Perparim Kryeziu, Foto:facebook

"Sulmet e pista të orkestruara nga disa fansa qeveritarë", zëdhënësi i Qeverisë i reagon Viola von Cramonit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka reaguar raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e cila përkrahu një shkrim të ish presidentes Atifete Jahjaga. Në atë shkrim, Jahjaga e ka cilësuar si të papranueshëm linqimin e organizuar që, sipas saj, po bëhet në rrjete sociale ndaj aktivistëve të shoqërisë civile dhe miqve të Kosovës. 

Ajo kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës të dalin në mbrojtje të fjalës së lirë.

“Kërkoj që këto sulme të ndalen dhe nga institucionet e Kosovës të dalin në mbrojtje të fjalës së lirë. Kontributi i shoqërisë civile në çdo etapë të zhvillimit të Kosovës ka qenë dhe do të jetë i pazëvendësueshëm”- ka shkruar Jahjaga në rrjetin X.

Ky postim u shpërnda më pas nga europarlamentarja, Viola von Cramon, e cila po ashtu i konsideroi si sulme të orkestruara nga fansa të qeverisë.

“Shpresojmë që këto sulme personale të pista dhe të pajustifikuara të orkestruara nga disa fansa qeveritarë do të tejkalohen së shpejti”- ishte shprehur von Cramon.

Kryeziu reagoi ndaj këtij shkrimi duke potencuar se Qeveria nuk abuzon me pushtetin në përkrahje të sulmuesve online.

“Qeveria jonë kurrë nuk është përfshirë dhe nuk do të përfshihej kurrë në abuzim me pushtetin duke sponsorizuar sulmuesit në internet. I mohojmë akuzat nga Viola von Cramon  me të cilën komunikojmë rregullisht përmes kanaleve zyrtare. I bëjmë thirrje asaj dhe të tjerëve që të mos mbështesin teoritë e konspiracionit kundër një qeverie demokratike”- shkroi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.