Blend Vrajolli - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e akuzon për përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, Blend Vrajolli kërkon nga Gjykata t’ia mundësojë t’i kthehet familjes

Në Gjykatën e Prishtinës më 26.02.2024 është mbajtur seanca e fundit e gjykimit të Blend Vrajollit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për përgatitje të sulmeve terroriste ndaj komunitetit LGBT dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Për gjykimin e këtij rasti nga fillimi deri në fund Gjykatës iu deshën më pak se pesë muaj.

Seanca e parë ishte mbajtur më 02.10.2023, e aktakuza ishte ngritur më 15.09.2023.

Kështu, në seancën e fundit u dhanë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Me këtë rast prokurori Afrim Shefkiu kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë me dënim meritor.

“Përmes provave shihet qartë këmbëngulësia e tij për të siguruar materiale eksplozive” – tha prokurori Shefkiu.

Sa i përket matjes së dënimit, prokurori propozoi që si rrethana për rëndimin e dënimit duhet të merret këmbëngulësia e të akuzuarit për të kryer veprën, pesha dhe rrezikshmëria e veprës penale si dhe shqetësimi i qytetarëve.

Kurse sa u përket rrethanave lehtësuese, prokurori Shefkiu u shpreh se nuk ka gjetur asnjë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Vrajolli, avokati Arben Kelmendi, kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin ta lirojë nga akuzat në mungesë të provave.

Fjalën e mori edhe vetë i akuzuari Vrajolli.

“Kërkoj nga trupi gjykues që të ma mundësoj t’i rikthehem familjes dhe të më liroj nga të gjitha akuzat që më bien në barrë” – u shpreh i akuzuari.

Përveç kësaj, mbrojtja komentoi edhe mungesën e ekspertizës sa u përket pretendimeve të Prokurorisë për elementet prej të cilave aktakuza thotë se mund të krijohen mjete shpërthyese.

“Mbetet ju si trup gjykues ta vlerësoni se me çka Prokuroria argumenton se kombinimi i kësaj kripe (Epsom salt) me kombinimin e eritritol, që është sheqer pluhur për ëmbëlsira, po mundkan me u bo mjete shpërthyese, bomba, eksplozivë, në qoftë se ia shtojmë edhe nitratin e kaliumit që është pleh artificial” – tha avokati Kelmendi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 29.02.2024.

Ky rast po trajtohet nga Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Musliu Selimaj dhe me anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli.

Nderkaq aktakuza është ngritur dhe përfaqësuar nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu.

Blend Vrajolli po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes Aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e “Stop listës” ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare në Hani të Elezit, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.

Vrajolli ishte arrestuar më 21.02.2023 ndërkaq aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur më 15.09.2023.

Këtë rast po e gjykon gjyqtarja e departamentit special Valbona Musliu Selimaj ndërkaq aktakuzën po e përfaqëson Prokurori Special Afrim Shefkiu.