Dënim me burg ndaj të akuzuarit për shtytje në terrorizëm

Liridon Beqiri është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale shtytje në kryerje të veprave terroriste dhe posedim të armëve pa leje.

Për armëmbajtje pa leje gjykata i shqiptoi dënimin me gjobë prej 3 mijë eurosh.

Në dënimin me burgim Beqirit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arresti shtëpiak nga data 15.05.2023.

Beqiri në ditën e shpalljes nuk ishte i pranishëm në sallën e gjykimit.

Një tjetër vendim që mori gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj ishte edhe shkatërrimi i armëve që u përdorën nga Beqiri në këtë rast.

Shpallja e dënimit u bë më 07.03.2024 në Gjykatën e Prishtinës, tri ditë pasi Liridon Beqiri pranoi fajësinë.

Një ditë më parë Liridon Beqiri ishte ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat për shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje, pasi ka pranuar fajësinë në seancën e datës 04.03.2024.

Në seancën e së mërkurës (06.03.2024) Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarit i thanë rrethanat të cilat pretendojnë se Gjykata duhet të marrë parasysh për matjen e lartësisë së dënimit.

I akuzuari Liridon Beqiri shfrytëzoi rastin që gjatë seancës të bëjë thirrje rinisë që të mos e ndjekin shembullin e tij.

“E them publikisht, edhe për popullin edhe për rininë teme… mos me e bo të njëjtin send që e kam bërë unë, mos me marrë si shembull çështjen time se i pret një e ardhme që te evladë e tyre ka me ndiku”- tha Liridon Beqiri në seancën përfundimtare që u mbajt më 05.03.2024.

“Kanë me e pa vetë që nuk është e ligjshme ose trimëri me dalë me armë dhe me u fotografu me armë ose me qenë një pjesë, me anu kah një ideologji që ata e perceptojnë sipas vetes së tyre”- shtoi tutje Beqiri.

Në ndërkohë prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu tha se ka një mori rrethanash rënduese duke përmendur, ndër tjerash, edhe fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri.

“E kemi të njohur faktin se pikërisht grupmosha të cilës i takon i akuzuari në një numër relativisht të lartë në shtetin tonë, rreth 100 persona kanë marrë pjesë në zonën e konfliktit në Siri”- tha Prokurorja Fejzullahu.

Lidhur me këtë prokurorja pretendoi se veprimet e të akuzuarit kanë mundur të ndikojnë në motivimin e qytetareve që të i bashkëngjiten këtyre konflikteve.

“Veprimet e të akuzuarit kanë pasur mundësi direkte që të dërgojnë porosi të rrezikshme pikërisht në gjenerata të reja në konteksti të kësaj edhe motivimi pikërisht i kësaj kategorie të qytetarëve që të marrin rrugën përsëri të rrezikshme nëpër zona të konfliktit”- tha prokurorja.

Në anën tjetër mbrojtja e të akuzuarit, avokati Veton Rrecaj kërkoi nga gjykata që Liridon Beqirit t`i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Si rrethana lehtësuese ai theksoi pranimin e fajësisë, pendimin se në të ardhmen nuk do të kryej më vepër penale, moshën e re, faktin se ka dy fëmijë, përgatitjen e tij shkollore dhe gjendjen e dobët ekonomike.

Aktakuza për këtë rast është ngritur dhe po përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, ndërsa rasti po gjykohet në Departamentin Special nga gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më datë 07.03.2024.

Prokuroria Speciale me aktakuzën e datës 24.01.2024 ka akuzuar Liridon Beqirin, Besart Veselajn, Ernes Beqirin, Argjend Hotin dhe Altin Salihun për vepra penale që lidhen me terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Konkretisht, grupi po akuzohet se kanë shpërndarë materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS dhe për këtë ngarkohen me veprën penale të shtytjes për kryerjen e veprave terroriste.

Raportimet e KALLXO – LINK