Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - Foto: KALLXO.com

Si i Përballoi Jahjaga Raportimet e Mediave për Dukjen e Saj

Presidentja e parë grua në Europën Juglindore, Atifete Jahjaga, gjatë 5 vjetëve të mandatit të saj u përfol në media për çështje të ndryshme.

Nuk pati pak raportime që kishin të bënin me dukjen e saj dhe me jetën e saj personale.

Jahjaga në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tregoi për kujtimet e saj lidhur me raportimet që ishin bërë në kohën sa ishte e para e vendit.

“Ka qenë jo vetëm joprofesionale por nuk ka qenë njerëzore që gjatë gjithë mandatit tim por edhe tani pas përfundimit të mandatit, kryetituj kanë bërë dukja ime, grimi im, çantat e mia, këpucët e mia dhe asnjëherë nuk kanë bërë kryetituj vendimet e mia, ajo çfarë unë kam përfaqësuar dhe ajo çfarë unë kam nxjerrë për vendin”, tha Jahjaga.

Ajo megjithatë tha se këto raportime nuk e kishin dobësuar atë por i kanë dhënë fuqi për aktivizëm.

“Për asnjë moment këto nuk më kanë dekurajuar por më kanë forcuar më shumë që të vazhdoj të jem një aktiviste e fuqishme për fuqizimin e rolit të gruas.Unë nisem nga një shprehje nga një amerikane ‘ Çfarë nuk të vret vetëm të bën më të fuqishëm”, tha Jahjaga.

Përballë Jeta Xharrës, Jahjaga  po ashtu flet për disa nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë si Presidente dhe detaje të pazbuluara më parë të kohës sa ishte në udhëheqje.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: