Konjufca: Në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Beteja e Koshares do të vlerësohet se paku për tri aspekte tejet të veçanta të saj.

Ai ka thënë se kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 111 dëshmorë e qindra të plagosur.

Sipas tij, kjo betejë shënon përbashkim të lartë kombëtar.

“Një gjithëpërfshirje nga të gjitha trevat e luftëtarëve që merrnin pjesë, duke përfshirë mërgatën tonë e bënë këtë betejë njërën nga betejat me domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar për çlirimin e Kosovës. Në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria”- tha ai.

“Shembja e gurit të kufirit me çizmen e Agim Ramadanit dhe Sali Çekut ishte njëra nga ngjarjet më historike të luftës tonë çlirimtare”, ka shtuar Konjufca.

Kjo betejë, sipas tij, ia ndërroj fizionominë UÇK-së, si një ushtri që ishte e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë e Serbisë.

Po ashtu, sipas Konjufcës, Beteja e Koshares është një nga betejat më historike e UCK-së edhe për faktin që u zhvilluar si operacion krah për krah me aleancën me të fuqishme demokratike të botës me NATO-në.

Në nderim të dëshmorëve të Betejës së Koshares, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në seancën solemne më 04.04.2024.

Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.