I akuzuari, Enver Sekiraqa - 11 korrik 2023, Foto: Aulona Alaj/ KALLXO.com

Pse Gjykata e Apelit e ktheu Sekiraqën në arrest shtëpiak?

26.02.2024, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, i është kthyer masa e arrestit shtëpiak, pasi që Themelorja e kishte liruar nga kjo masë.

Ndaj lirimit nga arresti shtëpiak kishte reaguar edhe babai i të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Riza, i cili e kishte konsideruar si “tallje me drejtësinë’, dhe kishte shtuar se për rastin e djalit të tij po luhet një lojë pasi tash e 18 vite nuk ka ndonjë epilog përfundimtar.

Ndaj lirimit të Sekiraqës nga masa e arrestit shtëpiak kishte bërë ankesë Prokuroria Speciale duke kërkuar që Sekiraqës t’i kthehet kjo masë.

Gjykata e Apelit me gjyqtarët Afërdita Bytyçi – kryetare e  kolegjit, Bashkim Hyseni e Ferit Osmani – anëtarë, kanë vendosur që t’a aprovojnë kërkesën e prokurorisë dhe ta ndryshojnë vendimin e Gjykatës Themelore.

Apeli ka vlerësuar se Themelorja në vendimin e saj nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me peshën dhe përshtatshmërinë e masës së paraqitje në stacion policor.

Tutje, në dosjen e Apelit thuhet se Themelorja nuk ka vepruar drejt kur ndaj të pandehurit është bërë zëvendësimi i masës së arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacionin policor e ka arsyetuar me faktin se i pandehuri në këtë masë gjendet për me shumë së dy vite dhe se gjatë kësaj periudhe kohore  nuk ka pasur asnjë njoftim apo raportim nga ana e Policisë së Kosovës se i njëjti nuk e ka respektuar masën.

“Masat tjera janë të pa mjaftueshme për rrjedhjen normale të procedurës penale dhe në parandalimin e arratisjeikjes, prandaj, me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, caktimi i arrestit shtëpiak konsiderohet si i domosdoshëm” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli tutje ka theksuar se “të gjitha rrethanat e kësaj çështje penale ekziston rreziku  nëse i pandehuri gjendet në liri ekzistojnë rrethanat e ikjes, marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale për të cilën dyshohet se e ka kryer është arratisur për një kohë të gjatë, dhe nëse lihet në liri të plotë ekziston mundësia se i njëjti do të arratiset përsëri”.

Gjykata e Apelit ka obliguar Stacionin Policor “Veriu” në Prishtinë, që në çdo kohë të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe pa vonesë të njoftojë Gjykatën Themelore ne Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda,  për shkeljen eventuale të kësaj mase nga ana e Sekiraqës.

Sekiraqa sipas vendimit të Apelit nuk guxon të largohet nga vendbanimi i tij pa lejen e gjykatës dhe i ndalohet çfarëdo lloj komunikimi me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga ai.

Më 30.08.2007 në Prishtinë kishte mbetur i vrarë Triumf Riza që shërbente si polic, asokohe në Shërbimin Policor të Kosovës (tani Policia e Kosovës).

Aktakuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga i akuzuari Sekiraqa, i cili sipas prokurorisë Berishën e kishte njeri të besueshëm.

Në drejtim të Triumf Rizës ishin gjuajtur 11 plumba, tre nga ta e goditën duke e plagosur Rizën për vdekje.

Në rigjykimin e Enver Sekiraqës, në seancën e cila ishte mbajtur më 23.01.2023, Arben Berisha kishte rrëfyer momentin se si e kishte vrarë Triumf Rizën.

Sipas dosjes, vrasja e Rizës është bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

Aktakuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellur lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Arben Berisha është i dënuar me 35 vite burg për këtë ngjarje dhe është në vuajtje të dënimit, ndërsa në maj të vitit 2016, Gjykata kishte gjetur fajtor dhe shpallur fajtor me 37 vjet burg Enver Sekiraqën, por pas ankesës në Gjykatën e Apelit rasti ishte kthyer në rigjykim.

Në rigjykim, më 16.09.2019, Gjykata e gjeti përsëri fajtor dhe e dënoi me 30 vjet burg për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, mirëpo Gjykata e Apelit përsëri e riktheu rastin në gjykim. Gjykimi në këtë rast është duke vazhduar ende..

Të gjitha lajmet për rastin e vrasjes së Triumf Rizës dhe gjykimin ndaj Enver Sekiraqës dhe personave të tjerë të cilët po gjykohen për këtë rast mund t’i lexoni në këtë Link.