Gashi: Qytetarët duhet ta dinë pse nuk po e shohin emisionin “Drejtësia në Kosovë” në terminin e vet që 3 vite
Redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, është deklaruar në lidhje me mosraportimin nga disa media të Kosovës për verdiktin e Gjykatës së Prishtinës, e cila ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili emisionit “Jeta në Kosovë” i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit”.
Gashi ka thënë se përderisa ka lajme të cilat lidhen me vendime të tjera gjyqësore për çështje të mediave që janë raportuar me shpejtësi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me rastin e vendimit të Gjykatës për rastin e emisionit “Jeta në Kosovë”.
“Në reagimin tim në mëngjesin e sotëm kam kritikuar mediat në Kosovë, përfshirë televizionet nacionale, duke përjashtuar televizionin publik, për mosraportim të kësaj ngjarjeje. Arsyeja përse e kam bërë këtë është se ky është një vendim historik i cili shënon në analet e reformës, të drejtës mediale, lirisë së shprehjes, është historik dhe nënkupton dhe sqaron të drejtën e gazetarëve dhe limitet e gazetarëve në lirinë e shprehjes “- shpjegon ai.
Gashi thotë se publiku duhet të kërkojë përgjigje pse disa prej programeve e emisioneve e produkteve nuk janë duke i parë për një kohë të gjatë në skenën mediale.
“Pse e kam bërë këtë reagim nuk ka qenë thjesht me i kritiku kolegët gazetarë, por vetëm me u tregu që thjesht duhet me lypë edhe disa përgjigje tjera që lidhen me elemente të rëndësishme që në vend kanë mbetur të paraportuara. Ky publik dhe shteti i Kosovës e qytetarët duhet me lypë përgjigje pse disa prej programeve, e emisioneve, e produkteve, nuk janë duke i pa për një kohë të gjatë në skenën mediale të Kosovës”- ka deklaruar Gashi të premten në ‘Lajmet e fundit” në RTK.
Ai shtoi se qytetarët duhet të dinë se përse nuk janë duke e parë emisionin “Drejtësia në Kosovë” në terminin e vet, siç ka qenë para tri viteve.
“Sot është premte, është koha kur njerëzit në Kosovë kanë qenë të mësuar që në televizionin publik, prej orës 22:15 me e pa emisionin më të mirë hulumtues të cilin e ka pasë televizioni publik në vendin tonë. Qytetarët e Kosovës duhet me ditë dhe me e pasë një përgjigje të saktë, që pse nuk janë duke e pa emisionin “Drejtësia në Kosovë” në terminin e vet të cilin e ka pasë deri më 4 gusht në vitit 2020”- u shpreh Gashi.
“Sonte është data 4 gusht, është hera e parë që shikuesit e RTK po më shohin në terminin të cilin për afër gjashtë vite unë si autor i “Drejtësia në Kosovë” e kam pasë në televizionin publik dhe nuk e kam më. Arsyeja duhet të kërkohet tek ajo që e kam publikuar në mëngjes”- tha mes tjerash ai.
Redaktori i KALLXO.com theksoi se ka qenë “dhimbje” se si kolegët nuk raportojnë një fitore kaq të madhe për lirinë e shprehjes në Kosovë.
“Për mua ka qenë dhimbje e madhe qysh kolegët tanë nuk raportojnë një fitore kaq të madhe për lirinë e shprehjes në Kosovë, ka qenë problem i madh qysh njerëzit të cilët cdo ditë thirren në lirinë e shprehjes, nuk e raportojnë këtë element e fitore të madhe që e kemi realizu. Nuk është diçka që ne dojmë as me përfitu, ne kemi besu në të drejtën tonë”- tha ai.
“Shteti i Kosovës ka fitu shumë prej këtij raportimi për shkak se i kemi shërby interesit të publikut, jo diçkaje tjetër. Pasojat ne i bartim, por vazhdojmë me i shërby publikut”- potencoi Gashi.
Gjykata e Prishtinës ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit”.
Emisioni i realizuar nga Visar Prebreza dhe Jeta Xharra, i cili kishte fituar çmimin e Bashkimit Evropian për hulumtimin më të mirë më 2020, ishte vlerësuar nga Komisioni për Media si emision me përmbajtje denigruese.
Vendimi i padrejtë i KPM-së i nxjerrë në vitin 2020 u sfidua në Gjykatë nga ekipi i juristëve të BIRN-it, ndërsa vendimi i Gjykatës i nxjerrë para disa ditësh i ka dhënë të drejtë emisionit “Jeta në Kosovë”, duke konstatuar se raportimi ishte i faktuar dhe profesional duke hedhur poshtë të gjitha konstatimet e bëra nga disa prej anëtarëve të KPM-së, si dhe nga Bordi i Ankesave të KPM-së.
Beteja juridike 3-vjeçare ka përfunduar gjatë kësaj jave, kur Gjykata e Prishtinës nxori aktgjykim me të cilin i dha të drejtë të plotë BIRN-it, duke konstatuar se vendimi i KPM-së ishte i pafaktuar dhe i pabazuar në ligj.
Në vendimin me numër A.nr.917/21, gjykatësja Anita Nikqi-Morina ka konstatuar se emisioni është në përputhje të plotë me Kodin e Etikës së Mediave dhe se nuk përmban asnjë shkelje të Kodit të Etikës.
Kështu, Gjykata ka vërtetuar profesionalizmin, pajtueshmërinë e plotë me Kodin e Etikës dhe ka konstatuar në tërësi profesionalizmin e raportimit.
Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Republikën e Kosovës, ku Gjykata Administrative gjeti se vendimi i KPM-së me të cilin i ishte shqiptuar vërejtje emisionit të BIRN-it (që transmetohej në RTK asokohe) nuk është i arsyetuar dhe i bazuar dhe rrjedhimisht duhet të anulohet në tërësi.
Gjykata ka gjetur se vendimi i KPM-së i kontestuar nga BIRN nuk është arsyetuar siç duhet, nuk ka konstatuar drejt gjendjen faktike dhe se organi i paditur nuk ka vepruar konform neneve 40, 42 dhe 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Emisioni “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” është shpërblyer me çmimin e parë nga BE-ja për storien më të mirë hulumtuese.
E po ashtu, është shpërblyer edhe si emisioni më i mirë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi” për vitin 2020 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë – OSBE dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.
“Jeta në Kosovë” fiton betejën në gjykatë për rastin Devolli