankat e vendit në Kosovë me përshkimin: pagesë e pjesshme e faturës, kthimi i borxhit, kthim i gjysmës së huazimit, etj. dhe në bankat në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Francë, Norvegji, Itali, Spanjë, Zvicër, Bosnjë dhe Hercegovine, Gjermani, etj”.

Në mënyrë të veçantë prokuroria specifikon se i pandehuri Bekim Kyçyku, në llogarinë individuale bankare në një nga bankat komerciale të vendit në pronësi të të pandehurit Safet Kyçyku ka realizuar deponime kesh nga data 05.07.2013 me një deponim në shumën 13,000 euro.

Për këtë shumë prokuroria pretendon se nuk është justifikuar prejardhja e parave të transferuara brenda dhe jashtë vendit.

Në aktakuzë precizohet se shuma totale e parave të shpëlara prej të gjitha deponimeve dhe transfereve brenda në Kosovë nga të gjithë të pandehurit e lartcekur, arrin shumën prej 11,565,471 €, ndërsa shuma që të pandehurit e lartcekur, pretendohet se kanë shpëlarë prej transfereve të jashtme arrin në shumën totale prej 6,860,133 euro dhe 26,990 dollarë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të akuzuarit veç e veç apo në bashkëkryerje kenë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm”.

Shënim: Artikulli është edituar më 14.02.2024, në ora 16:10, duke iu vendosur emrat e trupit gjykues dhe emrin e prokurores së rastit.