“Jeta në Kosovë” fiton betejën në gjykatë për rastin Devolli 

Gjykata e Prishtinës ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave, KPM-së, me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” KPM i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit.”

Emisioni i realizuar nga Visar Prebreza dhe Jeta Xharra i cili kishte fituar çmimin e Bashkimit Evropian për hulumtimin më të mirë më 2020, ishte vlerësuar nga Komisioni për Media si emision me përmbajtje denigruese.

Vendimi i padrejtë i KPM-së i nxjerrë në vitin 2020 u sfidua në gjykatë nga ekipi i juristëve të BIRN-it, ndërsa vendimi i gjykatës i nxjerrë para disa ditësh i ka dhënë të drejtë emisionit “Jeta në Kosovë”, duke konstatuar se raportimi ishte i faktuar dhe profesional duke hedhur poshtë të gjitha konstatimet e bëra nga anëtarët e KPM-së, si dhe nga Bordi i Ankesave të KPM-së.

Tri vite më parë, KPM, në përbërje të Xhevat Latifi – kryetar, Granit Musliu – nënkryetar dhe anëtarët Azra Desic,Vlorë Berisha, Maja Slavic dhe Xhemajl Krasniqi, u rreshtuan në krah të Blerim Devollit kur Blerim Devolli u ankua në KPM se emisioni “Jeta në Kosovë” kishte shpërndarë gjuhë të urrejtjes dhe e kishte shkelur Kodin e Etikës. 

Anëtarja e komisionit në atë kohë, Violeta Hyseni përmes një reagimi publik ka deklaruar se ka qenë kundër vendimit të shumicës së anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë rast.

BIRN i ishte përgjigjur ankesës së Devollit në KPM dhe vendimi në fjalë ishte rrëzuar në pjesën më të madhe të pikave nga Bordi i Ankesave në përbërje të Ylber Fetahaj – kryetar dhe anëtarëve Avdyl Hyseni dhe Ilaz Rudaku.

Mirëpo, në fund, Komisioni i Ankesave kishte vendosur që emisioni i BIRN-it kishte raportim të pasaktë dhe gjuhë denigruese.

Këta anëtarë të KPM-së vendosën ta përkrahin Blerim Devollin edhe pasi që u shfaq hulumtimi, Komisioni për Ndihmë Shtetërore i Kosovës e detyroi ZRrE-në ta ndalojë skemën e përfitimit të subvencioneve nga Blerim Devolli me kompanitë e regjistruara në Maltë, sepse kjo u vlerësua e paligjshme. Pas zbulimit të BIRN-it, shteti i Kosovës filloi hetimet për t’i ndalë skemat e tilla abuzive. 

Duke e konsideruar ankesën e tillë të Devollit dhe vendimin e KPM-së një proces SLAPP (procese gjuqësore që kanë qëllim frikësimin e gazetarëve), BIRN para 3 viteve dorëzoi padi në Gjykatën e Prishtinës me kërkesë që të anulohet vendimi i KPM-së.

Beteja juridike 3-vjeçare është përfunduar gjatë kësaj jave, kur Gjykata e Prishtinës nxori aktgjykim me të cilin i dha të drejtë të plotë BIRN-it, duke konstatuar se vendimi i KPM-së ishte i pafaktuar dhe i pabazuar në ligj. 

vendimin me numër A.nr.917/21, gjykatësja Anita Nikqi-Morina ka konstatuar se emisioni është në përputhje të plotë me Kodin e Etikës së Mediave dhe se nuk përmban asnjë shkelje të Kodit të Etikës.

Kështu, gjykata ka vërtetuar profesionalizimin, pajtueshmërinë e plotë me Kodin e Etikës dhe ka konstatuar në tërësi profesionalizmin e raportimit.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Republikën e Kosovës, ku Gjykata Administrative gjeti se vendimi i KPM-së me të cilën i ishte shqiptuar vërejtje emisionit të BIRN-it (që transmetohej në RTK asokohe) nuk është i arsyetuar dhe i bazuar dhe rrjedhimisht duhet të anulohet në tërësi. 

Gjykata ka gjetur se vendimi i KPM-së i kontestuar nga BIRN, nuk është arsyetuar siç duhet, nuk ka konstatuar drejt gjendjen faktike dhe se organi i paditur nuk ka vepruar konform neneve, 40, 42 dhe 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

“Në mungesë të intepretimit të organit të paditur dhe pa ofruar arsye mjaft bindëse në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se intepretimi juridik i dhënë në vendimin e kontestuar me padi të jetë i ngushtë në fushëveprim. Për dallim nga përfundimi i organit të paditur, Gjykata konsideron se kualifikimet ndaj shkrimit të RTK të kundërshtuara në KPM si organ i paditur, nuk duket se përbëjnë fyerje ngaqë gjuha e përdorur është sarkastike”, thuhet në vendimin e gjykatës. 

Seanca lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 7 korrik të këtij viti me ç’rast Herolindë Zagregja-Gjoci, u paraqit si përfaqësuese e KPM-së ndërsa në anën e BIRN-it ishin Labinot Leposhtica, jurist i BIRN-it, Jeta Xharra, ko-autore e hulumtimit “Monopol me dritë të diellit” dhe Jetlira Buzhala, monitoruese.

Rasti fillimisht ishte inicuar përmes ankesës nga kompania e Blerim Devollit në Komisionin e Pavarur për Media. Vendimi i parë i këtij mekanizmi ishte se emisioni kishte kryer shumë shkelje përfshirë edhe nxitjen e urrejtjes.

Vendimi ishte apeluar në Bordin e Ankesave të KPM-së. Ky bord kishte reduktuar vendimin e shkallës së parë, mirëpo sërish në mënyrë tërësisht të pabazuar kishte vendosur t’i shqiptojë ‘vërejtje’ BIRN-it, ndërsa BIRN këtë vendim e kontestoi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. 

Hulumtimi i gjatë dhe i detajuar i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ i titulluar “Monopoli me dritë të diellit-ZRRE dhe Devolli “, ishte transmetuar më 30 prill 2020 në Radio Televizionin e Kosovës dhe kishte zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të kishin përfituar nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Ndaj këtij emisioni, kompania e  Blerim Devollit “Devolli Group”  kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave, ndërsa Komisioni i KPM-së  kishte aprovuar në tërësi ankesën. BIRN u ankua në Bordin e Ankesave të KPM-së që aprovoi ankesën e BIRN, anuloi vendimin e Komsionit dhe ktheu çështjen në rivendosje tek Komisioni.

Duke vendosur për herë të dytë mbi çështjen e njejtë, KPM, për dallim nga hera e parë, reduktoi vëllimin e shkeljeve, duke mos kontestuar asnjë nga gjetjet kryesore të emisionit ‘Monopoli me dritë të Diellit, ZRRE dhe Devolli”, por përsëri i shqiptoi vërejtje emisionit me arsyetimin se është përdorur gjuhë denigruese dhe se janë shfaqur disa pasaktësi lidhur me veprimtarinë prodhuese të ankuesit. 

Përkundër ankesës së BIRN në Bordin e Ankesave, shkalla e dytë e vendimarrjes në KPM e vërtetoi ‘vërejtjen’ ndaj BIRN duke mos ofruar arsyetim të mjaftueshëm dhe duke konstatuar gjendjen e gabuar faktike. 

Ky vendim i Bordit të Ankesave u kontestua nga BIRN brenda afatit në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamenti Administrativ, që tek në korrik të viti 2023 mbajti seancë lidhur me këtë rast ku u dëgjuan palët dhe u administruan provat e rastit të ofruara nga BIRN. 

Vendimi i gjyqtares, Anita Nikçi-Morina konstatoi se epitetet  e përdorura gjatë emisionit “Devolli i shkretë”, “Baba Blerim Devolli”, “Nona Blerim Devolli”, dhe të kontestuara nga ankuesi, nuk përbëjnë gjuhë fyese ngaqë gjuha e përdorur është sarkastike, dhe anuloi vendimin e KPM-së.

Shprehjet “Baba Blerim Devolli” dhe “Nona BLerim Devolli” ishin përdorur në emision për të treguar se Blerim Devolli ishte “baba”, pronari i 6 kompanive që e fshehën pronësinë duke u regjistruar në fund në Maltë, me qëllim që të përfitojnë subvencione prej shtetit  të Kosovës përkundër rregullës që e kufizonte që tarifa nxitëse mund të përfitonin projekte deri në 3 megavat, e jo siç ishte në rastin konkret kur një pronar përmes 6 kompanive, duke e fshehur pronësinë e vërtetë, të përfitonte tarifa nxitëse për 16.7 megavat. BIRN iu referua këtyre kompanive si kompani guaskë që “babë” dhe “nanë” e kishin Blerim Devollin. Edhe në anglisht, kompania bazë e kompanive guaskë, që regjistrohen në disa vendeu referohet si “kompania amë”  Devolli pretendoi se të quajturit “babë” e “nanë” është joetike. 

Përveç kësaj në emision BIRN e theksoi se Blerim Devolli i Pejës kishte dashur që me nënshtetësi të Malit të Zi të përfitojë subvencione të Kosovës, sepse kompanitë në Maltë Devolli i kishte regjistruar me nënshtetësinë e tij malazeze, jo me nënshtetësinë e tij kosovare.

Në ankesë ai pretendoi që fjalia “Blerim Devolli prej Peje, me nënshtetësi malazeze, tenton me përfitu subvencione të Kosovës” mbjell urrejtje. BIRN tha që në fakt, kjo fjali vetëm tregonte të vërtetën.

Tutje, gjykata në vendimin e saj shprehu se organi i paditur, KPM-ja nuk ka ofruar prova bindëse se cila ishte shkelja që kishte bërë emisioni dhe ka mungesë interpretimi.

Ajo shton se vendimi i nxjerrë nga KPM-ja është në kundërshtim me Lirinë e Shprehjes të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, Lirinë e Mediave dhe praktikave të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Prishtinës me gjyqtaren e rastit ka vlerësuar se Gjykata Europiane ka një sërë rastesh të cilat kanë konsideruar se promovimi i debatit të lirë është një tipar i rëndësishëm i një shoqërie demokratike.

Si provë shtesë, në seancën e mbajtur më 7 korrik të këtij viti, përfaqësuesi ligjor i BIRN-it Labinot Leposhtica që e kishte përcjellur rastin nga fillet e tij, i ofroi gjykatës prova të reja që dëshmonin për manipulimin që kishte bërë KPM-ja. KPM i kishte nxjerrë dy raporte të ndryshme të monitorimit, (në baza të së cilave raporte është zhvilluar rasti) të vulosura dhe protokoluara lidhur me çështjen e njëjtë. 

Raporti i parë lidhur me ankesën e Devolli Group, konstatonte se emisioni i BIRN nuk kishte shkelje, ndërsa pak ditë më vonë, ishte nxjerrë një raport tjetër, po ashtu i vulosur dhe protokoluar, i cili vlerësonte se emisioni i BIRN përmban shkelje të Kodit të Etikës. 

Raportet e datës 03.06.2020 dhe 09.06.2020, janë kundërthënëse mes vete, ku raporti i parë gjenë se nuk ka shkelje ose nuk ka elemente të gjuhës së papapërshtatshme fyese, etj, kurse raporti i dytë i nxjerrur pas 6 dite, thotë se ky emison ishte përshkruar me një sërë shkeljesh etike.

Në seancën e mbajtur më 7 korrik të këtij viti, Herolindë Zagregja-Gjoci, përfaqësuesja e KPM-së, nuk deklaroi asgjë kur Leposhtica i BIRN-it e ballafaqoi me këtë provë të re para gjykatëses.

Ajo shtoi se KPM-ja asnjëherë nuk i ka kontestuar gjetjet e hulumtimit, mirëpo emisioni kishte përdorur gjuhë denigruese dhe kishte pasaktësi, pretendime këto që u hodhën poshtë me vendimin e gjykatës.

KALLXO.com kishte raportuar për dyshime të forta lidhur me dy raporte të kundërta për të njëjtën çështje që kishte nxjerrur KPM-ja, ndërsa kjo çështje ishte diskutuar edhe në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Media.

Jeta Xharra, ko-autorja e hulumtimit “Monopol me dritë të diellit” që ishte po ashtu prezente në senacën e 7 korrikut, ia shpjegoi gjykatës ndikimin që kishte pasur Blerim Devolli jo vetëm në KPM, por edhe në RTK. 

“Një ditë pas transmetimit të hulumtimit tonë në 2020, RTK na lajmëron se nuk do të lejojnë më që emisioni jonë të transmetohet në RTK online dhe pas 3 jave ‘Jeta në Kosovë’ dhe ‘Drejtësia në Kosovë’ përjashtohet krejtësisht nga RTK, gjë që tregon se Devolli i ka gjetë njerëzit e vet jo vetëm në KPM, por edhe në RTK”, argumentoi Xharra në gjykatë. 

“Gjykatëse, kjo do të ishte sikurse, ta zëmë, hipotetikisht, pasi që ju do ta kryenit punën tuaj si duhet, për shembull të merrnit një vendim të drejtë, por kundër një oligarku në këtë gjykatë, ai njeri i pasur të ketë qasi ndikimi në këtë institucion publik ku ju punoni saqë arrin të ju qes prej pune krejtësisht dhe ju detyroheni të ushtroni zanatin tuaj privatisht si avokate”, tha Xharra në seancën e 7 korrikut. 

Edhe pse RTK ka ndërruar bordin dhe menaxhmentin, sot e kësaj dite RTK nuk i është përgjigjur kërkesës së BIRN-it të 2020 për transmetim të hulumtimeve të BIRN-it madje edhe pa kompensim.

Por, përkundër që BIRN nuk është transemtuar më në RTK, hulumtimi ka ndikuar në kursimin e 17 milionë eurove subvencione që do të shpenzoheshin përmes tarifave nxitëse që ka pasur t’i përfitojë Devolli.

“Çdo punë e madhe e ka çmimin e vet dhe ky rast dëshmon që për të ndalë abuzimin e fondeve publike ja vlen edhe të përjashtohesh nga vendi ku kemi trasnemtu 15 vjet, siç jemi përjashtuar ne nga RTK. Bile ja vlen të durosh edhe frymën e tillë përjashtuese që po vazhdon në televizionin publik edhe sot, vetëm e vetëm që e vërteta të del në shesh. Pra, gjithsesi ja vlen edhe të paguash kosto për të vërtetën sepse në fund, edhe nëse zgjat disa vite, kallxohet kush ka pas të drejtë, siç po del në këtë rast që gjykata që po i tregon KPM-së (e besa edhe RTK-së) që ne kemi pas të drejtë, e jo Blerim Devolli, pa marrë parasysh a i ka ai paret e dynjasë a jo”, tha Xharra kur e mori vendimin e gjykatës.

Impaktet dhe çmimet e hulumtimit

Çmimet për emisionin më të mirë;

Emisioni “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” është shpërblyer me çmimin e parë nga BE-ja për storien më të mirë hulumtuese.

E po ashtu, është shpërblyer edhe si emisioni më i mirë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi” për vitin 2020 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë – OSBE dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.

Përpos se është vlerësuar si emisioni më i mirë i vitit për ekonomi në Kosovë nga një organizatë ndërkombëtare dhe me kredibilitet, emisioni në fjalë ka rezultuar me impakte të drejtpërdrejta duke shkaktuar reagimin e institucioneve më të larta të vendit për adresimin e gjetjeve të emisionit.

Kuvendi i Kosovës ka reaguar duke kërkuar të trajtohen me urgjencë gjetjet e emisionit;

Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurisë ndaj zbatimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat nxitëse;

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetim penal;

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka filluar hetime për shkeljen e Ligjit të Konkurrencës;

Komisioni për Ndihmë Shtetërore-KNSh e ka shfuqizuar vendimin e ZRrE-së me datën 24 nëntor 2020, pasi ka konstatuar se skema e ZRrE-së për tarifat nxitëse është e kundërligjshme dhe ka obliguar ZRrE-në të mos e zbatojë atë dhe të informojë KNSh-në për hapat e ndërmarrë;

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetime për konflikt të mundshëm të interesit;

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë ka konstatuar se ZRrE-ja nuk është e pavarur, siç kërkohet me ligj;

Zyra e Rregullatorit e ka ndalë skemen mbështetëse përmes tarifave nxitëse dhe tash energjinë e pastër do të bëjë përmes ankandeve, siç sugjeronin edhe në atë kohë institucionet ndërkombëtare.