Leposhtica: E paqartë pse AGK s’ka reaguar pas vendimit të Gjykatës në favor të BIRN për rastin Devolli
Udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN, Labinot Leposhtica, ka thënë se verdikti i Gjykatës së Prishtinës për të anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave përmes të cilit emisionit “Jeta në Kosovë” KPM i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit”, përveç që është betejë e fituar nga BIRN, është betejë e fituar e fjalës së lirë.
Leposhtica thotë se ndaj emisionit që trajton një çështje të interesit të lartë publik, KPM kishte marrë një vendim tërësisht të pabazuar.
“Përveç neve si BIRN që fituam betejën, kjo është një betejë e fituar e fjalës së lirë dhe e gjithë kolegëve gazetarë sepse në esencë e mbron fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave sidomos në çështje të interesit të lartë publik siç ishte çështja që ne e kemi trajtuar dhe për të cilën fillimisht jemi dërguar në KPM dhe pas një serie vendimesh kemi vendosur që kjo çështje të dërgohet edhe në Gjykatë që me e pasë një kontroll gjyqësor ndaj kësaj lënde sepse në çështjen tonë KPM e ka marrë një vendim tërësisht të pabazuar”- ka thënë Leposhtica në emisionin “Five” në RTV Dukagjini.
“Përkundër që konsideroj se ky vendim që është në favor të BIRN-it, e që anulon një vendim të KPM-së, është tejet i rëndësishëm për gazetarët në Kosovë sepse ka me shërby si precedent se vendimet e një organi administrativ, rregullator siç është KPM-ja, nuk mund të jenë të paarsyetuara dhe nuk mund të jenë të pabazuara sepse i nënshtrohen kontrollit gjyqësor dhe janë në shërbim të gazetarëve që operojnë në Kosovë”- ka shtuar ai.
Leposhtica është shprehur se është ende e paqartë se përse Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës, përkundër që emisioni në fjalë është shpallur si më i miri në vitin 2021 nga një juri e përbërë nga AGK, OSBE dhe UN Women.
“Në këtë drejtim e gjej pak të pashpjegueshme se si Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, kur janë bërë gati dy ditë prej kur e kemi publikuar vendimin, ende nuk ka pasë asnjë lloj reagimi lidhur me këtë betejë fillimisht në KPM e më pas në Gjykatë, përkundër që emisioni i kontestuar është shpallur nga AGK, OSBE, UN Women, me një juri ndërkombëtare si emisioni më i mirë në ekonomi në vitin 2021. Pra e kam të paqartë se përse AGK nuk ka reagu ndaj këtij të vendimi”- theksoi zyrtari ligjor i BIRN.
Gjykata e Prishtinës ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit”.
Emisioni i realizuar nga Visar Prebreza dhe Jeta Xharra, i cili kishte fituar çmimin e Bashkimit Evropian për hulumtimin më të mirë më 2020, ishte vlerësuar nga Komisioni për Media si emision me përmbajtje denigruese.
Vendimi i padrejtë i KPM-së i nxjerrë në vitin 2020 u sfidua në Gjykatë nga ekipi i juristëve të BIRN-it, ndërsa vendimi i Gjykatës i nxjerrë para disa ditësh i ka dhënë të drejtë emisionit “Jeta në Kosovë”, duke konstatuar se raportimi ishte i faktuar dhe profesional duke hedhur poshtë të gjitha konstatimet e bëra nga disa prej anëtarëve të KPM-së, si dhe nga Bordi i Ankesave të KPM-së.
Beteja juridike 3-vjeçare ka përfunduar gjatë kësaj jave, kur Gjykata e Prishtinës nxori aktgjykim me të cilin i dha të drejtë të plotë BIRN-it, duke konstatuar se vendimi i KPM-së ishte i pafaktuar dhe i pabazuar në ligj.
Në vendimin me numër A.nr.917/21, gjykatësja Anita Nikqi-Morina ka konstatuar se emisioni është në përputhje të plotë me Kodin e Etikës së Mediave dhe se nuk përmban asnjë shkelje të Kodit të Etikës.
Kështu, Gjykata ka vërtetuar profesionalizmin, pajtueshmërinë e plotë me Kodin e Etikës dhe ka konstatuar në tërësi profesionalizmin e raportimit.
Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Republikën e Kosovës, ku Gjykata Administrative gjeti se vendimi i KPM-së me të cilin i ishte shqiptuar vërejtje emisionit të BIRN-it (që transmetohej në RTK asokohe) nuk është i arsyetuar dhe i bazuar dhe rrjedhimisht duhet të anulohet në tërësi.
Gjykata ka gjetur se vendimi i KPM-së i kontestuar nga BIRN nuk është arsyetuar siç duhet, nuk ka konstatuar drejt gjendjen faktike dhe se organi i paditur nuk ka vepruar konform neneve 40, 42 dhe 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Emisioni “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” është shpërblyer me çmimin e parë nga BE-ja për storien më të mirë hulumtuese.
E po ashtu, është shpërblyer edhe si emisioni më i mirë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi” për vitin 2020 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë – OSBE dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.
“Jeta në Kosovë” fiton betejën në gjykatë për rastin Devolli