Tahiri: Asociacioni nuk paraqitet si kusht në raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në raportin e Dora Bakoyannis, formimi i Asociacionit nuk është kusht për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës.

Kjo çështje, sipas tij, i lihet në diskrecion Komitetit të Ministrave.

Tahiri ka kërkuar nga Qeveria të ketë kujdes në këtë çështje, pasi sipas tij, anëtarësimi i Kosovës është paradhoma e integrimit euroatlantik.

“Raporti i raportueses për Kosovën e saktëson që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe ftesën duhet ta marrë me 16 maj. Unë jam pjesë e delegacionit, votimi ka ndodh. Mendoj që Kosova meriton kërkesën për të qenë anëtare e Këshillit të Europës. Asociacioni në raport nuk është kusht. Ajo i lihet në diskrecion Komitetit të Ministrave”, ka deklaruar Tahiri.

Qeveria, siç ka thënë ai, duhet të ketë shumë kujdes sepse “Kosova nuk duhet ta humb shansin për të qenë anëtarja e 47-të e Këshillit të Europës”.

Pas mbledhjes së Kryesisë, ai është pyetur edhe sa i përket Projektligjit për Kodin Civil, për të cilin ka thënë se AAK-ja do të jetë kundër.

“Kodi Civil, edhe kur diskutohet kurrë nuk ka qenë kushtëzim. Është procedurë e një ligji të qeverisë që e ka blloku shumica. AAK është deklaruar që është kundër, ndërsa shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çka do të ndodh nuk është përgjegjësi e Aleancës. Ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”- ka thënë ai më 29.04.2024.

Themelimi i Asociacionit do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, ka thënë raportuesja Dora Bakoyannis gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, më 16.04.2024

Por, zërat tjerë vazhdojnë të jehojnë në të kundërtën e asaj çfarë shkruan në raportin e miratuar nga 131 delegatë të Këshillit të Europës, duke e kërkuar tërthorazi Asociacionin si parakusht për anëtarësim, ani pse nuk shkruan në letër.

Së fundmi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në KiE, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

‘Mëdyshja e madhe’, Asociacioni parakusht apo kërkesë joformale për vendin e 47-të në Këshillin e Europës?