Fotografi nga takimi i të akuzuarve para arrestimit

Mbi 30 vite burgim ndaj të akuzuarve për terrorizëm

Ardian Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla, janë katër të dënuarit në shkallë të parë për terrorizëm, të cilëve Gjykata e Prishtinës sot iu shqiptoi mbi 30 vite burgim.

Ata ishin shpallur fajtor më 18 dhjetor të vitit që lamë pas, ndërsa sot u dha verdikti për dënimin ndaj tyre.

Ardian Gjuraj u dënua me 9 vite burgim.

Mentor Bellaqa u dënua me 6 vite e 6 muaj.

Ergim Syla u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim.

Kurse Nuhredin Skenderi u shpall fajtor për financim dhe lehtësim të terrorizmit, vepër për të cilën u dënua me 8 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë 5 mijë euro.

Ky rast në Departamentin Special u trajtua nga trupi gjykues me kryetaren Valbona Musliu Selimaj, anëtarët Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj.

Sipas aktakuzës voluminoze 45 faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, periudha kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS e ku janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksplozivë dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardian Gjurajn, akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve e të njëjtat i kishin fshehur në një bure të plastikës duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike AK-47 e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga lloje të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më datën 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t`i pranuar-blerë një RPG, 8 predha të murtajës së dorës, një pajise optike për zmadhim (dylbi) e RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, nën përcjellje të tij ishin edhe Nuhredin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarjes dhe më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardian Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Raportimet lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK 

(Shënim: është edituar titulli nga mbi 35 në mbi 30 vjet burgim – Koha e editimit: 13.:49 – 30.01.2024)