FOTO - KALLXO - Raportimi i menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së në Komisionin për Buxhet dhe Financa – 04.10.2023

Rrena e drejtorit të RTK-së për emisionin 'Jeta në Kosovë'

Në një kohë kur të gjithë e kanë vëmendjen te pronat e Radoiçiqit e te transmetuesit e mesazheve serbe në kabllorët e Kosovës, publikut iu servua një rrenë nga drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

deklarimin e tij para Komisionit për Buxhet dhe Financa të datës 04 tetor 2023, Ahmetxhekaj duke dashur të arsyetojë një kontratë të cilën e ka lidhur me Reuters e që Auditori ka konstatuar që ka probleme, Shkumbin Ahmetxhekaj tentoi t’i mashtrojë deputetët duke thënë që kontratat ngjashëm me Reuters RTK i ka nënshkruar edhe me “Jeta në Kosovë”.

Në të njëjtën kohë Ahmetxhekaj përmend që kontratat janë nënshkruar ngjashëm edhe me dy agjensi me bazë në Kosovë.

Në tërë deklarimin e tij pati një të pa vërtetë të madhe. Kontrata në mes RTK-së dhe “Jeta ne Kosovë” nuk është nënshkruar në procedurën e njëjtë si ajo me Reuters.

Publiku i Kosovës, deputetët por edhe të gjithë duhet të dinë se deklarimet e Shkumbin Ahmetxhekajt për Emisionin “Jeta në Kosovë” janë të trilluara dhe të rreme.

Secila marrëveshje për bashkëprodhimin e emisioneve në mes RTK dhe “Jeta në Kosovë” ishte në përputhje me ligjin dhe procedurat.

Kontrata në mes të RTK-së dhe Reuters, për të cilën Auditori ka thënë se ka disa shkelje, nuk është e njëjtë me atë që e ka nënshkruar RTK me emisionin “Jeta në Kosovë”.

 

Publiku dhe deputetët duhet t`i dinë faktet!

  • Emisioni “Jeta në Kosovë” i është nënshtruar konkurrencës. Fillimisht, “Jeta në Kosovë” ka konkurruar në konkursin për vepra audiovizuale që RTK e ka pasur në faqen e saj. Kontraktori i Shkumbin Ahmetxhekajt, Reuters nuk ka aplikuar në një konkurs të tillë.
  • Pas aplikimit në konkursin e hapur nga RTK-ja, “Jeta në Kosovë” i është nënshtruar një procesi të vlerësimit nga komisioni për vepra audiovizuale. Ky komision i RTK-së, i ka vlerësuar aplikacionet që kanë konkurruar në këtë konkurs, duke përfshirë edhe atë të Emisionit “Jeta në Kosovë”. Pasi ky komision ka dhënë rekomandim pozitiv për emisionin “Jeta në Kosovë”, procesi ka kaluar në fazën tjetër, atë të kontraktimit. Në anën tjetër, kontraktori i Ahmetxhekajt, Reuters, nuk e ka ndjekur këtë procedurë dhe nuk ka hyrë në një garë të hapur.
  • Kontrata e nënshkruar është publikuar në platformën e prokurimit publik dhe i është nënshtruar një procesi të hapur të ankesave. RTK-ja me rastin e kontraktimit të “Rrjeti i Lajmeve Ndërkombëtare” nuk ju ka dhënë hapësirë ankese bizneseve tjera.
  • Në kontratën me “Jeta në Kosovë” nuk ka pasur paradhënie e as përshtatje të kushteve siç ka ndodhur me kontratën me Reuters. Përkundrazi, RTK për një kohë të gjatë nuk ia ka paguar obligimet emisionit “Jeta në Kosovë”, siç kanë qenë të kontraktuara. Madje, RTK-ja edhe sot e kësaj dite vazhdon të shlyej borxhin ndaj emisionit “Jeta në Kosovë”.
  • Ligji i RTK-së kërkon që 20% e transmetimeve të RTK-së të jenë produksione të jashtme. Kontrata e “Jeta në Kosovë” është nënshkruar bazuar në këtë kërkesë ligjore. Ligji i RTK-së nuk kërkon që 20% të jenë prodhim i blerë nga agjencitë e lajmeve që do të thotë që RTK ka dedikuar fonde për një kontratë me kompani të jashtme që nuk ia kërkon ligji duke mos e përmbushur obligimin e saj ligjor për 20% të prodhimit që është e obliguar t’i harxhoj duke i kontraktuar nga prodhues lokal.
  • Kontratat me agjencitë lokale të cilat i përmend Ahmetxhekaj janë nënshkruar në procedura të tjera, e jo si procedura e ndjekur për kontraktimin e Emisionit “Jeta ne Kosovë”.
  • RTK ka pasur edhe dy kontrata të tjera me Organizata Joqeveritare në Kosovë që prodhojnë programe televizive, mirëpo Ahmetxhekaj nuk i përmend emrat e tyre në Komision, gjë që tregon që qëllimi i tij është për të përzgjedhur një emision specifik për ta diskredituar për shkak të raportimeve kritike dhe të sakta që i njëjti ekip që e ka prodhuar “Jetën në Kosovë” po i bën sot për RTK në kuadër të Kallxo.com.

Duke parë tendencën që duke përdorur rrenën të dëmtohet kredibiliteti i emisionit më të shpërblyer e më të shikuar në RTK, “Jeta në Kosovë” kërkon tërheqjen e deklaratave të pavërteta dhe ndalimin e presionit të vazhdueshëm nga menaxhmenti aktual i RTK-së.

Përndryshe, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, duke tentuar të mbrojë vetën para deputetëve për një kontratë me shumë shkelje (sipas vlerësimit të Auditorit), po tenton t’i njollosë edhe të tjerët.

 

Çka thotë raporti i Auditorit?

  • Auditori ka konstatuar se RTK-ja ka përdorë procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit, pra kishte zhvilluar procedurë të kufizuar me vetëm një operator, duke mos krijuar mundësi të konkurueshmërisë kur dihet se ka shumë operator ndërkombëtarë që e ofertojnë këtë lloj të shërbimit.
  • RTK është thirrur në Ligjin e Prokurimit, por forma dhe përmbajtja e kontraktimit apo specifikisht termat e referencës së kontratës në fjalë nuk ishin aplikuar sipas kërkesave të LPP-së.
  • Afati dhe kushtet e pagesës me abonim (paradhënie) për çdo tre muaj janë përcaktuar sipas kërkesës së Operatorit Ekonomik (OE), për më tepër RTK nuk kishte kërkuar garanci mbi performancën e ekzekutimit të kontratës.
  • OE ka pasur rol aktiv dhe jo Autoriteti Kontraktues mbi kushtet për t’u nënshkruar kontrata.
  • Auditori ka konstatuar se: Lidhja e kontratës me negocim të njëanshëm duke u bazuar në kushtet dhe standardet e vendosura nga ofertuesi i shërbimeve është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe nuk ofron siguri të mjaftueshme se zbatimi i kontratës përmbushë synimet e RTK-së.

Pra, Auditori në asnjë moment nuk e ka kontestuar të drejtën e RTK-së që ta ndjek procedurën e negociuar që ja mundëson LPP-ja, mirëpo ka disa shkelje të identifikuara prej momentit kur është zgjedh procedura e deri te nënshkrimi i kontratës, duke e ilustruar qartazi se si negocimi për këtë kontratë është bërë duke ju përshtatur komplet kushteve të kontraktuesit privat.

Kontratat që RTK e kishte pasur me “BIRN” në vitet e kaluara për emisionin “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” ishte audituar në vitet e kaluara por nuk janë gjetur shkelje në asnjë kontratë që RTK kishte nënshkruar me “BIRN”, organizatë kjo që kishte pas kontratë me RTK plot 15 vjet, që nga viti 2005-2020.