Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Vendimi i plotë i Gjykatës Speciale për refuzimin e kërkesës së Thaçit për përjashtimin e gjyqtarit Guillou
Gjykata Speciale, të premten (12.04.2024), ka publikuar vendimin e plotë për refuzimin e kërkesës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për përjashtimin ose zëvëndësimin e gjyqtarit të vetëm gjykues, Nicolas Guillou.
Nicolas Guillou u betua si gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare më 08.03.2024, ndërsa gjashtë ditë më vonë, më 14.03.2024, Thaçi parashtroi kërkesën për të hequr ose zëvendësuar gjyqtarin në fjalë.
Kërkesa e Thaçit ishte bazuar mbi atë se mbajtja e dy pozitave në këto dy Gjykata njëkohësisht mund të ndikojë në paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqtarit në gjykimin e çështjes.
Kërkesa e tillë është refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, më 08.04.2024.
Mbrojtja e Thaçit një kërkesë të tillë e ka argumentuar mbi bazën e nenit 26 të Kodit të Etikës së Gjyqtarëve duke pretenduar se pasi gjyqtari Guillou përgjigjet para dy gjykatave, pra Gjykatës Penale të Drejtësisë dhe Gjykatës Speciale, të njëjtit i cenohet pavarësia.
Lidhur me këto pretendime në arsyetimin e vendimit refuzues thuhet se një gjë e tillë nuk zbatohet në rastin e gjyqtarit Guillou pasi i njëjti do të filloj punën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga data 19.08.2024 e deri më atëherë është i lirë të kryej funksionet si gjyqtar në Gjykatën Speciale.
“Kjo nuk është çështje në lidhje me situatën e gjyqtarit Guillou. Gjyqtari Guillou do të ushtrojë vetëm funksionet e tij gjyqësore në GJNP që nga data 19.08.2024. Nga kjo rrjedh se deri tani deri në atë kohë gjyqtari Guillou mbetet i disponueshëm për të kryer detyrat e tij në Gjykatën Speciale”- thuhet në vendim.
Këto pretendime të Thaçit në vendimin e Speciales u cilësuan si të natyrës spekulative.
“Sugjerimet e z. Thaçi për sa i përket aktiviteteve profesionale që gjyqtari Guillou mund ose nuk mund të ketë si Gjyqtar i GJNP-së përpara marrjes së detyrës në gusht 2024 dhe aftësia e tij për të ushtruar funksionet e tij si gjyqtar i vetëm para Gjykatës Speciale janë të natyrës spekulative”- thuhet në vendimin e Speciales.
Sipas vendimit kërkesa për përjashtim mund të parashtrohet vetëm nga vetë gjyqtarët.
Tutje në vendim thuhet se në lidhje me pretendimet e Thaçit për pavarësinë e gjyqtarit, i njëjti nuk e ka argumentuar se si funksioni i gjyqtarit në GJNP do të ndikojë në pavarësinë e tij në gjykimin e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve.
Kështu, vendimi i kryetares thotë se pretendimet e Thaçit janë të natyrës së përgjithshme dhe se nuk çojnë tek asgjë konkrete apo specifike në raport me mungesën e paanshmërisë të gjyqtarit Guillou.
“Ajo (kryetarja e gjykatës) konstatoi më tej se z. Thaçi nuk ka paraqitur argumente pse është cenuar puna apo pavarësia e gjykatësit Guillou si Gjykatës i Vetëm dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si Gjykatës i Vetëm është aspekt që vlerësohet nga Kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve”- thuhet edhe në njoftimin e Gjykatës Speciale të datës 11.04.2024.
Si përfundim në vendim thuhet se kërkesa e Thaçit për përjashtimin e gjyqtarit Guillou i mungon thelbi.
Seanca e radhës në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është planifikuar të mbahet më 22.04.2024.