Tenderi 2.9 milionë euro për furnizim me mobilie për institucionet publike përfundon në OSHP

Tenderi 2.9 milionë euro i Agjencisë Qendrore të Prokurimit për furnizim me mobilie për institucionet publike ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Tenderi i shpallur më 28.12.2023 është pezulluar për shkak se konsorciumi “Standard Home Furniture L.L.C.” & “NNP Standard Plus” më 20.03.2024 është ankuar në Gjykatën e Tenderëve. 

Ky konsorciumi është ankuar në OSHP pasi AQP e ka refuzuar kërkesën e tyre për rishqyrtim si të pabazuar bashkë me ankesat e katër operatorëve të tjerë ekonomikë. Konsorciumi “Standard Home Furniture L.L.C.” & “NNP Standard Plus” edhe pse ka ofertuar në të tre lotet e këtij tenderi, në asnjërin prej tyre nuk është rekomanduar për kontratë.

Në ankesën e tyre 15-faqëshe në të cilën janë renditur katër pretendime, ata pretendojnë se AQP ka rekomanduar për kontratë në Lotin e 3-të ofertën e papërgjegjshme ekonomike.

Në pikën e parë të ankesës, ata pretendojnë se Agjencia Qendrore e Prokurimit në refuzimin e kërkesës për rishqyrtim AQP pretendimet e tyre i ka deformuar dhe nuk i ka trajtuar në formën e kërkuar.

Në pikën e dytë të ankesës, ata pretendojnë se grupi i operatorëve ekonomikë i rekomanduar për kontratë në LOT 3 – Furnizim me inventar shkollor, ka nënshkruar vetëm aneksin 1 të dosjes së tenderit, por nuk ka prezantuar deklaratë të specifikacioneve teknike të detyrueshme, për mallrat e ofruar. 

Më tej, në pretendimin e tretë ankimor thuhet se te kërkesa për realizimin e kontratave në tri vitet e fundit, grupi i rekomanduar kanë prezantuar projekte në vlerë 1 milion e 400 mijë euro, por nuk kanë prezantuar dëshmi se ato janë kryer në tri vitet e fundit. Po ashtu, në këtë pikë thuhet se njëri prej anëtarëve të grupit, “Madekos” ka prezantuar referenca për furnizime me pajisje medicinale, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje apo ngjashmëri me natyrën e tenderit.

Ndërsa në pretendimin numër katër të ankesës, thuhet se grupi i rekomanduar për kontratë në LOT-in 3, ka krijuar broshurë me përshkrim të saktë të çmimeve, duke e marrë nga aneksi 1 i dosjes së tenderit, e që sipas kësaj ankese, nuk ka qenë e lejueshme. 

“Grupi i OE ankues Standard Home Furniture L.L.C & NNP STANDARD PLUS konsideron se AK – AQP, vlerësimin krahasimin dhe ekzaminimin e ofertave e ka realizuar në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik dhe me aktet tjera nënligjore, prandaj propozojmë që eksperti shqyrtues në kuptim të dispozitave të nenit 113 të LPP-së” – thuhet në ankesën e konsorciumit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje përmes telefonit dhe emailit nga konsorcimi ndaj të cilit ka pretendime në ankesën e “Standard Home Furniture L.L.C.” & “NNP Standard Plus” por deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Në tenderin 2.9 milionë euro të AQP-së kanë aplikuar 8 ofertues, prej të cilëve 7 janë grupe të operatorëve ekonomikë, ndërsa vetëm një ka ofertuar si kompani e vetme. Rreth tre muaj nga shpallja e tenderit, më 06.03.2024 AQP ka publikuar vendimin për dhënien e kontratave për të tri LOT-et. Një grup i operatorëve ekonomikë është rekomanduar në dy LOT-e.

Në LOT-in 1 për furnizim me tavolina pune dhe dollapa është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Wood Corporation” dhe “Madekos” me vlerë prej 148 mijë e 812 euro.

Në LOT-in 2 për furnizim me karrige është rekomanduar grupi i operatorëve “Prime Corporation” dhe “Erzeni” me çmim prej 393 mijë e 190 eurove, kurse në LOT-in 3 për furnizim me inventar shkollor është rekomanduar “Wood Corporation” dhe “Madekos” me çmim 1 milionë e 667 mijë e 442 euro.

Në konsorciumin e rekomanduar për kontratë në LOT 1 dhe në LOT 3 bën pjesë kompania “Madekos”, e cila është kompani e njohur për tenderët e fituar nga institucionet publike në kohë të pandemisë, kryesisht për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19. Në faqen “Prokurimi i Hapur”, platformën e zhvilluar nga organizata FOL me mbështetjen e USAID, thuhet se “Madekos” nga viti 2019 e deri në vitin 2022 ka fituar 59 kontrata nga institucionet publike, me vlerë 2 milionë euro. Shumica e këtyre tenderëve kanë qenë për furnizim me pajisje medicinale apo furnizim me barna.

Kjo kompani po ashtu ka qenë pjesë e konsorciumit bashkë me kompanitë “Made Group Construction” dhe “Arkos”, i cili konsorcium kishte fituar projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), për ndërtimin e një objekti shumë katësh afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” të Prishtinës. I njëjti projekt më pas ishte anuluar.

Gjetjet e Auditorit në tenderin e vitit 2021 të AQP-së për mobilie

Në tenderin e AQP-së për furnizim me mobilie të vitit 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) kishte gjetur parregullsi.

Agjencia Qendore e Prokurimit kishte hapur një tender mbi 6 milionë euro për “Furnizim me invertar zyrtar dhe shkollor”. Tenderi kishte qenë i ndarë në tre LOT-e, por njëri prej tyre më pas ishte anuluar.

LOT-in 1 të atij tenderi e pati fituar kompania “Mobelland” me çmim prej 627 mijë e 719 euro, ndërsa LOT-in 3 e kishin fituar grupi i operatorëve ekonomikë “Delfina” dhe “Erzeni” me çmim prej 3 milionë e 897 mijë e 756 euro.

Kjo kompani ka ofertuar edhe në tenderin aktual të AQP-së, por është eliminuar me arsyetimin se është e papërgjegjshme.

Por pikërisht te LOT-1 i këtij tenderi, gjatë furnizimit të Komunës së Gjilanit me inventar, ZKA-ja kishte gjetur se nuk ishte bërë furnizimi për rreth 83 mijë euro, për të cilat ishin bërë pagesat.

Sipas ZKA-së, faturat ishin nënshkruar nga tre zyrtarët që kanë qenë të emëruar si komision për pranimin e invertarit, ndërsa komisioni kishte deklaruar se me kërkesë të menaxhmentit ishin nënshkruar në faturë vetëm për tu ekzekutuar pagesa dhe se nuk kishin njohuri në lidhje me inventarin.

“Gjatë ekzaminimit fizik ne nuk e gjetëm invertarin i cili ishte paguar. Pas konstatimit të kësaj gjendje kemi kërkuar nga akterët që të na informojnë lidhur me mungesën e inventarit, mirëpo asnjëri nga ta (drejtoresha e QKMF-së, komisioni për pranimin e invertarit dhe menaxheri i projektit), nuk ofruan ndonjë informatë se ku gjendet ky inventar” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Gjilani mbeti pa inventar

Pra, Komuna e Gjilanit edhe pse e kishte bërë pagesën, kishte mbetur pa inventar. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Doruntina Hasani.

“Për më tepër, ju informojmë që as pas evidentimit të kësaj situate, komuna nuk është furnizuar me inventar nga operatori ekonomik” – ka thënë Hasani.

Ajo më tej ka njoftuar se Komuna e Gjilanit, si rrjedhojë e këtij rasti, ka bërë ndryshime në përbërjen e menaxhmentit të QKMF-së, si dhe ka dorëzuar dokumentacionin përkatës në organet e ndjekjes.

“Me qëllim të inicimit të procedurës penale ndaj atyre për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në çështjen konkrete” – thuhet në përgjigjen e Hasanit.

Po ashtu, Hasani ka thënë se Komuna e Gjilanit nuk ka hapur tjetër tender për furnizimin me inventarin në fjalë.

“Sipas legjislacionit aktual, kërkesën për përfshirje në listë të zezë të një operatori ekonomik, për arsye të mosdorëzimit të inventarit, dorëzimit por në kualitet jo të duhur apo për çfarëdo arsye tjetër, duhet ta paraqesë menaxheri i kontratës respektive. Komuna nuk ka hapur procedurë tjetër tenderuese për furnizim me inventarin në fjalë” – ka thënë Hasani.

KALLXO.com ka kontaktuar me udhëheqës të kompanisë “Mobelland” që kishin fituar tenderin rreth 630 mijë euro e për të cilën thuhet se nuk e kanë bërë furnizimin me inventar edhe pse u është bërë pagesa.

“E kemi kry ne atë, nuk kemi kurgjo më me atë rast” – ka thënë përmes telefonit pronari i kompanisë “Mobelland”, Riza Morina.

Ndërsa Hajrulla Morina, emri i të cilit ka qenë në kontratën e nënshkruar mes palëve ka thënë “thirre menaxherin e kontratës për këtë punë”.

Nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) e cila e ka shpallur tenderin për furnizim me inventar zyrtar dhe shkollor, ka thënë se personat që kanë bërë menaxhimin e kësaj kontrate, siç janë menaxheri i kontratës dhe komisioni i pranimit janë përgjegjës për zbatimin e kontratës. Sipas tyre, këta persona do të duhej që të kujdesen që kontrata të realizohet sipas kushteve të saj.

“Në të njëjtën kohë është përgjegjësi e institucionit të marrë masat e nevojshme ligjore për inventarin që mungon apo nuk plotëson kërkesat e kontratës, ndërsa janë organet kompetente që duhet të merren me procedura ligjore nëse vërtetohet shkelja e kontratës apo dëmtimi i buxhetit” – kanë thënë nga AQP për KALLXO.com.

Po ashtu, AQP ka thënë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për të marrë masa për shkëputje të kontratës apo për të ofruar ndonjë sqarim nga ana e Komunës së Gjilanit apo Zyrës Kombëtare të Auditimit.

KALLXO.com ka pyetur Komunën e Gjilanit nëse kanë dërguar kërkesë për shkëputje të kontratës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit. Ndërsa kur është pyetur se pse nuk kanë kërkuar që ta fusin në listë të zezë kompaninë, ata kanë thënë se “ka qenë përgjegjësi e menaxherit të kontratës”.

Ndërsa Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar për KALLXO.com se ka filluar hetimet në lidhje me mos furnizimin me inventar të QKMF-së së Gjilanit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast ka filluar hetimet në drejtim të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu janë intervistuar disa nga të pandehurit, dëshmitarët, janë kërkuar ekspertiza financiare dhe ekspertiza e prokurimit” – kanë thënë nga kjo prokurori.

Sipas saj, janë duke u marrë edhe veprime të tjera hetimore, por që në këtë fazë nuk mund të ofrojnë më shumë të dhëna.