Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Komuna e Gjilanit siguron transportin për qytetarët për të votuar në zgjedhjet në Serbi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka njoftuar se është siguruar transporti për qytetarët e Gjilanit që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

Hyseni ka lutur qytetarët, që për më shumë informata, t’i drejtohen Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të komunës së Gjilanit.

“Të dashur bashkëqytetarë nga Lugina e Preshevës, ju njoftojmë se komuna e Gjilanit ka siguruar transportin për të gjithë ju që jetoni e veproni në Gjilan, për në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi. Të mobilizohemi për të vazhduar betejën për të vërtetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës” – ka shkruar kryetari Hyseni në rrjetin social “Facebook”.

Zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor 2023 dhe në krahina.

Me shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.