Agjensia e Statistikave të Kosovës

Për 24 ditë u regjistruan rreth 900 mijë banorë, serbët në veri vazhdojnë ta refuzojnë procesin

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në regjistrimin e  popullsisë, meqë ky proces, sipas tij, është në interesin e tyre.

Ai ka bërë të ditur se në këto 24 ditë, prej se ka nisur regjistrimi i popullsisë, serbët në katër komunat në veri të Kosovës ende rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në komunat në jug të Ibrit.

“Në pjesën veriore ka edhe komunitete të tjera joserbe që jetojnë dhe ata janë duke u regjistruar, ndërsa komuniteti serb ende heziton … Ka një regjistrim, por numri është i vogël. Ata duhet ta dinë se regjistrimi është një e mirë për ata. Mospjesëmarrja në regjistrim do të thotë se ata nuk ekzistojnë”, ka deklaruar Kastrati.

Gjatë konferencës për media të mbajtur më 29.04.2024, Kastrati ka njoftuar se 891 mijë banorë të Kosovës janë regjistruar deri më tani.

“Rreth 900 mijë janë regjistruar deri më tani. Me 17 maj pritet të përfundojë regjistrimi dhe ka mundësi që në pjesën e dytë të muajit qershor do të publikohen të dhënat”- ka thënë Kastrati.

I pyetur pse në formularin e regjistrimit është edhe pyetja se a kanë abortuar gratë ndonjëherë, Kastrati është përgjigjur se kjo nuk është një pyetje e vështirë dhe konfuze.

“Është pyetje e thjeshtë që aplikohet në shumë vende. Nuk është komplekse por është e nevojshme për të ditur se ku jemi sepse pretendohet që institucionet nuk mund të bëjnë aq sa duhet pa pasur të dhëna”- është shprehur Kastrati.

Ndërsa në lidhje me dilemat për personat që janë në diasporë, ai ka thënë se të njëjtit mund të regjistrohen me numrin personal të shtetit që posedojnë.

Kastrati ka potencuar se procesi i regjistrimit të popullsisë po shkon sipas planifikimeve.

Kosova më 29 prill shënon ditën e 24-të të regjistrimit.