Rrëfimi i Gjilanases që e pret rikthimin e burrit nga Siria

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje e cila që gjashtë vite po pret rikthimin e burrit të saj nga Siria. Ajo për ‘Drejtësia në Kosovë’ rrëfeu se si kishte arritur ta kuptoj se burri i saj ishte larguar për të luftuar në Siri ndërsa shton se ai ishte penduar.

Në anën tjetër gjatë këtij emisioni u shfaqën edhe rrëfimet e imamëve të cilët ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës, të cilët treguan gjendjen e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin për terrorizëm dhe ekstremizëm.

Një grua e cila për një kohë të gjatë po jetonte te prindërit e saj rrëfeu se si burri i saj kishte shkuar për të luftuar në Siri.

“Jeton në Siri. Që 6 vite. Kam komunikuar me të, ka thanë që normal ska dashtë por, ka dalë sepse i kanë thanë që e paguajnë po në fakt, nuk i kanë dhanë kurrgjë hiq. Ka thanë që tash nuk po e lejojnë me u kthy. Edhe ma prej atëherë asnjë lajm nuk e kam prej tij. Para katër viteve kam komunikuar. Këta të ISIS-it se lejojnë me u kthy. Si ka përmend asnjëherë kush janë. Është frikësu që ja marrin djalin edhe ja dërgojnë në Siri sikur të tjerëve, për këtë ai nuk ka kallxu as që është i martuar. Vetë ka shku. I kam kërkuar me u kthy po aj ka thanë se s’mundet se se lejojnë, e asnjëherë më nuk ka thirrë”, është rrëfimi i gruas e cila pret që burri t’i kthehet nga Siria.

Ajo tregoi edhe se ku i kishte punuar bashkëshorti para se t’i bashkohej luftërave të huaja.

“Ka punuar në ndërtimtari në Prishtinë. Nuk është kthy gjithë ditën, e kam thirr në telefon e smu lajmrojke. Më ka dërgu një mesazh edhe më ka thanë që është atje tani më ka lajmru mas një kohe. Nuk e di me kënd është shoqëruar. Kur jam fejuar në 2008 është kanë tu u merr me fe. Jo asnjëherë se ka përmend që ka e shku në Siri veç kur u lajmru që ka shku. Aj më ka thanë që po shkon në punë sepse ne ta kishim ditë nuk e kishim leju”, vazhdon rrëfimin gruaja nga Gjilani.

Ajo rrëfeu edhe se ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale tri herë asistencë sociale e cila i ishte refuzuar.

“Askush ska qenë me më vizitu përveç policisë që kam shku me dhanë deklaratë. Marr social, që gjashtë muaj. Jo skam marrë asnjë social më herët, kam bërë tri herë kërkesë ma kanë refuzu se më kanë thanë që munden me të mbajtë familja. 87 euro marr social, nuk është e mjaftueshme sepse ma shumë paret më shkojnë për djalin se më sëmuret shpesh”, tregon ajo.

Qëndrimi i saj ishte se më mirë dëshiron ta ketë burrin në burg se sa në Siri.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftrat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.