Kurti e Konjufca të pikëlluar nga vdekja e Ali Lajçit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, janë shprehur të pikëlluar nga vdekja e ish-kryetarit të Pejës dhe ish-deputetit, Ali Lajçi.

Kurti ka thënë se Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij dhe se emri i tij haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim.

Kreu i ekzekutivit thotë se me Lajçin i ka rënë të njihet e të punojë në kohën sa ishte deputet.

“Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës”- ka shkruar Kurti.

Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij.

Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca tha se Lajçi do t’u mungojë të gjithëve.

Për Lajçin ai tha se ka lënë pas veprimtarinë e tij të gjerë e të shënuar me kontributin e jashtëzakonshëm nëpër dekada.

“I burgosur politik që prej se u radhit mes organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, ai e vazhdoi aktivitetin e tij patriotik në çdo formë, ashtu siç e kërkonte secila etapë deri te çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ai ishte edhe kryetar i komunës Komunës së Pejës dhe më pas deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ali Lajçi gjithmonë e përfaqësoi dhe e mbrojti interesin dhe përparimin e kombit e të shtetit tonë”- është shprehur Konjufca.

“Ngushëllime familjes, të gjithë atyre që e njohën, atyre që e patën mundësinë të ndajnë me të rrugëtimin e jetës dhe veprimtarinë e tij shembullore”- ka shtuar kryetari i Kuvendit.

Në moshën 69-vjeçare ka vdekur ish-kryetari i Komunës së Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi.

Ali Lajçi është ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë.

Lajçi që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vjet burg. Pas lirimit më 1991 sërish u burgos në vitin 1993 për organizimin e rezistencës së armatosur.

Vdes ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi