Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Përfundon dëshminë dëshmitari i mbrojtur, kryetari i trupit gjykues kritikon palët për mënyrën e shfrytëzimit të kohës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshmitari me kodin W04753 ka përfunduar dëshminë e tij në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Megjithëse për dëshminë e tij u parapanë 16 orë, përfshirë kundërpyetjet nga palët mbrojtëse, marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur përfundoi brenda katër orëve.

Prokurori i specializuar, Matt Halling, tha se dëshmia u përfundua shpejt dhe se ata kishin gati një dëshmitar tjetër për të enjten.

Një ndërprerje e procesit për llogaritjen e kohës nuk u pranua mirë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili kritikoi mënyrën se si u përdor koha për këtë dëshmitar.

“Keni kërkuar 16 orë për këtë dëshmitar, të tërë morët 4 orë, ku pjesa më e madhe e kohës që ishte parashikuar, ishte kundërpyetje. Kërkuat dy orë nga Prokuroria dhe përdorët një orë e gjysmë”- deklaroi gjykatësi.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, kuptoi problemin e kohës dhe premtoi se do të punojë për mënyrën më të efektshme të përdorimit të marrjes në pyetje.

Gjyqtari Charles Smith theksoi se gjykimi do të zgjasë por së paku duhet të përfundojë në një kohë të arsyeshme.

“Jemi pak të shqetësuar për këtë sepse do të zgjasë shumë ky gjyq dhe ne e dimë që ky gjykim do të marrë kohë, por të paktën të përfundojë në një kohë të arsyeshme. I drejtohem Prokurorisë, nuk mund të sillni askënd nesër?”- citoi Smith.

Prokurori Halling njoftoi se dëshmitari i 31-të do të mund të dëgjohet nesër.

Më pas, gjykatësi deklaroi se nëse palët nuk arrijnë të bëjnë pyetjet dhe kundërpyetjet në një kohë të arsyeshme, ai do të detyrohet të vendosë kufij kohorë.

Gjatë ditës së sotme, po ashtu u paraqit një dokument i vitit 1998, i gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, që u propozua si provë materiale në rastin e gjyqit.

Prokurori Halling argumentoi se dokumenti kishte indicie të mjaftueshme për të justifikuar pranimin e tij në gjykim.

“Parashtrojmë që ka indicie të mjaftueshme që justifikojnë pranimin e këtij urdhri që ka të bëjë me Mahir Hasanin. Dokument që mbanë datën 31 maj 1998. Sa i takon burimit të këtij urdhri, ky dokument është gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit”- deklaroi prokurori Mat Halling.

Ai tutje ka shtuar se sipas këtij dokumenti, Mahir Hasani vihej në dispozicion të bazës në Drenoc nën komandën e “Gjermanit” për të cilin dëshmitari tha se ishte Xhemë Gashi.

“Në fjalinë e parë të këtij dokumenti thuhet z. Mahir Hasani nga Peja vihet në dispozicion të bazës së Drenocit nën komandën e z.Gjermani” – deklaroi prokurori.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.