Muja: Kosova i ka plotësuar kushtet, besojmë që do të jetë anëtare e re e Këshillit të Europës

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Europës.

Ai beson se kjo do të ndodhë në muajin maj kur edhe pritet të bëhet votimi për anëtarësim.

“Ka kohë që shumica parlamentare, përfshirë edhe opozitën janë në përgatitje. Patëm një votim të rëndësishëm prej 82% që votuan në favor. Ne besojmë që kjo është e rëndësishme dhe për vet kredibilitetin e krejt procesit dhe të Bashkimit Europian. Besoj që Kosova i ka plotësuar kushtet dhe më 17 maj kur është lajmëruar votimi, ne duhet të besojmë që Kosova do të jetë anëtare e re e Këshillit të Europës”- ka thënë ai.

Muja ka thënë se nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetutese draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “për t’u anëtarësuar në KiE”.

“Në kuadër të kritereve listohen kriteret e demokracisë. Mbi bazën e këtyre kritereve është hartuar raporti që ka rishikuar çdo aspekt rregullativ…  Votimi nuk është çështje transaksionale, por vlerore”- u shpreh ai më 29.04.2024.

Themelimi i Asociacionit do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, ka thënë raportuesja Dora Bakoyannis gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, më 16.04.2024

Por, zërat tjerë vazhdojnë të jehojnë në të kundërtën e asaj çfarë shkruan në raportin e miratuar nga 131 delegatë të Këshillit të Europës, duke e kërkuar tërthorazi Asociacionin si parakusht për anëtarësim, ani pse nuk shkruan në letër.

Së fundmi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në KiE, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.